Botë

Arrin në 128 numri i viktimave nga zjarri në Hong Kong, zyrtarët thonë se alarmet e zjarrit s’funksiononin

Hong Kong

Foto: Associated Press

Ka arritur në 128, numri i viktimave nga zjarri që përfshiu një kompleks të banesave në Hong Kong të mërkurën. 

Sipas autoriteteve edhe 16 trupa gjenden ende brenda ndërtesave.

BBC-ja raporton se autoritetet kanë thënë se shërbimi i zjarrfikësve ka kontrolluar alarmet e zjarrit në të gjitha tetë blloqet e përfshira nga zjarri dhe ka zbuluar se ato nuk po funksiononin siç duhet.

Dhe disa banorë kanë raportuar se alarmet e tyre të zjarrit nuk ranë kur shpërtheu zjarri.

Autorittet kanë thënë se mbi 1000 njësi banimi janë kontrolluar deri më tani për të gjetur të mbijetuar.

Qeveria e Hong Kongut ka ngritur një numër tendash dhe qendrash mbështetjeje në Tai Po, për të ofruar shërbime si subvencione në para dhe ndihmë për strehim për ata që janë prekur.

Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) i Hong-Kongut ka njoftuar se do të nisë hetim penal mbi punimet e rinovimit në kompleksin e banesave Wang Fuk Court.

Nëpërmjet një deklarate, ky komision bëri të ditur se ka krijuar një grup pune të posaçëm për të kryer hetim të plotë mbi korrupsionin e mundshëm në lidhje me punimet e mëdha të rinovimit.

Wang Fuk Court ka qenë kompleks banesor për rreth 4.600 banorë.