Izraeli ka njoftuar fushatë të re ushtarake kundër Hamasit në Gazën qendrore, ku mjekët palestinezë thanë se dhjetëra njerëz ishin vrarë në sulmet ajrore, duke komplikuar bisedimet për të finalizuar marrëveshjen e armëpushimit, shkruan Reuters.
Të paktën 44 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake izraelite në zonat qendrore të Rripit të Gazës që nga e marta, thanë zyrtarët shëndetësorë.
“Zhurmat e bombardimeve nuk u ndalën gjatë gjithë natës”, ka thënë Aya, një grua e zhvendosur nga Deir Al-Balah.
Ushtria izraelite ka thënë se avionët goditën objektivat e luftëtarëve të Hamasit në Gazën qendrore, ndërsa forcat tokësore operuan në zonën Al-Burei - një nga vendbanimet për të zhvendosurit në Gaza.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka nisur nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Shkon në 70 numri i të vdekurve nga operacioni në Gazën qendrore
Numri i të vdekurve nga operacioni ushtarak izraelit në Gazën qendrore ka shkuar në 70, ka bërë të ditur organizata bamirëse “Medecins Sans Frontieres”, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Përveç viktimave, edhe 300 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, të cilët janë dërguar në një spital në Deir al-Balah që nga e marta.
Operacioni tokësor kundër Hamasit, sipas ushtrisë izraelite ka filluar në kampin e refugjatëve Bureij dhe në lindje të qytetit të Deir al-Balahut në Rripin e Gazës.
“Trupat e mbështetur nga sulmet ajrore po synonin terroristët dhe infrastrukturën terroriste mbi dhe nën tokë”, kanë thënë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një deklaratë.
Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh tha të mërkurën se grupi do të merret "seriozisht dhe pozitivisht" me një propozim të bazuar në përfundimin e luftës dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza.
Kryeministri i Izraelit ka këmbëngulur se nuk do të pajtohet me armëpushim të përhershëm përpara se Hamasi të mposhtet dhe pengjet që mban të lirohen. Dhe të mërkurën, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant deklaroi se "të gjitha negociatat me Hamasin do të zhvillohen nën zjarr".