Rreth 30 burra ukrainas kanë vdekur gjatë përpjekjeve për ta kaluar ilegalisht kufirin e Ukrainës, për të evituar pjesëmarrjen në luftën që ka nisur Rusia në vitin 2022, ka thënë një zëdhënës i Shërbimit Kufitar të Ukrainës për agjencinë e lajmeve Ukrinform.
“Disa i kanë humbur jetët e tyre derisa po përpiqeshin të kalonin një lumë malor ose duke përshkuar male", ka thënë zëdhënësi Andriy Demchenko, raporton Reuters.
"Në përgjithësi, që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, rreth 30 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin”, ka shtuar ai.
Me disa përjashtime, burrat ukrainas midis moshës 18 dhe 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga vendi pasi mund të mobilizohen për të luftuar, sipas ligjit ushtarak të Ukrainës.
Të hënën, Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare ka thënë në një deklaratë në mediat sociale se 24 burra kanë vdekur ndërsa përpiqeshin të kalonin vetëm lumin Tisa në kufirin e Ukrainës me Rumaninë.
Demchenko ka thënë se që nga fillimi i luftës rojet kufitare kanë zbuluar rreth 450 grupe kriminale që kanë tentuar të kontrabandojnë njerëz përtej kufirit.
"Përpjekjet për të kaluar ilegalisht kufirin ndodhin çdo ditë. Shumica e këtyre përpjekjeve janë jashtë pikave kufitare në kufirin me Moldavinë dhe Rumaninë. Numri më i madh me dokumente të falsifikuara është regjistruar në kufirin me Poloninë”, ka thënë ai.
Më herët në prill, Demchenko i ka thënë transmetuesit shtetëror të Ukrainës se mesatarisht rreth 10 burra ndalohen çdo ditë duke u përpjekur të largohen ilegalisht nga Ukraina.
Javën e kaluar, Ukraina pezulloi shërbimet konsullore për shtetasit meshkuj të moshës ushtarake deri më 18 maj, duke kritikuar ukrainasit jashtë vendit për të cilët tha se prisnin të merrnin ndihmë nga shteti pa e ndihmuar atë të luftonte për mbijetesë në luftën kundër Rusisë.
Në nëntor, BBC-ja ka thënë në një raport të bazuar në të dhënat e kalimeve të paligjshme të kufijve nga Rumania, Moldavia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia se gati 20,000 burra janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, për të shmangur luftën.