Këshilli i Sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet të enjten në mbrëmje për të diskutuar një mundësi për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gazë. Ky vendim mund të merret pavarësisht kundërshtimeve të forta brenda Izraelit, përfshirë edhe familjet e pengjeve që ndodhen ende në duart e Hamasit.
Takimi zhvillohet në ditën kur të paktën 29 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në pjesën jugore të Gazës, sipas spitaleve lokale, raporton AP.
Zyrtarë të spitalit “Nasser” në qytetin jugor Khan Younisit bënë të ditur se 12 nga viktimat ishin njerëz që po përpiqeshin të merrnin ndihma pranë një pike shpërndarjeje e menaxhuar nga një kontraktues privat i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Sipas spitalit, të paktën 50 persona të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre nga armë zjarri.
As Fondacioni Humanitar i Gazës dhe as ushtria izraelite, e cila ndihmon në sigurimin e këtyre pikave të ndihmave, nuk kanë komentuar menjëherë për këto sulme apo të shtëna.
Ushtria izraelite ka akuzuar vazhdimisht grupin e armatosur palestinez se po operon në zona të mbipopulluara me civilë. Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen 251 të tjerë gjatë sulmit më 7 tetor 2023, ngjarje që ndezi luftën. Aktualisht, ata mbajnë ende peng 50 persona, nga të cilët mendohet se rreth 20 janë ende gjallë. Shumica e të tjerëve janë liruar gjatë armëpushimeve ose marrëveshjeve të ndryshme.
Si përgjigje, ofensiva ushtarake e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e mbi 61.000 palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.