“Betimi për Drejtësi” sjell hulumtimin se si gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Artan Serjani, ka ndërtuar villë në fshatin piktoresk të Streckës me leje ndërtimore për “objekt bujqësor”.
Objekti i ndërtuar në tokë bujqësore në fshatin Sredskë, pronë e gjykatësit Artan Sejranit, paraqitet si villë, por leja ndërtimore është dhënë vetëm për një objekt bujqësor.
Ky objekt është villë apo shtëpi banimi.
Është ndërtuar në tokë bujqësore në fshatin Sredskë, që gjendet rreth 20 minuta larg Prizrenit në drejtim të Prevallës.
Objekti që shihet se është villë, është në pronësi të Artan Sejranit, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prizren.
Por, leja në fakt nuk është për villë.
Leja ndërtimore e lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit që mbanë datën 17 nëntor 2023, rezulton të jetë lëshuar për objekt bujqësor, ashtu siç edhe kishte kërkuar vetë Sejrani.
“Mormorina: Kërkesa është bërë në vitin 2023, ndërsa leja është lëshu në nëntor të 2023-shit. Kërkesa është bërë për ndërtimin e një objekti bujqësor.
Gazetarja: Dhe duke u bazuar në kushtet ndërtimore është lëshuar poashtu leja për objekt bujqësor, apo jo?
Mormorina: Për objekt bujqësor po”, ka thënë zyrtarja e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Afërdita Mormorina.
Leja është lëshuar për ndërtimin e përdheses dhe një kati.
Sipërfaqja ndërtuese e dy kateve është 117 metra katror.
Por, se qëllimi i ndërtimit nuk ishte për objekt bujqësor por për villë, e tregon dhe një argument tjetër.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar projektin e deponuar nga Sejrani në Drejtorin e Urbanizmit.
Bazuar në dokument, projekti rezulton të jetë ndryshe nga ai që në fakt është realizuar në terren.
Projekti i deponuar mbi bazën e së cilit edhe është lëshuar leja ndërtimore, rezulton t’i ngjajë një objekti bujqësorë.
Ndërsa, gjendja faktike në terren e tregon të kundërtën, objekti rezulton të jetë villë banimi.
Nga pamja e dy mureve të jashtme të objektit shihet se në total janë ndryshuar gjithsej 8 detaje.
Në hyrje të objektit, anash derës hyrëse është shtuar një dritare, si dhe në katin e dytë dritarja del të jetë me dimensione më të mëdha sesa në projekt.
Ndërsa, në murin tjetër rezulton të jetë ndryshimet më të mëdha.
Në katin e parë dy xhamat janë bashkuar dhe janë vendosur deri në tokë, duke i ofruar dhomës së qëndrimit ditor një pamje më të madhe në drejtim të malit.
Ndërsa në katin e dytë janë shtuar dy xhama të vegjël, xhami i dhomës është vendosur deri në tokë, si dhe është hequr kulmi dhe vendosur ballkoni.
Ndërsa, nga jashtë shihet se kati i parë është mobiluar me një ambient qëndrimi ditor.
Kësisoj, me këto ndryshime, Sejrani prakitikisht e ka kaluar objektin bujqësor në villë banimi.
Gjykatësi Serjani mohon të ketë ndërtuar villë: “Pse s’i këqyrni shpijat e të fortëve..”
Në tentim për të marrë një qëndrim nga Sejrani, të hënën e 8 korrikut, ai akuzon mediumin për qasje tendencioze.
Në anën tjetër, ai ka kërkuar që mediumi të merret siç i referohet ai “me të fortit”, por pa treguar se kush janë të fortit për të.
“Gazetarja: Mirëmëngjesi zotëri Sejrani.
Sejrani: A ka naj tendencë tjetër a jo, se ju veç me tendenca jeni?
Gazetarja: A mundesh të lutëm me më tregu qysh keni marrë leje ndërtimore për bo objekt bujqësor edhe e keni bë villë?
Sejrani: Krejt çdo sen është me blloka, me leje, çdo sen.
Sejrani: Pse si kqyrni shpijat e të fortëve, po?
Gazetarja: Po ju a jeni i fortë që e keni shfrytëzu pozitën e gjyqtarit?
Sejrani: So villë ajo. Jo, kurrë në jetë.
Sejrani ka mohuar të ketë ndërtuar shtëpi banimi.
Mirëpo, pasi u ballafaqua me faktin se nuk e ka ekzekutuar projektin sipas së cilit i ishte lëshuar leja ndërtimore, si dhe e kishte mobiluar me ambient shtëpie, ai zgjodhi heshtjen përball tyre.
“Gazetarja: Është e mobiluar brenda në formë të villës dhe poashtu objekti nuk është në bazë të projektit me të cilin keni apliku.
Sejrani: Heshtje.”
Banorët të pyetur rreth ndërtimit të objektit, fillimisht hezitonin të ndajnë informacione se e kujt është.
Më pas, duke ju referuar si villë ata e pranojnë se e dinë të jetë e gjykatësit Sejrani.
“Gazetarja: Qekjo villa poshtë e kujt oshtë tu u bo bre se dashta me hi me kqyr?
Banori: Qekjo poshtë?
Gazetarja: Qëkjo poshtë meniher që ish tu u bo e reja?
Banori: Nuk e di.
Banori: Baca S***, cka bone a je lodh çka i ki punët? Hiç valla që sot edhe unë dola naltë, një shok tu ma qit ujin. Po kanë ardh do njerëz këtu po po vesin për qatë villën që oshtë përfuni teje që oshtë tu u ndreq, e kujna oshtë. A po e dish e kujna oshtë? Qajo villa që oshtë e kujna oshtë e Artani a oshtë, thanë po ju pëlqen plani”.
Tutje banori thotë edhe vetë të ketë ndërtuar pa leje, pasi në atë pjesë nuk u lejohet ndërtimi i villave.
Kësisoj veprimet e gjykatësit Sejranit janë barazuar me ato të një qytetari të zakonshëm.
“Banori: Unë e kom bo planin kështu në mënyrë të rregullt me bo, unë kom pas të drejtë poskom pas mjaftueshëm me bo, duhet me i pas 5 ari vend për me rregullu.
Gazetarja: E tani ta kanë refuzu krejt a
Banori: Jo tani unë e kom ndreq në të zezën”.
Lista poseduese e pronës tregon se gjykatësi Sejrani këtë parcelë prej afër 5 ari e ka blerë në vitin 2020, dhe lloji i shfrytëzimit është për qëllime bujqësore.
Kësisoj, nuk lejohet lëshimi i lejeve ndërtimore për banim.
Mirëpo edhe përkundër kësaj situate, gjykatësi Sejrani përkundër se është i thirrur për zbatimin e ligjit, e ka shkelur vetë atë.
“Gazetarja: Në përgjithësi nëse dikush dëshiron të ndërtoj në këtë rast le të themi unë dëshiroj të ndërtoj një villë banimi në një tokë që rezulton të jetë bujqësore, a më lejohet me Ligjin për Ndërtim dhe me Hartën Zonale të Prizrenit që ta ndërtoj në tokë bujqësore, cka mund të ndërtohet në një tokë bujqësore?
Mormorina: Na nisemi prej asaj duke u bazuar në Hartën Zonale, në hartë zonale cka ipet qat desnimin na e japim dhe mundësojmë.
Gazetarja: Në tokë bujqësore çka mund të ndërtohet?
Mormorina: Objekt bujqësor.
Gazetarja: Villë banimi a lejohet?
Mormorina: Jo, normal që jo”, ka sqaruar zyrtarja e Urbanizmit, Afërdita Mormorina.
Megjithatë kjo praktikë nuk është e pazakontë në Prizren.
“Betimi për Drejtësi” në qershor të 2024-ës ka transmetuar hulumtimin e si në tokë bujqësore ishte marrë leja për ndërtimin e një ferme për kalërim, e që në realitet po bëhej motel.
Ndërtimi ishte bërë në sy të inspektorëve të ndërtimit.
Vetëm pas shumë raportimeve nga “Betimi për Drejtësi” inspektorati i kishte ndaluar punën investitorit, dhe për rrjedhojë kishte marrë aktvendim për rrënimin e tejkalimeve të lejes ndërtimore.
Mirëpo, as vendimi nuk ishte zbatuar plotësisht në ditën kur inspektorët dolën për ta rrënuar.
Ky veprim pas raportimit nga “Betimi për Drejtësi” qoi prapa grilave inspektorin përgjegjës Bashkim Krasniqi.
Inspektori i ndërtimin nuk evidentoi ndryshimet e dritareve, ballkonit e çative në villën e gjykatësit Serjani
Për koincidencë, emri i Bashkim Krasniqi, rezulton të ketë qenë edhe si inspektor përgjegjës tek villa e gjykatësi Sejrani.
Bazuar në dosjen e Inspektoratit, Krasniqi kishte inspektuar bashkë me dy inspektorë të tjerë villën e Sejranit më 8 prill 2024.
Bazuar në raportin e protokolluar, Sejrani kishte qenë duke zbatuar lejen ndërtimore.
“Krasniqi: Unë e di që kur u kanë tu punu atëher i ka pas krejt në rregullm, me pika me matje gjeodezike sipas projektit të gjitha i ka pas në rregull. Mandej prej tetorit e dini që unë vec jam i largum, kështu që nuk e di ma tepër cka ka bë
Gazetarja: Po thu që në tetor u kanë në rregull a?
Krasniqi: Po për Zotin”
“Betimi për Drejtësi” e ka monitoruar procesin e ndërtimit për më shumë se një vit, më saktë që nga muaji prill i vitit 2024.
Dhe bazuar në fotografit dhe videot e realizuara në terren në muajt maj dhe qershor, rezulton se projekti nuk po ekzekutohej sipas planit mbi bazën e së cilit i ishte lëshuar leja ndërtimore, përsa i përket murosjes së dritareve, të cilat në praktikë, rezultojnë si të një ville banimi, ndryshe nga objekti bujqësor.
Në këtë video të 27 qershorit të vitit 2024, shihet se villës i ishin vendosur dritare e ballkoni në pjesën nga rruga, njësoj sikurse është gjendja aktualisht.
Mirëpo, inspektori Krasniqi shprehet i bindur se deri në inspektimin e fundit, ndërtimi ka qenë sipas lejes, ani se provat flasin se dritaret ishin lënë ndryshe nga leja e ndërtimit.
“Gazetarja: Se në do fotografi që i kom pas unë ai xhamat nuk është që i ka ndryshu, i ka vendos deri në tokë, të paktën ajo pllaka e betonit është vendos asisoji që me u vendos xhami qysh është tash, se tash objekti nuk është sipas lejës ndërtimore.
Krasniqi: Qetash noshta mundet me pas ndryshim.
Gazetarja: Po flas para tetorit, tash një vjet.
Krasniqi: Urdhno?
Gazetarja: Po flas para tetorit.
Krasniqi: Jo para tetorit është qysh është në projekt, qysh ka qenë në projekt, edhe milimetrin e kemi mat, edhe dy herë ia kom lyp matjen gjeodezike, dy dhere ia kom lyp, dy herë ma ka pru matjen gjeodezike me pika të sakta, vetëm nëse gjeodeti ka bë naj shkelje ajoështë tjetër muhabet.
Gazetarja: E kur je kanë zotëri Bashkim në inspektim a e ke pa nëse ka naj ndryshim të dritareve, nëse është vendos që dritarja mos me u vendos e vogël qysh është në projekt, pro me u vendos deri në tokë. Për shkak se e kom pa që disa xhama janë ndryshu dhe qajo e ka ndryshu konstruktin krejt.
Krasniqi: Mundet me u ndryshu dera dritarja a po kupton, mirëpo na në fillim e kqyrim dimensuionet a oshtë i vendosur objekti aty ku duhet kjo ma së tepërmi na intereson, se ai mundet dritaret dyrt me i ndryshu cdo moment.
Gazetarja: Jo, po them që ai nuk e ka bë sipas projektit dhe rrejshimisht, dhe ka shtu xhama, i ka ndryshu xhmat i ka shku deri në tokë, i ka heq kulmet ka bë ballkon.
Krasniqi: Noshta tash mundet ckado me bo, kur ka qet fasadën i bon ndryshimet, po deri në atë moment po të garantoj me jetë tem që ka qenë në rregull.
Gazetarja: Se unë i kom do pamje zotëri bashkim që jon bo në maj qershor 2024, që tregojnë që është vendos betoni që vendsoet aty ku vendosen xhamat, është vendos deri në tokë nuk është sipas projektit, pra e lë përshtypjen që ko me u ndryshu, jon hapëisrat ku kanë me u shtu xhamat e vegjël që realisht nuk aknë qenë në projekt.
Krasniqi: Cka me të thanëm prej tetorit nuk jam aty, asnjëherë në zyre nuk jom kanë.
Gazetarja: Jo, po flas para tetorit.
Krasniqi: Para tetori të garantoj unë që krejt ka qenë në rregull, po të garantoj me jetë teme”.
Drejtori i Inspektorateve, Islam Ukimeri, përkundër se menaxhon punën e inspektorëve thotë të mos ketë pasur dijeni se ka pasur mosrespektim të lejes ndërtimore.
“Ukimeri: Realisht për këtë punë janë inspektorët e terrenit, unë kur të ka vetëm naj problem e lypi landën edhe informona, se përderisa inspektorët e terrenit janë në terren dhe bëjnë identifikimin qoftëse është me leje pa leje, e nëse del naj telashe mandej interesona pak ma tepër.
Gazetarja: A jeni informu prej najkujt që në fakt Bashkimi nuk është duke e raportu që është ..
Ukimeri: Nuk informona unë për punën e destinimit, unë informona a është duke e respektu lejën e ndërtimit, etazhitetin edhe pse..
Gazetarja: Po, po nuk e ka respektu për qeta po pys.
Ukimeri: Po tash e kom kuptu që nuk e ka respektu, nuk jom kanë i informum unë.
Por, kur “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar që bashkë me procesverbalin të përcjellën dhe fotografit nga vendi i ngjarjes, Drejtoria e Inspektorave nuk i ka dërguar ato, apo treguar nëse në realitet ekzistojnë.
Ndërsa, zëdhënësi për media, Ymer Berisha, ka thënë se nuk ka fotografi nga inspektorati.
Kësisoj duke hedhur dyshime nëse qëllimisht nuk janë realizuar fotografit, të cilat do ta argumentonin të kundërtën e asaj që thuhej në raportin e inspektimit.
Ukimeri thotë se inspektorët nuk janë të obliguar që në çdo inspektim që bëjnë procesverbal të realizojnë dhe fotografi në terren.
“Ukimeri: Jo çdo here kur të nisin dhe para përfundimit, kur të bëhet procesi konstatohet a është duke u respektu, a nëse ka ndonjë dyshim të gabaritit apo etazhiteti fotografohet për shkak se u ndryshu gjendja dhe po zhvillohen procedurat.
Gazetarja: Okej, sepse në raportin të cilin e ka bë Bashkimi inspektori në muajin gusht thotë se objektin është sipas lejes ndërtimore, pavarësisht se në disa fotografi që na i kemi realizu në qershor të vitit të kalum shihet qartë që objekti nuk është sipas lejes ndërtimore. Për këtë po pyes a janë të obligum ata që me i bo çdo herë fotografit në mënyrë që fotografia me argumentu ata që po thuhet ne raport, dhe mos me pas përshkrim të gabum të gjendjes faktike?
Ukimeri: Të them të drejtën për këtë nuk po mundem me të dhanë përgjigje sepse nuk po e di a është i obligum. Këtë rast spo di çfarë përgjigje me të dhanë.
Megjithëse gjykatës Sejrani ka përfunduar ndërtimin e vrazhdë të villës, si dhe nga pamjet shihet që dhoma e ndjenjës të jetë e mobiluar bashkë me kuzhinën, nuk ka aplikuar në komunë për ndryshim të destinimit të objektit e as për tu pajisur me pranim teknik.
“Gazetarja: Duke qenë se ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë prej momentit kur është pajisur me leje ndërtimore e deri tani, a ka paraqitur zotëri Sejrani kërkesë për ta ndryshuar destinimin e objektit?
Mormorina: Jo nuk kemi kërkesë për ndryshimin e destinimit të objektit.
Gazetarja: Ndërsa i njëjti a ka paraqitur edhe kërkesë ëpr të marrë certfikatën për përdorim të objektit?Mormorina: Jo, jo”.
“Inspektori, si secili zyrtar qe ushtron funksione publike duhet te sigurohet se autorizimet ligjore ushtron ne mënyrë të drejtë sipas ligjit, procedurës dhe kushteve te përcaktuara. Nëse rezulton se në këtë rast është vepruar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit, atëherë kemi të bëjmë me veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”. Sipas kodit penal, këtu dënohen edhe veprimet e personit përgjegjës gjatë mbikëqyrjes edhe ato të kryerësit të ndërtimit apo të punëve ndërtimore. Specifikisht, kodi penal përcakton se personi përgjegjës i cili me rastin e projektimit, mbikëqyrjes apo kryerjes së ndonjë ndërtimi apo të punëve ndërtimore ose përfundimit të punëve ndërtimore, vepron në shkelje të ligjit apo në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara ose në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit ose çertifikatës së përdorimit mund te perfshihet ne shkelje te ligjit penal”, sqaron nga Zamira Krasniqi, hulumtuese ligjore në IKD.
Gjykatësi dhe vëllai i tij doganier nuk deklarojnë të hyra nga qiraja, menaxherja thotë se pronarët janë ata
Por, problemet me deklarimin e Sejranit nuk përfundojnë vetëm me mos deklarimin e villës së banimit në fshatin piktoresk të Sredskës.
Në shtëpinë në të cilën ai banon në lagjen e njohur si Tusuz, që gjendet pak metra larg Spitalit Rajonal të Prizrenit, e ka të vendosur një biznes, rrjet i marketeve në vend.
Marketi është i vendosur në katin e parë, ndërsa mbi të janë dy kate banim, të Sejranit dhe vëllait të tij Mehmet Sejrani, i cili punon oficer i lartë doganor.
Të hyrat nga qeraja e këtij biznesi nuk figurojnë në deklarimin e pasurisë tek asnjëri.
Gjykatësi Sejrani këtë të hyrë e kishte deklaruar si të hyrë familjare nga babai i tij në vitin 2022.
Raporti i pasurisë i Artan Sejranit i vitit 2023 nuk qe i qasshëm, derisa në vitin 2024 dhe 2025 nuk deklaron si e hyrë e tij personale apo e familjes.
Në anën tjetër në raportet e vëllait të tij, Mehmetit, nuk del se e ka të raportuar si të hyrë vjetore në asnjë nga vitet 2023, 2024 dhe 2025.
Mirëpo, tek viti 2025 kur i ka arsyetuar kursimet në vlerë prej 14 mijë euro, e ka shkruar nga paga dhe qiraja.
Por, se ata janë qiradhënësit, e tregon menaxherja e marketit.
“Gazetarja: A je lodh? A mos oshtë menaxhieria qajo?
Punëtorja: Po.
Gazetarja: Mirëdita, a je lodh? Një pyetje më fal kush jon proarët e lokalit se mu dashtë me fol me ta?
Menaxheria: Lokalit a, të *** a,
Gazetarja: po të ***
Menaxheria: Të **janë ata në Prishtinë, në Lipjan.
Gazetarja: Jo po mendoj qëtu ky e keni?
Menaxheria: Qiraxhia?
Gazetarja: Po.
Menaxheria: Qe qetu menjëherë është hymja.
Gazetarja: Qysh e kanë emrin?
Menaxheria: Artan edhe Mehmet, dy vllazën janë.
Gazetarja: Këta janë pronarët e lokalit a?
Menaxheria: Po”.
Doganieri Serjani pranon se merr të hyra nga qeraja, ani se nuk i ka deklaruar
I kontaktuar oficeri i lartë doganor, vëllai i gjykatësit Sejranit, Mehmeti ka thënë se nuk e fsheh se pranon të hyra nga qeraja, duke insistuar se i ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Sejrani: Çka po të intereson kur e kom deklaru unë ata në anti korrupsion dhe pasurin tem krejt, ti e ki, unë i marrë në bankë paret, qysh si kom deklaru.
Gazetarja: Po në deklarimin e vitit 2025 tek te hyrat vjetore, që i deklaroni të hyrat e doganës, të hyrat e fëmijeve e të tjerë, nuk është qeraja e Viva freshit?
Sejrani: Qysh moj nuk është, a i marrë unë ato pare asi tatimin e paguj për to, qysh si marrë ato paret?
Gazetarja: Po a e keni shkrujt ju se nuk po e shoh tek deklarimi as vitin 2024, as 2025 as 2023?
Sejrani: Kush je ti vec kallxom njëherë?
Gazetarja: Jom Alberta Hashani, gazetare prej “Betimit për Drejtësi”.
Sejrani: Ani ti gazetare me u marrë me senet e mija personale që i kom këto në antikorrupsion.
Gazetarja: Jo, ju jeni zyrtar publik dhe unë vetëm deshta me e ditë për shkak që ..
Sejrani: Zyrtar publik po ajo është sen privat e jemja, mu kur më ka dek baba unë i kom qit ato paret, qysh si kom qit, a i marrë ato parët a mi bijnë alkaida mu a? Në banka të kosovës i marrë parat”.
Por, kur gazetarja ka kërkuar që të shikohen bashkarisht raportet e deklarimit të pasurisë, doganieri Sejrani ka thënë se i deklaron në doganë si dhe ka kërkuar që të mos shqetësohet dhe telefonohet më.
“Gazetarja: A mundeni me hap ëse ju deklarimin e pasurisë për 2025, 2024 dhe 2023 që është publik në agjencim dhe me rishiku edhe njëherë ëse ju po e gjeni se une nuk po e shoh?
Serjani: Unë i deklarojë tek dogana e Kosovës ty sjom i obligum me ti deklaru hic.
Mirëpo, këtë e ka mohuar Dogana e Kosovës
Dogana përmes një përgjigje me shkrim kanë treguar se “nga të dhënat e administruara në ju njoftojmë se nuk kemi pranuar ndonjë deklarim nga zyrtari i theksuar nga ju lidhur me të hyrat nga qiraja, për periudhën nga viti 2020 e deri më tani”.
“Çdo zyrtar që është subjekt deklarues obligohet që të deklarojë pronësitë dhe bashkëpronësitë. Gjithashtu, e ka obligim edhe për deklarimin e të gjitha të hyrave personale, nga çfarëdo veprimtarie që sjellë të hyra personale neto. Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave përcakton se deklarimi i pasurisë duhet të përfshijë të hyrat personale neto për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjellë të hyra personale neto, përfshirë dhe pagesat për udhëtime jashtë vendit të ndara sipas udhëtimeve, si dhe pagesa apo shtesa të tjera të detajuara për pjesëmarrje në, komisione dhe grupe të tjera të ngjashme. Madje, të hyrat për secilin angazhim duhet të deklarohen të ndara. Andaj, në rast se deklarimi nuk përfshinë të hyrat e cilitdo zyrtar që është pozitë deklaruese, ashtu siç e përcakton ligji, mund të ketë deklarim të rrem të pasurisë. Sidoqoftë, është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si autoritet kompetent për të verifikuar dhe vlerësuar”, thotë Zamira Krasniqi, hulumtuese ligjore në IKD.
Historia nuk përfundon këtu.
Inspektorati nuk ushtroi kallëzim penal për ndërtim pa leje në shtëpinë e gjykatësit Sejrani
Familja Sejrani ishte amnistuar kur kjo shtëpi kishte qenë duke u ndërtuar në vitet 2019 dhe 2020.
Më 8 mars 2019, babi i dy zyrtarëve shtetëror, si pronar i shtëpisë, rezulton se ishte pajisur me leje ndërtimore për ndërtimin e kësaj shtëpie.
Mirëpo, leja nuk ishte respektuar.
Për këtë punimet fillimisht i ishin ndaluar më 6 qershor 2019.
Ndërsa më 7 qershori ishte marrë edhe aktvendim për ndërprerje të punimeve dhe ai ishte udhëzuar që të pajisjet me leje ndërtimore për tejkalimet.
Mirëpo aktvendimi i inspektorit nuk ishte respektuar.
Më 13 qershor inspektori kishte hasur sërish në vazhdim të punimeve, për çka i ishin vendosur shiritat.
Inspektori përgjegjës në atë kohë, Enver Bytyqi, thotë se vetëm një javë pas vendosjes së shiritave ishte suspenduar nga puna, andaj nuk e di nëse ndaj tyre është iniciuar procedurë, duke lënë përgjegjësinë në dorë të dy inspektorëve që kishin trajtuar lëndë.
“Bytyqi: Në atë kohë unë jam suspendu dhe kanë vazhdu koelgët, fillimisht Egzona, e prej Egzonës ka vazhdu Jetmirja”.
Më pas, më 1 korrik 2019 ishin pajisur me lejen e dytë për të legalizuar tejkalimet e lejes ndërtimore të parë.
Mirëpo, edhe kësaj radhe kishin vazhduar shkeljet.
Më 11 korrik 2019, inspektoriati kishte hasur sërish në tejkalime për çka ishin vendosur shiritat dhe ndaluar punimet.
“Inspektori i ndërtimit ka konstatuar këtë gjendje: se në bazë të kontrollimit të dokumentacionit të lëjës së pjësës së parë të objektit B+P+1+NK nr./ lejës 04-351/02-30717 të datës 08.05.2019, konstatuam se pjesa e përparme në katin e parë ka ndryshuar nga projekti zyrtar i vulosur si dhe tek pjesa e pasme.
Në objekt janë vendosur shiritat për ndalim punimesh si dhe janë larguar punëtorët”, thuhet në raportin e inspektimit të datës 11 korrik 2019.
Mirëpo, pas këtij procesverbali inspektorja që kishte marrë në kompetëncë lëndën, Egzona Morina Thaqi nuk kishte dalë më në vend ngjarje për të konstatuar nëse familja Sejrani ka hequr shiritat apo kthyer objektin në gjendjen sipas projektit mbi bazën e së cilit ishte pajisur me leje ndërtimore.
Mirëpo, për mos inspektimin më të shtëpisë së familjes Sejrani, ajo thotë se ka ndodhur për shkak se më 15 korrik 2019 lagjja ka kaluar në kompetencë të kolegës tjetër, Jetmira Vrenezi.
“Kur ka shku Enveri në suspendim për nuk e di as vetë për cka ka shku, më 15 korrik më është marrë tereni prej kolegës në fjalë, pse ska marrë masa ajo nuk e di cka ka ndodh. Deri më 15 korrik 2019 kom pas kompetenca për landën në fjalë por thjeshtë si bartëse për 2 3 ditë derisa të zgjidhet situata mes kolegëve tonë mes vete se skishim staf”.
Objekti ishte inspektuar tek vetëm pas pesë muajsh, në muajin dhjetor.
Për me tepër inspektimi i muajit dhjetor ishte bërë vetëm pas ankesave të qytetarëve.
Edhe në këtë inspektim familjes Sejrani i ishin vendosur shiritat.
Mirëpo, inspektorja përgjegjëse Jetmire Vrenezi, nuk e kishte përfillur raportin parapark.
Kësisoj, kishte amnistuar familjen Sejrani, duke mos i bërë kallëzim penal, meqë të njëjtit i kishin dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhduar punimet, derisa nuk ekziston në dosjen ndonjë vendim nëse të njëjtit ishin larguar me vendim të komunës.
E kontaktuar Vrenezi, ka thënë se nuk i kujtohet rasti.
Për këtë, asaj i është ofruar edhe dosja e plotë e Drejtorisë së Inspektorateve.
Mirëpo, nuk është përgjigjur më.
“Vrenezi: Vallai ta them të drejtën nuk është që më kujtohet.
Gazetarja: Po ta rikujtoj ju me 24 dhjetor të vitit 2019 ju e keni marrë një aktvendim për ndalim të punimeve për shkak të tejkalimit të lejës ndërtimore edhe i keni vendos shiritat, mirëpo deshta me ditë pse nuk ekni shku më me konstatu nëse i njëjti e ka eleminu tejkalimin e lejës ndërtimore, apo cka ka ndodh tutje, për shkak se veprimi i fundit del se është marrë një ana juaj dhe nuk ka më veprim tjetër.
Vrenezi: A bën kështu që po mendoj me shku një ditë me pa landën se me të vertët spo me kujtohet.
Gazetarja: Unë i kom marrë dokumentet zyrtarisht mundem me ua dërgu dosjen.
Vrenezi: Aha.
Mirëpo, inspektorati i Prizrenit përkundër vendosjes së shiritave për tre here, u tregua i pafuqishëm për të ndaluar familjen Sejrani.
Pas vendosjes së shiritave për të tretën herë në muajin dhjetor 2019, u dorëzuan duke hequr nga llupa e tyre shkeljet që po bëheshin në shtëpinë e familjes së Artan Sejranit dhe doganierit Mehmet Sejrani, të cilët tashmë veçse kanë trashëguar pronën.
Sejrani ka vetëm një përgjigje kur pyetet për amnistimet ligjore
Gjykatësi Sejrani ka refuzuar të jap përgjigje nëse punimet e shtëpisë kanë vazhduar duke shkelur lejen ndërtimore.
Përkundër argumenteve, Sejrani ka vetëm një përgjigje.
“Sejrani: Veç largonu.
Gazetarja: Në shtëpinë tuaj meqë ka pas tejkalim të lejës ndërtimore, a e keni kthy sipas lejes ndërtimore me të cilën e keni marrë në komunë?
Sejrani: Ju veç me tendenca e keni, dhe ju lutem largohuni.
Gazetarja: Pse inspektorët nuk kanë ardh më me inspektu shtëpine e juaj pas aktvendimit për me i ndalë punimet?
Sejrani: Heshtje.”