Basketboll

Vëllaznimi ia shkakton Bashkimit disfatën e parë të sezonit

Vëllaznimi

Nisja e përkryer e Bashkimit në elitën e basketbollit kosovar në këtë edicion është ndalur të enjten në mbrëmje nga Vëllaznimi. 

Skuadra gjakovare e ka mposhtur atë prizrenase në udhëtim. 

Ndeshja e xhiros së tetë, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ndonëse Bashkimi ishte vendës, përfundoi me rezultatin 74:70 në të mirë të Vëllaznimit. 

Vëllaznimi, ishte i fundit në tabelë, tani ka dy fitore e gjashtë disfata. 

Nënkampioni i Kosovës ka shtatë fitore dhe një humbje. 

Te Vëllaznimi në krye të skuadrës debutoi trajneri Rajko Krivokapiq. Dhe debutimi ishte i suksesshëm. 

Dallimi në rezultat u bë në çerekun e dytë, të cilin Vëllaznimi e fitoi 26:16. Periudha e parë u mbyll baras, 15:15. 

Bashkimi u kundërpërgjigj pas pushimit duke e fituar periudhën e tretë, 23:17, ndërsa dhjetëminutëshi i fundit u mbyll 16:16. 

Vëllaznimi iu gëzua fitores me katër pikë dallim falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Jericole Hellems, i cili regjistroi dyshifror të dyfishtë prej 22 pikëve e dhjetë kërcimeve. Ai i shtoi edhe dy asistime e një top të vjedhur. 

Pikë dyshifrore te Vëllaznimi patën edhe Marques Warrick dhe Ziggy Reid, që shënuan nga 13 pikë. 

Kapiteni Valon Bunjaku ishte më i miri te Bashkimi me 16 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 

Në xhiron e nëntë, Bashkimi luan në udhëtim te Rahoveci 029, kurse Vëllaznimi luan te Trepça në palestrën “Minatori”.