Basketboll

Henry i KB Trepçës, më i miri i xhiros

Seketoure Henry

Seketoure Henry para dy javësh iu bashkua kampiones në fuqi, Trepçës. 

Të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” e pati ndeshjen debutuese ndaj GO+ Pejës. Dhe një ditë më pas, e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll. 

Amerikani Henry i pati statistikat më të mira te Trepça në fitoren 82:67 ndaj skuadrës pejane. 

Ai e mbylli ndeshjen me 23 pikë, katër kërcime e po aq asistime. 

Henry ishte edhe në pesëshen më të mirë të xhiros, të publikuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Përveç tij, në pesëshen më të mirë ishte edhe bashkëlojtari Chad Broën, Jericole Hellems i Vëllaznimit, Joseph Reece i Golden Eagle Yllit dhe Adem Mekiq i Borës. 

Çiftet e xhiros së nëntë janë Rahoveci 029 – Bashkimi, Bora – Sigal Prishtina, Trepça – Vëllaznimi dhe Golden Eagle Ylli – GO+ Peja.