Basketboll

Ndeshje dramatike në Gjakovë, Hellems shënon “me sirenë” për fitoren e Vëllaznimit

Vellaznimi

Vëllaznimi e ka fituar ndeshjen shumë dramatike me Trepçën. Të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi fitoi me rezultatin 85:83.

Jericole Hellems, i kthyer pak kohë më parë te Vëllaznimi, i shënoi pikët e fitores në sekondën e fundit. Në fakt është dashur që arbitrat të shikojnë videoincizimin për të konfirmuar që pikët e Hellemsit për fitoren 85:83 u shënuan në kohë. Amerikani e lëshoi topin nga dora pak para sirenës së fundit.

Si shumë ndeshje të Superligës, ajo e së dielës pati fund interesant. Pas çerekut të tretë Trepça ishte në epërsi prej plot 12 pikëve, 71:59.

Në çerekun e katërt, pas epërsisë së “xehetarëve” prej 73:62, gjakovarët realizuan seri 8:0 dhe u afruan në 73:70.

3:50 minuta para fundit, Mikaile Tmushiq shënoi për 76:70 në të mirë të Trepçës. Vëllaznimi u afrua në 76:73 me trepikëshin e Marques Warrick, tre minuta para fundit. I njëjti lojtar shënoi treshe tjetër për 76:76, 2:23 minuta pa mbaruar ndeshja.

Në anën tjetër të fushës Dardan Kapiti shënoi një gjuajtje të lirë për 77:76. Dhe Warrick shënoi treshe tjetër për 79:77 në të mirë të gjakovarëve. Ja’cori Payne barazoi në 79:79, 1:20 minuta deri në fund. Vëllaznimi kaloi në epërsi 81:79 dhe 83:81, kurse Trepça barazoi. Dardan Kapiti barazoi për 83:83, 12 sekonda para fundit. Hellems mori përgjegjësinë për aksionin e fundit. Përkundër mbrojtjes së fortë të mitrovicasve, ai depërtoi deri në afërsi të koshit dhe gjuajti me kohë për festën e madhe të gjakovarëve.

Marques Warrick i kishte statistikat më të mira te Vëllaznimi me 28 pikë, dy kërcime e dy asistime. Hellems e përfundoi ndeshjen me 24 pikë e tetë kërcime. Ziggy Reid kontribuoi me 15 pikë e tetë kërcime.

Trepçës nuk i mjaftoi paraqitja e mirë e Drilon Hajrizit, që ndeshjen e përfundoi me 24 pikë e tri kërcime. Ja’cori Payne i kishte 15 pikë, shtatë asistime e pesë kërcime.

Vëllaznimi e fitoi çerekun e parë me rezultat 31:19, por Trepça u kthye në të dytin, të cilin e fitoi 33:15. Edhe çereku i tretë i takoi Trepçës, 19:13.

Trepça ishte vendase, por ndeshja u luajt në Gjakovë, pasi ndeshja e kaluar, në të cilën Vëllaznimi ishte vendas, ishte zhvilluar në Mitrovicë. Kjo u bë me marrëveshje të klubeve.

Vëllaznimi e shënoi fitoren e tretë gjithsej dhe të dytën rresht. Ka edhe gjashtë humbje në Superligë. Trepça ka pesë fitore e tri humbje. Ka një ndeshje më pak të luajtur.