Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë njoftuar të martën se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Vendimi, sipas ZRRE-së, u mor më 9 korrik, pas shqyrtimit të dy kërkesave të ndara të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe bashkërisht nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).
Kërkesat kishin synuar pezullimin e zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë, që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori. Mbi 1 mijë e 300 biznese janë detyruar të dalin në treg të hapur, duke zgjedhur vetë furnizuesin. ZRRE-ja për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues ka angazhuar KEK-un si furnizues fundor për një periudhë gjashtëmujore.
Sipas ZRRE-së, në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar përfitimet e liberalizimit, përfshirë nxitjen e konkurrencës mes furnizuesve, presionin për çmime më të ulëta dhe shërbime më cilësore, mundësinë për oferta më të favorshme për konsumatorët dhe rritjen e efikasitetit në sektorin energjetik.
“Gjykata ka vlerësuar se paditësit nuk kanë dëshmuar plotësimin e të dy kritereve që i përjashtojnë nga obligimi për të dalë në treg të lirë – më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro – duke konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.
ZRRE-ja ka rikujtuar se sipas nenit 3 pika 1.72 dhe nenit 37 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, “ndërmarrjet me më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal dhe duhet të furnizohen përmes tregut të lirë”.
Në fund, ZRRE-ja i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në treg të hapur, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar furnizim me energji nga furnizuesit e tregut të lirë, duke shfrytëzuar përfitimet e konkurrencës.
“ZRRE ka theksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, me qëllim krijimin e një tregu të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, vijon njoftimi.
E në një reagim, OEK-u ka paralajmëruar se me hapjen e zyrës së re ligjore po ndihmon bizneset që të përpilojnë padi në mënyrë individuale.
“Shoqata e Prodhuesve të Kosovës njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar masën e sigurisë për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive. Kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor. Ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Rafuna, për arsye të legjislacionit, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale”, thuhet në reagin.
OEK-u në fund bëri thirrje që ZRRE-ja ta pezullojë këtë vendim.
“Gjykata Komerciale ndërkohë ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve dhe biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së, prandaj si rrjedhojë Shoqata dhe bizneset e prekura do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale, të cilat po pranohen dhe trajtohen nga Gjykata. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje ZRrE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit”, vijon reagimi i OEK-ut.