“Të mendohet sot se mund të ndryshohet diçka në Kosovë pa kryeministrin, pa shumicën parlamentare e cila ekziston në Kosovë, mendoj që është joserioze. Është mirë që ata do të mblidhen të ofrojnë alternativa të reja, porse në koordinim me Qeverinë”, thotë Basri Muja, profesor i shkencave politike. E njohësi i çështjeve politike, Yll Hoxha, vlerëson se opozita nuk duhet të kalkulojë për zgjidhje, duke e dobësuar rolin e kryeministrit
Mobilizimi i paralajmëruar nga opozita për të ofruar një rrugë përpara për daljen e Kosovës nga situata aktuale, e krijuar pas kërcënimit ndërkombëtar me masa, shkaku i gjendjes në veri, nuk mund të bëhet pa një bashkërendimin me kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë të shtunën njohës të çështjeve politike.
Qëndrimi opozitar është shprehur një ditë pasi dy partitë kryesore, Partia Demokratike (PDK) dhe Lidhja Demokratike (LDK), kanë paralajmëruar mobilizime partiake e me akterë të tjerë, pa përfshirjen e Kurtit, të cilin e akuzuan se po e izolon Kosovën dhe po ia humbë përkrahjen ndërkombëtare.
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se mobilizimin do ta diskutojë në Këshillin drejtues të partisë, ndërsa ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të flasë me shoqërinë civile e me mediat.
Por Basri Muja, profesor i shkencave politike, thotë se zgjidhje për Kosovën nuk mund të ketë pa koordinimin e të gjithë spektrit politik dhe se bashkëpunimit duhet që t’i prijë Qeveria.
“Të mendohet sot se mund të ndryshohet diçka në Kosovë pa kryeministrin, pa shumicën parlamentare e cila ekziston në Kosovë, mendoj që është joserioze. Është mirë që ata do të mblidhen të ofrojnë alternativa të reja, porse në koordinim me Qeverinë”, thotë ai.
E njohësi i çështjeve politike, Yll Hoxha, vlerëson se opozita nuk duhet të kalkulojë për zgjidhje, duke e dobësuar rolin e kryeministrit.
“Cilado zgjidhje pa kryeministrin Kurti do të ishte zgjidhje jolegjitime. Do të duheshin zgjedhje të reja për të krijuar legjitimitet të ri. Brenda kësaj atmosfere është gati se e pamundur që të imagjinohet dobësimi i tillë i Kurtit, që të mos jetë pjesë e Qeverisë. Prandaj, nuk konsideroj që kjo është koha kur duhen bërë këto gjëra”, thotë Hoxha.
Në raport me Serbinë, Muja thekson se spektri politik nuk duhet që t’i bëjë opozitë Qeverisë.
“Nuk duhet të jenë opozitë e Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë. Sepse, paramendoni, Qeveria e Kosovës e ka përballë edhe Serbinë, e fatkeqësisht kohëve të fundit edhe bashkësinë evropiane, e cila qëndrimet e Serbisë i ka marrë dhe i ka akomoduar si të vetat dhe në anën tjetër edhe një opozitë tjetër, pra partitë opozitare, të cilat vetëm se mund t’ia dobësojnë pozitën Kosovës”, shprehet ai.
Ndërkaq, Hoxha sugjeron që opozita, mes alternativave dhe kërkesave që synon t’i sjellë, duhet ta kërkojë përfshirjen në dialogun me Serbinë.
“Nuk e konsideroj këtë moment politik si të favorshëm për opozitën për të ndërtuar çfarëdo lloj platforme sfiduese për Qeverinë në lidhje me veriun, në lidhje me negociatat. Përkundrazi, konsideroj se do të ishte parimore dhe strategjike që të konsideronin përfshirjen në proces negociator dhe kontributin në proces negociator në mënyrë që thjeshtë të mos krijojnë përçarje mbi çështje të cilat do të duhej të ishin interes i përbashkët interes nacional”, deklaroi ai.
Kritika për Qeverinë rreth mungesës së koordinimit me faktorin ndërkombëtar rreth veprimeve në veri kanë shprehur në vazhdimësi edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ky subjekt inicioi edhe mocion mosbesimi për Qeverinë, porse nuk e mori mbështetjen nga PDK-ja dhe LDK-ja. Javën e shkuar, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i akuzoi të dyja partitë për mospërkrahje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Por njohësi i çështjeve politike, Hoxha, shprehet se rrëzimi i Qeverisë dhe organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i shkonte në disfavor opozitës.
“Po, mund të krijohet shumica parlamentare për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Por do të kemi deja vu të Qeverisë Hoti, e cila zgjati shumë shkurt dhe krijoi energji të reja për pozitën e atëhershme”, thotë Hoxha.
Gjuha e opozitës ndaj Qeverisë është ashpërsuar, pas qëndrimeve kritike e paralajmërimeve të ndërkombëtarëve për sanksione ndaj Kosovës, për shkak të këmbënguljes së Qeverisë për të mos vepruar konform kërkesave të ndërkombëtarëve për veriun.
Që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale të katër komunave veriore. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Pas tensioneve, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ftuan për takim urgjent në Bruksel, por Vuçiqi refuzoi takim trepalësh. Të premten, në një samit të BE-së në Bruksel është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë “pasoja negative”.