Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të premten ka deklaruar nga Samiti i Komunitetit Politik që po mbahet në Tiranë se presidenti rus Vladimir Putin ka pasur frikë të përballet me të në bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës.
“E vlerësoj shumë faktin që e kuptoni njësoj situatën. Lufta kundër Rusisë duhet të përfundojë shumë shpejt. Ju të gjithë e dini këtë. Duhet të ndërmerren disa hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Zelensky.
Ai bëri të ditur se ka qenë i gatshëm për një takim me Putinin në Turqi, por pala ruse nuk ka pranuar asnjë kusht.
“Nëse Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi, isha i gatshëm për një takim me të për të mundur t’i zgjidhim çështjet e rëndësishme, por ai nuk ra dakord për asgjë,” u shpreh Zelensky, transmeton TCH.
Sipas tij, Rusia ka dërguar në bisedimet që po mbahen në Turqi delegacione me njerëz pa ndikim dhe pa autoritet vendimmarrës.
“Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime. Unë dërgova një ekip që udhëhiqej nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, për të pasur armëpushim të plotë. Rusia ka dërguar të njëjtët njerëz. Kanë bërë shumë deklarata dhe kërcënime që takimin e Stambollit ta kthejnë në një proces bosh”, citohet të ketë tutje presidenti ukrainas.
Zelensky akuzoi Moskën se po minon çdo përpjekje për paqe duke e cilësuar qasjen e saj si “teatër”.
“Nuk jemi ne apo Perëndimi që po i minojmë këto negociata, por janë rusët që kanë dërguar ‘kokëboshë’ në këto takime. Ajo që shikoj nga delegacioni rus është teatër,” përfundoi ai.
