Arbëri

Vuçiqi rikthen në tavolinë Minishengenin të pranuar në Washington edhe nga Kosova

Në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, më 4 shtator 2020 në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Minishengenit. Për ta shtyrë këtë projekt përpara, më 29 qershor pritet një videokonferencë mes Edi Ramës, Zoran Zevit dhe Aleksandar Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbajë një takim të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Vuçiqi njoftoi të enjten se më 29 qershor do të diskutojë me liderët e dy vendeve për përmirësimin e marrëdhënieve brenda iniciativave rajonale, ku fokusi është Shengeni Ballkanik.

Minishengeni është një nismë e përbashkët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Kosova pati refuzuar që të marrë pjesë në këtë takim, pavarësisht ftesës që ka marrë. Kosova në fakt ka refuzuar të gjitha takimet që lidhen me Shengenin Ballkanik. Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, më 4 shtator 2020 në Washington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Minishengenit.

Vuçiqi tha të enjten se pret që nga takimi të dalin vendime për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore dhe për qarkullim më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Ai shtoi se bashkëpunimi me këto vende do të rritet dhe se në suaza të iniciativës rajonale, të cilët disa e quajnë Minishengen, do të vazhdojë t’i përmirësojë marrëdhëniet. Vuçiqi tha se sistemi i lejeve të punës është me rëndësi të madhe dhe se ata të cilët morën leje në territorin e një vendi do të kenë leje për secilin vend, që është me rëndësi të madhe për përshpejtimin e qarkullimit të njerëzve në rajon dhe të sigurojnë sa më shumë fuqi punëtore për Serbinë.

“Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u dëshiroj gjithë të mirat dhe jam i sigurt se edhe ata, si ne, do ta vazhdojnë rrugën e tyre evropiane, por ne e kuptojmë mirë porosinë se duhet të ndërtojmë marrëdhënie më të afërta dhe të bëhemi më të fuqishëm dhe të mos presim asgjë nga askush, por ne besojmë më vete dhe i shtyjmë vendet tona përpara”, theksoi Vuçiqi.

Në Forumin Ekonomik, mbajtur të mërkurën në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka mëshuar serish idesë së Shengenit rajonal.

“Ajo çfarë na duhet të bëjmë është që të vazhdojmë të ecim, të ecim dhe jo vetëm të mbështetemi tek ajo çfarë do të thotë Brukseli, por të mbështetemi tek vetja, tek njerëzit tanë, tek energjia jonë dhe të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur që t’i shkrijmë misionet në një mision, popujt në një popull, vendet në një zonë ku nuk ka kufij për bashkëpunimin dhe ku katër liritë e Evropës zbatohen. Jemi shumë të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri. Jemi shumë të vegjël për të kërkuar, si të thuash, atë çfarë meritojnë fëmijët e fëmijëve tanë, por së bashku ne mund ta kërkojmë këtë, mund të arrijmë gjërat që ata meritojnë. Pra, hapësirat që kufizohen nga kufijtë tanë nuk janë tërheqëse mjaftueshëm për të synuar një ndryshim transformues si ekonomi. Së bashku është një zonë mjaft tërheqëse dhe na takon ne ta bëjmë të tillë edhe në mënyrë realiste, një zonë, të cilës mund t’i afrohen të gjithë për të investuar, për të parë zhvillim ekonomik, për kompanitë, për njerëzit në këtë hapësirë”, tha Edi Rama, të mërkurën në Shkup. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë në shkurt të vitit 2020, në mandatin e tij të shkurtër si kryeministër, ka shprehur dëshirën për një fillim të ri fuqishëm në dekadën e tretë të shekullit 21, të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes këtyre dy vendeve. Ndërkohë që është shprehur për Makroshengenin Shqiptar duke anashkaluar Minishengenin Ballkanik të përkrahur nga kryeministri Edi Rama.

Më 21-22 dhjetor të vitit 2020, në Tiranë është mbajtur takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Plani për krijimin e Minishengenit Ballkanik është kundërshtuar nga faktorët kyç në Kosovë, përfshirë presidentin e asaj kohe Hashim Thaçi, i cili ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama për pjesëmarrje në samit me arsyetimin që forume të tilla janë të padobishme derisa Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe mohon krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës '98-'99 në Kosovë.