Arbëri

Vuçiqi reagon ashpër ndaj ndërkombëtarëve, “vajton” për Kosovën

Aleksandar Vuçiq

Foto: Instagram

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim të mbajtur të dielën, ka reaguar ashpër ndaj ndërkombëtarëve, ndër të tjera lidhur me Kosovën. 

Ai ka folur lidhur me komunat në veri të Kosovës. 

“Tre vjet e gjysmë më parë patëm zgjedhje në veri të Kosovës dhe ata i njohën zgjedhjet me pjesëmarrje prej 2.5 për qind. Dhe kjo ishte sundimi i ligjit dhe demokracia. Turp për ju, kopilë”, tha Vuçiq në fjalim, transmeton “Kossev”. 

Ai pretendoi se në Moldavi i ishte thënë se “s’do të pranohen kurrë rezultatet e zgjedhjeve lokale në komunat veriore dhe se do të kishte zgjedhje të tjera në të cilat do të fitonin serbët”. 

“Më çuat në Moldavi për të më thënë – jo, jo, ne nuk e pranojmë këtë. Evropa e lirë perëndimore s’do ta pranojë kurrë këtë. Vetëm keni durim, z. president, prisni pak sa të kalojë koha, do të kemi zgjedhje të reja në të cilat do të fitojnë serbët, të cilët janë shumicë”, tha Vuçiq. “A u zhvilluan zgjedhje? Jo. Pushtuesit i kanë menaxhuar ato komuna për katër vjet. Ata gjetën disa shërbëtorë serbë, ashtu siç i gjetën nazistët në vitin 1941, ashtu siç i kishin austriakët...Gjithmonë ka të tillë midis serbëve, por është një numër i vogël”.