Arbëri

Vonesat në themelimin e institucioneve rrezikojnë ta lënë Kosovën pa një pjesë të mjeteve nga Plani i Rritjes

bashkimi evropian - kosova, flamujt

Kosova duhet të nxitojë me formimin e institucioneve dhe të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme ndërkombëtare nëse dëshiron t’i ikë rrezikut për të humbur para nga Pakoja e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se vonesat në themelimin e institucioneve të Kosovës janë duke e vonuar edhe ratifikimin e Marrëveshjes për kredi me BE-në dhe kjo, si pasojë, ka sjellë mosrealizimin e pagesave të para të financimit nga Pakoja e Rritjes.

“Ne jemi të shqetësuar për faktin se institucionet nuk janë formuar akoma, duke e vonuar edhe ratifikimin e marrëveshjes për kredi dhe mjete. Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë financim, pasi të ratifikohen marrëveshjet relevante për reforma dhe rritje. Megjithatë, mjetet nga Programi i Reformave dhe Rritjes janë të kufizuara në kohë, të dedikuara për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzojë tërësisht mundësitë nga Plani i Rritjes, i cili është përfitim për qytetarët”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.

“Vetëm atëherë, nëse të gjitha kushtet përmbushen, do të mund të kryhet pagesa e fondeve në kuadër të Planit të Rritjes”. thuhet nga ky zëdhënës.

Se Kosova mund të humbë mjete nga Plani i Rritjes nëse do të ketë vonesa të mëdha, e dëshmon edhe shembulli i Bosnje dhe Hercegovinës. Sipas mediave nga Bosnja dhe Hercegovina, tashmë ky shtet është njoftuar nga BE-ja se ka humbur përgjithmonë 10 për qind nga pakoja që i është dedikuar asaj, që është më shumë se 100 milionë euro. Nëse Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të mos i përmbushë kushtet, atëherë mund të humbë edhe mjete të tjera.

Kosova, krahas Bosnjë dhe Hercegovinës, është i vetmi vend i rajonit që akoma nuk ka marrë para financimi nga kjo paketë. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk i kanë problemet e njëjta. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet – madje ka qenë e para që e ka bërë këtë – dhe e ka të miratuar nga Komisioni Evropian planin e reformave, por nuk ka mundësi që në Kuvend të ratifikojë Marrëveshjen për kredi dhe mjete.

Sipas ligjeve të Kosovës, marrëveshjet e tilla ndërkombëtare duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave. Dhe në kushte kur nuk funksionon Kuvendi dhe nuk ka qeveri me mandat të plotë për ta paraqitur për votim një marrëveshje të tillë, Kosova rrezikon vonesa të reja, madje edhe humbjen e një pjese të këtyre mjeteve.

Mjetet që nuk do t’i shfrytëzojë ndonjëri prej gjashtë vendeve të rajonit do t’u shkojnë atyre vendeve që janë të gatshme t’i shfrytëzojnë.