Dhjetë ditë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me aktgjykimin për seancën konstituive të legjislaturës së re, aktgjykimi ende nuk është publikuar i plotë. Kjo vonesë është konsideruar e pazakonshme nga njohësit e praktikave të Kushtetueses. E njohës të zhvillimeve politike thonë se në mungesë të vullnetit politik, partitë mund të shkojnë drejt një kompromisi të detyruar, si rezultat i presionit ndërkombëtar
Kur janë bërë dhjetë ditë nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, janë shprehur pritje që ai të publikohet i plotë gjatë javës së ardhshme.
Një burim i afërt me procedurat dhe praktikat e gjykatës, e që deshi të mbetet anonim, tha se kjo vonesë nuk është e zakonshme në praktikën e Kushtetueses për rastet që kanë sensitivitet publik dhe vëmendje të mediave. Ai është shprehur se vonesa të tilla ndodhin zakonisht në kërkesat individuale dhe në raste të tjera që nuk kanë interesim të lartë të palëve në procedurë.
E vonesa e shpalljes së tekstit përfundimtar të aktgjykimit, sipas tij, mund të vijë për shkak të mospajtimeve eventuale mes gjyqtarëve lidhur me atë se çka duhet futur në tekstin përfundimtar.
Sipas tij, zakonisht në këtë fazë harmonizohet teksti i arsyetimit me pjesën e publikuar të dispozitivit.
Ky burim ka thënë se më herët ka qenë praktikë e zakonshme që fillimisht të jepen përfundimet dhe dispozitivi njëkohësisht, në mënyrë që palët të shohin paraprakisht se cili do të jetë arsyetimi.
Ky burim ka thënë se ndryshimi i kësaj praktike, pra botimi për publik në faqen zyrtare vetëm i dispozitivit pa përfundimet, “është gabim dhe bie ndesh me parimin e transparencës së punës së Gjykatës Kushtetuese, duke lënë shije të keqe te palët dhe publiku”.
“Përveç kësaj, botimi vetëm i dispozitivit pa përfundimet e detajuara të Gjykatës Kushtetuese, si dikur, lë hapësirë për futjen në arsyetim të gjërave që nuk kanë të bëjnë me dispozitivin”, ka thënë burimi. “Nëse këtë herë kjo ndodh, atëherë është gabim i madh, sepse hap rrugë për pushtetin për interpretime obstruktive që çojnë në mosimplementim të aktgjykimit”.
Po ashtu, ka përmendur se arsyetimi nuk është i detyrueshëm për zbatim nga palët, por vetëm dispozitivi “i cili në këtë rast është tejet i qartë dhe pa asnjë ekuivok”.
“Arsyetimi vetëm i ndihmon palët për ta kuptuar dispozitivin dhe si i tillë duhet zbatuar në praktikë”, ka potencuar njohësi i zhvillimeve në Kushtetuese.
Gjykata e publikoi më 8 gusht njoftimin lidhur me aktgjykimin, i cili u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Kushtetuesja e vazhdoi masën e përkohshme që ua ndalon deputetëve vazhdimin e seancës deri në publikimin e plotë të aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, që ende nuk është bërë publik i plotë në gazetën zyrtare, kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe i njëjti kandidat për këtë post mund të votohet vetëm deri në tri herë.
Analisti Fadil Maloku ka përmendur disa skenarë që mund t’i prodhojë zyrtarizmi i Aktgjykimit.
“Skenari i parë, për mendimin tim, është ai i kompromisit diplomatik, i cili ‘de facto’ do të delegohej, themi, kushtimisht nga zyrat e Dragodanit. Në këtë skenar, për mendimin tim, partitë politike do të detyrohen të lëshojnë pe dhe më në fund do t’i rikthehen atij vullneti të munguar politik dhe do t’i konstituojnë organet, fillimisht Kuvendin e pastaj edhe Qeverinë”, ka thënë Maloku tek i ka përmendur përparësitë dhe dobësitë e këtij skenari. “Një përparësi e ka, sepse imponohet nga, thënë kushtimit, ‘agjentët e jashtëm’, por ka edhe një dobësi, sepse arrin që të delegojë shumë më ashpër imponimin e vet, duke e përdorur kërcënimin e që mund të pasojnë pastaj edhe sanksione të ndryshme, të cilat ne nuk e dimë”.
Skenari i dytë, sipas Malokut, është një “kompromis pragmatik”, i bazuar në interesa elektorale, “ku subjektet e mëdha politike, në veçanti liderët e tyre, publikimin e Aktgjykimit do ta lexojnë dhe interpretojnë edhe si kërcënim nga Dragodani, por edhe si një mundësi për t’i ikur përgjegjësisë individuale dhe për t’u larguar nga ai bunkerizimi i deritanishëm”. Maloku vlerëson se ky skenar ka vetëm një qëllim – përgatitjet për zgjedhjet të cilat thotë se shihen në horizont.
“Skenari i tretë i kompromisit social, që mund të prodhojë polarizim edhe acarim të mëtutjeshëm, me theks ku njëra palë të imponohet si humbëse, ndërsa tjetra si palë fituese. Në atmosferë të tillë acaruese dhe polarizuese, pa dyshim mendoj që gjasat për t’u arritur kjo fryma e konfrontimit është më e madhe”, ka thënë Maloku.
Sipas tij, subjektet parlamentare edhe mund të arrijnë një marrëveshje, por pa e zgjidhur thelbin e ngërçit.
“Ideja dhe qëllimi i këtij kompromis është zvarritja e mëtutjeshme në stilin ‘ngreh e mos e këput”, që nuk është risi në skenën tonë politike, pasi është testuar edhe më herët”, ka thënë ai.
Sipas Malokut, skenari i parë është më i mundshmi.
“Tani, nëse i observojmë të gjitha këto skenarë, unë mendoj se për gjykimin tim sociologjik skenari më i përafërt është ai i kompromisit të detyruar që do të vijë nga presioni ndërkombëtar, ngase edhe ashtu e kemi njëlloj përvoje me Dragodanin, ndërkaq gjasat për opsionin e një kompromisi pragmatik janë të vogla”, ka thënë Maloku.
Pas publikimit të njoftimit nga Kushtetuesja, diplomatët e akredituar në Prishtinë u kanë kërkuar akterëve politikë në Kosovë ta respektojnë dhe implementojnë aktgjykimin.
Në periudhën pas publikimit të njoftimit dhe pritjes deri në publikimin e plotë të Aktgjykimit, nuk ka pasur përpjekje për arritjen e ndonjë dakordimi mes partive, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
Kandidatja e vetme për kryeparlamentare, për të cilën deri tash ka insistuar Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve është Albulena Haxhiu.
Zyrtarë të kësaj partie e kanë kritikuar Kushtetuesen se krijoi norma të reja, veçmas duke iu referuar pjesës së Aktgjykimit që e kufizon një kandidaturë në vetëm tri votime.
Aktgjykimi është mirëpritur nga partitë që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë. Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë paralajmëruar se janë të gatshëm të votojnë kandidatë të tjerë të Vetëvendosjes. PDK-ja nuk do të japë votë për kandidatët që ishin pjesë e kabinetit të qeverisë Kurti 2.
Pas njoftimit të Kushtetueses për Aktgjykimin, për herë të parë më 12 gusht ka komentuar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Derisa në deklaratat e mëparshme para se të publikohej njoftimi për aktgjykimin, Kurti pati thënë se gjithmonë i ka respektuar aktgjykimet, kur u pyet të martën ai deklaroi se “duhet ta presim Aktgjykimin e plotë”.
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë e shpërfillën Aktgjykimin e parë që e kishte vënë afatin 30-ditor përkitazi me konstituimin e Kuvendit, por i cili nuk i ka treguar pasojat nga moszbatimi i Aktgjykimit.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan ta finalizojnë atë me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.