Ka vdekur në moshën 83-vjeçare, mjeku i njohur, Faik Hima. Për vdekjen ka njoftuar familja e tij përmes një postimi në Facebook.
Faik Hima ishte mjek, internist, kardiolog dhe profesor universiteti. Lindi në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm. Përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd (1969), ku specializoi për mjekësi interne (1977), ndërsa një vit më vonë kreu studimet pasdiplomike për kardiologji. Punoi në Klinikën e Sëmundjeve të Brendshme. Ndërkohë u emërua asistent i lëndës mjekësia interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Më 1984 qëndroi disa muaj në Qendrën për sëmundje kardiovaskulare “Texas Heart Institute” në Hjuston, SHBA. Mbrojti tezën e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1987, më pas u emërua docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar i lëndës mjekësia interne.
Më 1994 u zgjodh redaktor i revistës shkencore-profesionale të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës “Praxis medica”. Kreu detyra dhe funksione në katedrën e mjekësisë interne dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Mori pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe publikoi një sërë punimesh shkencore dhe profesionale
Hima la pas vetes bashkëshorten Verën dhe fëmijët Arlindën dhe Fisnikun.