Arbëri

Trendafilova: Deri tash nuk është sanksionuar asnjë gjyqtar

“Deri më tani nuk ka pasur procedura disiplinore ndaj asnjë gjyqtari”, ka thënë kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, në një intervistë të shkruar për KOHËN, kur është pyetur për një gjyqtare që ka pëlqyer një postim që i referohet një takimi midis përfaqësuesve të Francës dhe atyre të Serbisë. “Kodi i Etikës Gjyqësore ua njeh lirinë e shprehjes gjyqtarëve në çështje që nuk lidhen me Dhomat e Specializuara apo me lëndët që u janë caktuar atyre”

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se deri tash nuk është sanksionuar asnjë gjyqtar.

Avokatë të të akuzuarve në Hagë janë shprehur kritikë në disa gjyqtarë, për të cilët kanë theksuar se janë treguar të anshëm në proces duke u bërë pyetje orientuese dëshmitarëve. Ndërkaq, një gjyqtar ka pëlqyer një postim në LinkedIn, që i referohet një takimi midis përfaqësuesve të Francës dhe atyre të Serbisë. 

Por në një intervistë të shkruar dhënë KOHËS, Trendafilova ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur procedura disiplinore ndaj ndonjë gjyqtari.

Në këtë intervistë ajo ka folur për vizitën e fundit në Kosovë, për proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Hagë e edhe për dëshmitarët.

KOHA: Znj. Trendafilova, ju ishit në maj në Kosovë dhe u përballët edhe me protestën e veteranëve të UÇK-së. Pse e anuluat përballjen me gazetarët gjatë kësaj vizite?

Trendafilova: Agjenda e vizitës sime ishte shumë e ngjeshur. I ndava dy orë për t’u takuar me mediat dhe për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, por, për fat të keq, kjo nuk ishte e mundur për arsye sigurie dhe në përputhje me këshillën e Policisë së Kosovës, duke marrë parasysh protestën kundër ngjarjes që zhvillohej jashtë objektit. Nuk do të mbaja konferencë për shtyp në dëm të sigurisë së askujt.

Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë sigurisht, por personalisht nuk më duket se ka kuptim të pengohen gazetarët që të shtrojnë pyetje. Disa persona duket se kanë frikë nga informacioni objektiv dhe transparent. E di që mandati i gjykatës nuk gëzon popullaritet te disa persona në Kosovë. Por, është fakt që Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet amendamentimit të Kushtetutës së Kosovës dhe si rrjedhojë e një marrëveshjeje mes BE-së dhe Kosovës. Prandaj, gjykata po vepron në përputhje me mandatin që i është dhënë. Ky mandat përfshin, si në çdo sistem të bazuar në sundimin e ligjit, gjykimin e drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të pandehurve.

Ashtu si në vitet e kaluara, erdha në Kosovë për t’iu shpjeguar njerëzve rastet dhe për të sqaruar cilëndo pyetje a paqartësi. Kjo, sepse e konsideroj të rëndësishme që Dhomat e Specializuara të komunikojnë në lidhje me gjykimet në mënyrë sa më transparente të jetë e mundshme. Proceset gjyqësore janë të rëndësishme për Kosovën dhe për këtë arsye të gjithë duhet ta kuptojnë se mandati i gjykatës është të zhvillojë procedura të drejta, të pavarura, të paanshme e të sigurta, si dhe se si funksionon kjo në praktikë. Por disa persona, për çfarëdo arsye, nuk dëshirojnë që informacioni i tillë t’i komunikohet publikut përmes pyetjeve kritike nga gazetarët. Është në interesin publik që gazetarët të komunikojnë me gjykatën.

KOHA: Në përgjithësi, në çfarë mase i kanë zbatuar institucionet e Kosovës urdhrat e Dhomave të Specializuara dhe në ç’masë e kanë garantuar sigurinë e zyrtarëve të gjykatës?  

Trendafilova: Ligji për Dhomat e Specializuara kërkon që të gjitha institucionet në Kosovë të bashkëpunojnë me gjykatën. Shembuj të bashkëpunimit ose mbështetjes në të kaluarën janë 14 vizitat e disa të paraburgosurve në Kosovë, si dhe mbështetja gjatë vizitave zyrtare të zyrtarëve të gjykatës.

KOHA: Në një prej parashtrimeve më të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se një dëshmitar nuk erdhi të dëshmonte në gjykatë për shkak se u ndikua “nga interferimi i papërshtatshëm, përfshirë kërcënimet, frikësim, lëndim, ryshfet apo detyrim”. A besoni se me të vërtetë keni krijuar një sistem të fortë mbrojtës për dëshmitarët?

Trendafilova: Nuk mund të komentoj për këtë rast specifik që përmendët. Por në përgjithësi, Dhomat e Specializuara i kanë pasur top-prioritet mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve që nga fillimi. Deri më tani, rreth 200 dëshmitarë kanë dëshmuar në mënyrë të sigurt në gjykime të ndryshme para Dhomave të Specializuara.

Sidoqoftë, historia dhe klima e përgjithshme e frikësimit të dëshmitarëve ishin nga arsyet kryesore që Kosova dhe BE-ja ranë dakord të formojnë këtë institucion që mundëson mbajtjen e gjykimeve jashtë Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse Dhomat e Specializuara kanë mandatin për të mbrojtur administrimin e drejtësisë dhe mund të gjykojnë raste të frikësimit të dëshmitarëve ose pengimit të procedurave. Për shembull, disa nga të akuzuarit e kanë pranuar se kanë frikësuar dëshmitarët dhe janë dënuar për këtë. Pesë të tjerë aktualisht përballen me akuza lidhur me pretendime për udhëzim të dëshmitarëve se si duhet të dëshmojnë.

Prandaj, në kuptim të gjerë, çështjet para Dhomave të Specializuara tregojnë se vazhdon të ketë një klimë frikësimi e pengimi. Por gjithmonë duhet t’i kemi parasysh skenarët shumë specifikë për secilin rast individual.
KOHA: Në çfarë faze ka arritur gjykata sa i përket zbatimit të vendimit për dëmshpërblim në rastin Salih Mustafa (tashmë rast i përmbyllur nga të gjitha shkallët e gjykatës)?

Trendafilova: Bazuar në dokumentet publike, mund t’ju them se që nga viti i kaluar urdhri i dëmshpërblimit është zbatuar pjesërisht dhe viktimat pjesëmarrëse në këtë rast kishin marrë një përqindje të dëmshpërblimeve që u ishin përcaktuar.

KOHA: Vendimi për dëmshpërblim përfshin edhe konfiskimin e pronave të Salih Mustafës. A mund të na tregoni se si do të zhvillohet ky proces konkretisht?

Trendafilova: Në përgjithësi, Ligji i Dhomave të Specializuara (DHSK) kërkon që të gjithë personat juridikë dhe fizikë në Kosovë të zbatojnë urdhrat e Dhomave të Specializuara, duke përfshirë urdhrat në lidhje me konfiskimin dhe shitjen e pronës. Ligji gjithashtu parasheh që pronat, ose të ardhurat nga shitja e saj, mund të transferohen nën kujdestarinë e Dhomave të Specializuara. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të ishte nën mbikëqyrje gjyqësore dhe vetëm në masën e nevojshme për të përmbushur përgjegjësinë e personit të dënuar ndaj viktimave në dëmshpërblim.

KOHA: Cilat janë disa prej problemeve me të cilat përballeni sa u përket kërkesave për rilokimin e dëshmitarëve? A është e saktë të thuhet se nuk keni qenë në gjendje t’i përmbushni kërkesat e tyre, sepse vendet kontribuuese ngurrojnë t’i pranojnë ata?

Trendafilova: Duhet ta kuptoni që nuk mund të diskutoj çështje operative që lidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve. Prandaj, nuk mund të komentoj mbi pyetjen tuaj.

KOHA: Tani ka një rast të ri për krime kundër administrimit të drejtësisë. Në ç’masë mendoni se kjo mund të ndërlikojë procedurat e tjera që janë duke u zhvilluar në DHSK dhe a e shihni veten përgjegjës në kontekstin se është vërtetuar dyshimi i arsyeshëm se dëshmitarët janë frikësuar?

Trendafilova: Gjykata ka përgjegjësinë për të mbrojtur dëshmitarët, si dhe autoritetin ligjor dhe përgjegjësinë për të gjykuar ata që përpiqen të pengojnë drejtësinë. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bën gjykata. Deri më tani, pesë të akuzuar janë dënuar për frikësim, për çka e kanë pranuar fajin. Kjo pasqyron jo vetëm rrezikun për dëshmitarët, që përkon me formimin e Dhomave të Specializuara, por edhe themelet e forta të programit tonë të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe kornizën ligjore të DHSK-së që mbron dëshmitarët.

Kur bëhet fjalë për rastin më të fundit të prokurorisë kundër zotërinjve Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, pretendimet e prokurorisë nuk përfshijnë pretendime se dëshmitarët janë frikësuar, por se dëshmitarët janë udhëzuar në mënyrë të kundërligjshme se si duhet të dëshmojnë.

Ju pyetët nëse ky rast mund të ndërlikojë raste të tjera. Nuk mund të komentoj për këtë çështje, pasi mbrojtja e z. Thaçit ka ngritur çështje të ndërlidhura në një mocion paraprak te gjyqtarja e procedurës paraprake, duke kërkuar shtyrjen e procedurave kundër tij në lidhje me ndikimin e dëshmitarëve deri pas mbajtjes së seancës së fjalës përfundimtare në gjykimin për krime lufte.

Megjithatë, do të theksoja se çështja e krimeve të luftës kundër z. Thaçit është e ndarë nga çështja e administrimit të drejtësisë. Të dy rastet janë në faza të ndryshme të procedurave dhe po trajtohen nga trupa gjykues të ndryshëm.

KOHA: Gjyqtarja Marjorie Masselot, e cila udhëheq procedurën paraprake në çështjen më të re për krime kundër administrimit të drejtësisë, ka pëlqyer një postim në LinkedIn nga një takim midis përfaqësuesve të vendit që e dërgoi atë (Franca) dhe përfaqësuesve të shtetit të Serbisë. A i keni njoftuar autoritetet franceze në lidhje me këtë dhe a zhvillohet ndonjë proces përpara se një gjyqtar të dërgohet për të shërbyer në Dhomat e Specializuara?

Trendafilova: Para së gjithash, është e rëndësishme të theksohet që gjyqtarët të cilët emërohen në Regjistrin e Gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara nuk “dërgohen” nga vendet e tyre përkatëse. Vendi mbështet emërimin, por nuk dërgon gjyqtarin. Përkundrazi, gjyqtarët emërohen në bazë të një vlerësimi nga një Panel Përzgjedhës i Pavarur, e që përfshin dy gjyqtarë ndërkombëtarë. Procesi i përzgjedhjes kryhet për të garantuar përzgjedhjen e gjyqtarëve me profesionalizëm të lartë, të pavarur dhe që plotësojnë standardet e kërkuara të përcaktuara me ligj.

Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes suaj, duhet të theksohet se postimi ishte para emërimit të saj në DHSK. Duhet gjithashtu të theksohet se Kodi i Etikës Gjyqësore ua njeh lirinë e shprehjes gjyqtarëve në çështje që nuk lidhen me Dhomat e Specializuara apo me lëndët që u janë caktuar atyre.

KOHA: Gjatë gjithë këtyre viteve që keni qenë kryetare e DHSK-së, a ka pasur ndonjë procedurë disiplinore kundër ndonjë gjyqtari dhe pse nuk ka dosje publike në lidhje me këto procedura?

Trendafilova: Kodi i Sjelljes parasheh që të dhënat e procedurave të zhvilluara sipas regjimit disiplinor duhet të mbahen konfidenciale, përveç nëse unë, si kryetare e Dhomave të Specializuara, përcaktoj se interesat e drejtësisë kërkojnë riklasifikimin e procedurave të tilla. Deri më tani nuk ka pasur procedura disiplinore ndaj asnjë gjyqtari.

KOHA: Jeni zgjedhur më 2016-n si kryetare e Gjykatës për herë të parë dhe që nga atëherë jeni rizgjedhur. Cilat janë mësimet që i keni nxjerrë gati 10 vjet në krye të Dhomave të Specializuara?

Trendafilova: Në fakt jam riemëruar në vitet 2020 dhe 2024 dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Ka disa gjëra që lidhen me drejtësinë dhe llogaridhënien, për të cilat isha sigurisht shumë e vetëdijshme që nga koha ime si gjyqtare në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, por që janë vënë në pah me të vërtetë me sa kam parë si kryetare e Dhomave të Specializuara. Do të përmendja vetëm dy.
Mësimi i parë është që ta njohësh rëndësinë absolute të rolit të dëshmitarëve për arritjen e drejtësisë efektive. Siç thashë më parë, dëshmitarët duhet të jenë të lirë të tregojnë historitë e tyre. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe të sigurohesh që të mbahen përgjegjës ata që do të përpiqen ta pengojnë drejtësinë për të arritur në thelb të së vërtetës është pjesë integrale e drejtësisë.

Një mësim i dytë ka të bëjë me rëndësinë qendrore të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun për gjykatat si Dhomat e Specializuara, të cilat ofrojnë drejtësi nga jashtë vendit ku kanë ndodhur krimet e pretenduara. Dhomat e Specializuara duhet të vazhdojnë të punojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve dhe për të sqaruar keqkuptimet.

KOHA: Mbrojtja e z. Thaçit i ka paraqitur Gjykatës një mocion, ku thuhet se parashtrimet përfundimtare do të jepen ose në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2026. Duke pasur parasysh këtë dhe/ose mocione të tjera nga palët, kur do të jepet një vendim përafërsisht në Dhomat Themelore për çështjen më të madhe, dhe cilat janë parashikimet tuaja kohore për vendimet në rastet e tjera?

Trendafilova: Është e vështirë të parashikohet se kur mund të presim një vendim në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Afati kohor i mundshëm që ju citoni u përmend nga mbrojtja e Thaçit në një parashtresë për një çështje tjetër. 

Pas përmbylljes së rastit të prokurorisë, mbrojtja ka treguar se planifikoi të paraqesë një mocion me shkrim duke iu kërkuar gjyqtarëve të hedhin poshtë disa ose të gjitha akuzat. Kjo kërkesë parashihej të dorëzohej më 12 qershor, pas së cilës Prokuroria do të ketë kohë deri më 7 korrik për t’u përgjigjur. Gjyqtarët e trupit gjykues kanë treguar se do të nxjerrin vendim në javën e dytë të korrikut. Pasi vendimi të shqyrtohet dhe varësisht nga rezultati i tij, dhe nga strategjia e mbrojtjes, mund ta japim një afat më të saktë për përmbylljen e rastit 06 në shkallën themelore.

Çështja e dytë aktive tani është çështja në të cilën z. Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pengim të drejtësisë duke u dhënë udhëzime dëshmitarëve se si duhet të dëshmojnë në gjyqin e z. Thaçit për krime lufte. Kjo çështje është ende në fazën paraprake të gjyqit, gjatë së cilës Prokuroria duhet t’ia shpalosë mbrojtjes provat që do të përdoren gjatë gjykimit, si dhe gjatë së cilës fazë mbrojtja mund të bëjë mocione paraprake me shkrim. Në varësi të zhvillimeve specifike, gjykimi mund të fillojë më vonë gjatë vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm.

KOHA: Dhomat e Specializuara kanë dokumente të shumta të redaktuara. Kur do t’iu vijë fundi redaktimeve? Kur mund ta llogarisim se mund të hapen dokumentet e gjykatës dhe a ekzistojnë mekanizma të tillë që do garantonin që publiku të mund t’i lexojë dokumentet edhe në rrethanat kur Dhomat e Specializuara nuk ekzistojnë si institucion? A ka një autoritet të vetëm që do të vendosë për hapjen e dokumenteve dhe a e keni paraparë si gjykatë se si do të shkojë shpalosja e asaj që sot është sekrete?

Trendafilova: Në këndvështrimin e parimit të publicitetit, dokumentet konfidenciale rishikohen rregullisht dhe sa herë që pushojnë arsyet për klasifikimin e tyre, trupi gjykues përkatës mund të urdhërojë riklasifikimin e tyre si publike ose publikimin e versioneve të redaktuara publike.

Ky është një proces i vazhdueshëm dhe versionet e reja të transkripteve të seancave dëgjimore dhe dosjeve me shkrim publikohen vazhdimisht me më pak redaktime. I gjithë ky informacion publik është i qasshëm në faqen e DHSK-së dhe do të mbetet i qasshëm pas mbylljes së institucionit.

Arkivat do të mbeten pronë e Dhomave të Specializuara dhe do të mirëmbahen gjithmonë nga Dhomat e Specializuara ose në një regjistër të dedikuar jashtë Kosovës. Kjo rregullohet nga kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe këto rregullime janë bërë qëllimisht për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve përtej procedurave specifike.