Arbëri

Transferimet pa bazë ligjore prodhojnë pakënaqësi në Ministrinë e Jashtme

MPJD

Transferimet e zyrtarëve nga Ministria e shuar e Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë prodhuar pakënaqësi. Ky proces ka nisur pavarësisht mungesës së bazës ligjore, gjë e cila ka shkaktuar reagim te diplomatët e karrierës në MPJ. Derisa Ministria nuk ka ofruar sqarime, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se bashkimi i panatyrshëm i ministrive ka prodhuar struktura të dyfishta

Pakënaqësi të shumta brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka prodhuar procesi i sistemimit të kuadrove të Ministrisë së Diasporës.

Pa miratimin e dokumenteve relevante, ministrja ka nisur transferimin e zyrtarëve. Ish-udhëheqësi i divizionit të personelit të Ministrisë së Diasporës, e cila në vitin 2020 u fuzionua në Ministrinë e Jashtme, është sistemuar në pozitën e njëjtë në MPJ. Ky vendim ka nxitur reagimin e Shoqatës sindikale, që ka kërkuar prej ministres ta tërheqë vendimin.

Në letrën që ka siguruar KOHA thuhet se shqetësimi është ngritur edhe në takimet me ministren Gërvalla, ku janë dakorduar që fuzionimit t’i paraprijë baza ligjore.

“Ne ju bëjmë me dije se këtë shqetësim e kemi ngritur me shkrim dhe më pastaj edhe në takimin e datës 28 korrik me ministren Gërvalla dhe zv. ministrat e MPJD-së dhe jemi dakorduar që fuzionimit t’i paraprijë baza ligjore dhe rrjedhimisht të ndërpriten tentativat për sistemimin e kuadrove të Ministrisë së Diasporës pa u rregulluar baza ligjore”, shkruan në emailin që u është dërguar ministres, sekretares, zëvendësministrave e shefit të kabinetit.

Si argument ligjor, Shoqata ka përmendur edhe interpretimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

“Po ashtu argument ligjor keni edhe interpretimin e Ministrisë së Brendshme dhe Administratës Publike, e cila decidivisht ka ndaluar ndërmarrjen e çdo hapi pa i paraprirë baza ligjore, pasi fuzionimi në aspektin ligjor ende nuk është përmbyllur”, shkruan më tej aty.

Shoqata po ashtu ka kërkuar që aty zëvendësimet të bëhen me diplomatë të karrierës teksa janë ankuar se në mungesë të vendeve të lira ata janë sistemuar në pozita të ulëta.

“Prandaj, kërkojmë që të ndërmerrni të gjithë hapat konform legjislacionit dhe të tërhiqeni nga ky veprim i paligjshëm dhe aty ku ka nevojë të bëni zëvendësimet me diplomatë të karrierës, të cilët në mungesë të vendeve të lira drejtuese janë sistemuar në pozita të ulëta”.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë ofruar sqarime në lidhje me këtë çështje.

Fuzionimi i ministrive ishte bërë në vitin 2020 nga Qeveria Kurti 1, që ishte në koalicion Lidhjen Demokratike.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike prej fillimit ka qenë kundër bashkimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës për shkak se nuk përputhen vizioni dhe misioni i këtyre dy ministrive.

“Pra mund të themi se është një bashkim i panatyrshëm. Edhe Qeveria Kurti 1, Qeveria Hoti dhe Qeveria Kurti 2 nuk kanë qenë të aftë për ta dëshmuar se pse është bërë bashkimi i këtyre dy ministrive, jo vetëm në rastin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe të ministrive të tjera për shkak se shumica e këtyre ministrive ende veprojnë si ministri të ndara, pra me struktura të dyfishta”, ka thënë Lirika Agusholli, që mbulon politikën e jashtme në GLPS.

Fuzionimin e rregullon Ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, ndërsa më detajisht procesin e definon rregullorja për standarde të organizimit të brendshëm. Sipas kësaj rregulloreje, prej momentit që bashkohen ministritë duhet të nisë procesi për sistematizimin e vendeve të punës.

“Në këtë rast Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka bërë publikimin e kësaj rregulloreje, e cila më tutje do të bënte riorganizimin dhe ristrukturimin e Ministrisë, do të bënte klasifikimin e vendeve të punës dhe sistematizimin e tyre. Pra mund të themi që nga koha dhe momenti kur është marrë vendimi për bashkimin e këtyre ministrive, këto ministri ende veprojnë me struktura të dyfishta”, ka theksuar Agusholli.

Prej fillimit procesi ishte përcjellë me vështirësi, duke filluar nga pozitat e sekretarëve.

Risistemimit të atyre që patën kaluar në listën tepricë i ka paraprirë edhe një opinion ligjor nga Zyra e Kryeministrit.

“Në çdo rast kur mbaron mandati dhe nuk zbatohet rizgjatja e tij, njësia e pranimit (Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë), ka për detyrë që nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese, të emëruar sipas Ligjit për Shërbimin Civil, t’i emërojë në një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese dhe pastaj në pozitë të kategorisë profesionale”, thuhet mes tjerash në këtë letër të siguruar nga “KOHA”.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, ish-kryeministri Hoti kishte hequr dorë nga përcaktimi për të mos i sistemuar zyrtarët e nivelit të lartë drejtues, përfshirë sekretarë të përgjithshëm të institucioneve, kryeshefa ekzekutivë e drejtorë agjencish, të cilët e kanë përfunduar mandatin pasi ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.