U janë kthyer kundërargumentet e moçme presidentit Hashim Thaçi dhe subjekteve që e rrëzuan nëpërmjet mocionit të mosbesimit Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Tash kur duan që ta formojnë Qeverinë e re, Kurti, që e drejton Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), është duke i kundërshtuar, duke operuar me argumentet nëpërmjet të cilave ishte çuar vendi në zgjedhje dy herë, pas po kaq mocioneve kundër qeverive të mëhershme që kanë ndodhur gjatë kohës sa Kushtetuta është në fuqi.
Kurti ka kërkuar nga kreu i shtetit që të mos veprojë me standarde të dyfishta, në një letër që të hënën ia ka dërguar atij, përkitazi me kërkesën e Thaçit që LVV-ja ta ofrojë mandatarin për formimin e Qeverisë së re, raporton KOHA.
E, bazuar në deklarimet e deritashme të presidentit Thaçi, por edhe të subjekteve politike që kanë mbështetur mocionin, sapo të dështojë LVV-ja për ta formuar Qeverinë e re, e drejta për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër do t’i kalojë Lidhjes Demokratike (LDK), me iniciativën e së cilës është rrëzuar Qeveria, pjesë e së cilës ishte.
Kurti ka konsideruar se ka vetëm një zgjidhje kushtetuese pas mocionit – zgjedhjet e parakohshme. Kjo, nga shkaku që, sipas tij, pas mocionit, Presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luajë rolin e një akteri politik, duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.