Arbëri

Surroi: Kushtetuta s’jep të drejtë monopoli për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, përmes një statusi në Facebook ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës nuk jep të drejtë monopoli për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas tij, të drejtën e propozimit, sipas Rregullores së Kuvendit e ka shumica e përfaqësuar e atij komuniteti, por të drejtën e zgjedhjes e kanë deputetët e Kuvendit.

Ka deklaruar se e drejta e propozimit mbaron me propozim, duke shtuar se pastaj hyn e drejta e deputetëve që për këtë propozim të votojnë sipas vullnetit personal.

“Ky është parim si për komunitetet joshumicë ashtu dhe komunitetin shumicë. Kuvendi i Kosovës kaloi disa muaj duke refuzuar të krijojë shumicë votash për një kandidate për kryetare. Të drejtën e propozimit e kishte grupi më i madh parlamentar, por kjo e drejtë nuk nënkuptonte obligimin që deputetët e tjerë ta votojnë. Kushtetuta nuk njeh të drejta monopoli asnjërit prej subjekteve politike e as komuniteteve etnike. Çdokush ka të drejtë propozimi por jo edhe të drejtë që propozimi të konsiderohet obligativ për t’u përkrahur me votë”, ka thënë ai.

Surroi ka shtuar se në mungesë të propozimeve nga Lista Serbe që do të merrnin përkrahjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me refuzimin për të nominuar kandidatë të tjerë, dalja në short e emrit të deputetit Nenad Rashiq si kandidat për nënkryetar i përmbush obligimet kushtetuese dhe procedurat e Rregullores së Kuvendit.

“Kuvendi ka obligim kushtetues të zgjedhë një nënkryetar nga komuniteti serb. Këtë obligim duhet ta zbatojë duke zgjedhur nga kandidatët që kanë mbetur ende valid nga kutia e shortit, zotin Rashiq apo anëtarët e Listës Serbe”, ka deklaruar ai.

Nenad Rashiq për herë të dytë sot nuk i ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën me arsyetimin se ai ka mundësi t’i marrë votat herën tjetër, Nenad Rashiqi ka konsumuar dy herët e votimit, i mbetet edhe një tjetër. Para tij në votim kanë dalë disa prej deputetëve të Listës Serbe, por asnjë nuk ka marrë votat.