Kosova e Serbia gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen Bazë, e edhe janë dakorduar me përmbajtjen e aneksit të zbatimit. Por, implementimi nuk ka nisur për shkak të qëndrimeve të hapura të Serbisë kundër zbatimit të disa pikave të dokumentit. Njohës të këtij procesi nuk presin progres as më 2024-n.
Në këtë fundvit, ndërkombëtarët kanë shprehur pritjen për progres të njëmendtë në dialog gjatë 2024-s, por njohës politikë thanë të ketë pak gjasa për këtë.
Kosova e Serbia gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen Bazë e edhe janë dakorduar me përmbajtjen e aneksit të zbatimit.
Por, zbatimi nuk ka nisur për shkak të qëndrimeve të hapura të Serbisë kundër zbatimit të disa pikave të dokumentit.
Profesori Mazllum Baraliu ka thënë se me gjithë obstruksionet e Serbisë, BE-ja e ka dëshmuar se nuk ka pasur qëndrim të drejtë ndaj të dyja palëve në dialog dhe se rreziku ekziston që kjo të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
“Do të thotë që të vazhdojë një politikë naive, një politikë afatshkurtër dhe miope ndaj Serbisë, sepse Bashkimi Evropian nuk ka arritur ta tërheqë Serbinë nga përqafimi rus dhe orientimi rus dhe as nuk ka arritur as ta disiplinojë dhe ta detyrojë që ajo t’i pranojë marrëveshjet që i ka pranuar verbalisht por që nuk i ka nënshkruar”, ka deklaruar ai.
E profesori Dorajet Imeri ka thënë se vetëm ndryshimi i qëndrimit të Serbisë karshi njohjes së pavarësisë së Kosovës, do të mund t’i jepte kah tjetër dialogut gjatë vitit të ardhshëm.
“Gjëja e parë që është e rëndësishme të ndodhë në këtë rrafsh është se a planifikon Serbia ndonjëherë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe nëse e njëjta nuk ka një qëndrim të tillë të hapur ndaj Kosovës, mundësia për të prodhuar një marrëveshje të pranueshme për palët do të jetë tepër minimale. Prandaj viti 2024 më shumë do të thosha është një zgjatim i vitit 2023 me shumë pak pritshmëri për arritje të mëdha sepse është fillim viti i një procesi më të madh, siç është zgjedhjet në ShBA dhe po ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Imeri.
Baraliu dhe Imeri kanë shtruar nevojën që vitin e ardhshëm, dialogu të ketë një orientim të ri dhe një angazhim ndryshe nga shtetet e BE-së dhe SHBA-ja.
“Do të duhej të ketë një riorientim tjetër dhe një presion të paparë ndaj Serbisë në mënyrë që ajo të disiplinohet dhe mbase të bjerë në binarët e një dialogu normal për të avancuar më tutje një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Baraliu.
“Vendet e perëndimit dhe në veçanti SHBA që do të duhej ndoshta të bënin më shumë bashkërisht me vendet e BE-së për të përcaktuar një dinamikë kohore ndryshe nga si do të mund të kishte qenë deri sot”, ka thënë Imeri.
Kosova dhe Serbia janë larg marrëveshjes finale për normalizim të raporteve, ndonëse dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka nisur që në vitin 2011.