Sindikata “Punëtori” e Kompanisë Rajonale të Mirëmbajtjes “Pastrimi” ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre, në një takim që kanë mbajtur të premten.
Përderisa Komuna e Prishtinës në një njoftim gjatë ditës u shpreh se një prej kërkesave të punëtorëve – ajo për kontratën për menaxhim të mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh tashmë është nënshkruar – kjo sindikatë ka thënë se ajo nuk përbën zgjidhje.
“Në lidhje me takimin e mbajtur sot ndërmjet Sindikatës ‘Punëtori’ të KRM "Pastrimi", dhe Komunës së Prishtinës njoftojmë opinionin publik se, përkundër diskutimeve të zhvilluara, Komuna nuk ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat tona themelore. Kontrata e nënshkruar dje ndërmjet Komunës dhe ndërmarrjes “Pastrimi” parasheh një shërbim krejtësisht tjetër – shërbime sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milion eurosh – dhe nuk përbën zgjidhje për krizën reale me të cilën përballemi. Mjetet e kësaj kontrate nuk janë të menjëhershme dhe nuk e mundësojnë rikthimin e menjëhershëm në operim”, thuhet në një njoftim për media nga kjo sindikatë.
Kjo sindikatë ka thënë po ashtu se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre, që përfshijnë:
* Pagesën për muajt janar deri në maj, për shërbimet që i kemi kryer, ende nuk e kemi marrë nga komuna, që do të mundësonte furnizimin e menjëhershëm me naftë dhe rikthimin në funksion të plotë të ndërmarrjes.
* Nënshkrimin urgjent të kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë.
* Zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme që garanton mbështetje institucionale dhe financiare.
* Ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë, të cilët po ofrojnë shërbime paralele duke dëmtuar ndërmarrjen publike.
* Konsultimin e domosdoshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek operimin në territorin e Prishtinës.
* Respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, përfshirë trajtimin me përgjegjësi institucionale.
“Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, greva nuk do të ndërpritet. Çdo zgjidhje e pjesshme është e papranueshme dhe nuk ndikon në vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesin publik, dinjitetin e punëtorëve dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes publike”, thuhet në komunikatë.
Nga 14 maji, ndërmarrja “Pastrimi” e ndërpreu mbledhjen e mbeturinave në Prishtinë, me justifikimin se Komuna nuk ia ka shlyer borxhin prej 2.7 milionë eurosh.
Në Komunën e Prishtinës mohuan se i kanë borxh “Pastrimit”, teksa e akuzuan ndërmarrjen për sabotazh.