Në ditën e dytë të Konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, udhëheqëse gra nga Kosova dhe rajoni ndan përvojat e tyre në thyerjen e tabuve që lidhen me përfaqësimin nga gratë. Ato e theksuan rëndësinë e përfshirjes së gruas në sferën politike e edhe të vendimmarrjes
Prania e grave në sferën politike dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ato gjatë udhëheqjes në nivel lokal dhe atë qendror, janë çështjet që janë diskutuar në tryezën me temë “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, në kuadër të ditës së dytë të Konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, organizuar në Prishtinë.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetare e Komunës së Gjakovës, ka thënë se si gruaja e parë që qeverisi me një komunë, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje.
“Gjakova është një komunë, e cila përqindjen e ka mjaft të lartë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa largimi nga shkolla në moshë të hershme të vajzave nga këto komunitete mbetet ende shqetësues. Megjithatë, diskutimi qoftë për në shkollë fillore apo edhe në familje filloi që prej asaj periudhe, përmes Drejtorisë së Arsimit. Më ndihmonte që bartëse e Drejtorisë së Arsimit të ishte një grua profesioniste. Prandaj, edhe komunikimi edhe diskutimi për evitimin e martesave në moshë të hershme ka mbetur fokusi im për katër vjet sa kam qenë kryetare”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka pyetur se pse elektorati nuk arrin ta kuptojë që një grua është e prirë të ketë suksese në udhëheqjen e një komune për shkak të disa arsyeve që i ka përmendur.
“Në momentin e marrjes së detyrës gjithmonë e kam pyetur veten pse nuk janë zgjedhur më shumë gra dhe pse nuk e kupton elektorati qe gruaja është më e prirë të kryejë me sukses nivelin e qeverisjes lokale për shkak të kompleksitetit dhe dimensionalitetit, po ashtu edhe qasjes dhe kontaktit të drejtpërdrejtë sesa burrat. Veçanërisht në kontestin ballkanik, për mënyrën se si rritemi, se si edukohemi dhe ndjeshmërinë që kanë gratë për çështjet prej atyre bazike, siç është qasja në ujin e pijes, angazhimi rreth familjes e deri te ngritja dhe prezenca në sektorin e punës”, ka thënë Kusari-Lila.
E Katarina Axhançiq, zëvendëskryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka theksuar se në këtë komunë janë katër gra drejtoresha, të cilat i vlerësoi si të suksesshme. Adjançiq ka përmendur subvencionet që komuna ndan prej 300 eurosh për çdo fëmijë të lindur apo dhuratë 500 euro për çdo çift të ri, “si shembuj për komuna të tjera”.
“Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila kishte studiuar në Washington është kthyer për të vënë në praktikë përvojën e saj në qytetin ku kishte lindur. Drejtoria e Punës, Sigurisë dhe Mbrojtjes Sociale, kjo pozitë është dedikuar për një grua, sepse kush më mirë do të brengosej për shëndetin e qytetarëve sesa një grua. Pastaj e kemi edhe drejtoreshën e Financave, kjo grua kujdeset shumë për paratë dhe shumë shpejt arrijmë marrëveshje. Dhe kemi drejtoreshën e re për Administratën e Përgjithshme e cila përkrah dhe monitoron punën e të gjitha drejtorive në përgatitjen e çdo gjëje që na mungon”, ka thënë Axhançiq.
Ajo e theksoi nevojën urgjente për rihapjen e shtëpisë së sigurisë për viktimat e dhunës në familje.
E Teuta Arifi, ish-kryetare e Komunës së Tetovës, ka thënë se gjatë mandatit, sfidë kryesore ka pasur fuqizimin e rolit të grave në politikëbërje.
“Në zgjedhjet e vitit 2002 kam qenë deputetja e parë shqiptare etnike që ka arritur të zgjidhet në parlamentin e Maqedonisë atëherë. Nëntë vjet kam kaluar si deputete. Por, sfida ime ka qenë okej e para, por është me rëndësi që kur të dal prej parlamentit mos të jem e fundit... Në fushatë kur thosha ‘a ka diçka që specifikisht duhet me ba për gratë’, dhe njëra prej grave më tha: ‘kurrgjë mos bëj, por veç zgjidhu’. Dhe ka gjëra të cilat kërkojnë këtë elementin e thyerjes së tabusë”, ka thënë Arifi.
Në përmbyllje të tryezës, anëtarja e Grupit të grave deputete, Eliza Hoxha, theksoi se studimet në zhvillimet urbane tregojnë që përfaqësimi i grave mungon edhe në hartimin e dokumenteve zhvillimore dhe të vizioneve për qytetin.
Rezoluta 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”, është miratuar më 31 tetor të vitit 2000 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo rezolutë sjell në vëmendje integrimin e perspektivës gjinore në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore.
Rezoluta kërkon gjithashtu angazhimin e shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së përgjegjësve për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë këtu edhe ato që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe llojet e tjera te dhunës ndaj grave dhe vajzave.