Shqipëria është kandidatura e vetme e ardhur nga Grupi i Evropës Lindore që do të zëvendësojë Estoninë, mandati i së cilës përfundon në fund të vitit 2021. Veç Shqipërisë, 4 shtetet e tjera janë: Gaboni, Gana, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazili
Shqipëria do të zërë një nga vendet si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023. Në New York, në qershor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë për 5 shtetet e reja, të cilat do të jenë anëtare jo permanente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Volkan Bozkir, ka firmosur shkresën drejtuar të gjithë vendeve, ku bën me dije se votimi për 5 anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit do të mbahet më datë 11 qershor. Ndarja e anëtarëve jo të përhershëm është në bazë të zonave gjeografike dhe Shqipëria është kandidatura e vetme e ardhur nga Grupi i Evropës Lindore që do ta zëvendësojë Estoninë, mandati i së cilës përfundon në fund të vitit 2021.
Shqipëria është kandidaturë e vetme nga grupi i Evropës Lindore dhe të gjitha gjasat janë që të marrë 2/3 e votave të nevojshme, shto këtu dhe faktin që asnjëherë deri më sot në historinë e Kombeve të Bashkuara nuk ka ndodhur që një kandidaturë e propozuar dhe e mbështetur nga një grup shtetesh të mos i marrë këto vota.
Lobimi për ulësen në Kombet e Bashkuara ka nisur që në shtatorin e vitit 2018, në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe pritet të finalizohet më 11 qershor, kur Asambleja e Përgjithshme të votojë në favor të Shqipërisë. Veç Shqipërisë, 4 shtetet e tjera janë: Gaboni, Gana, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazili.
Kandidatura e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023 është një zotim për t’u angazhuar në të gjitha përpjekjet që synojnë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, për të mbështetur zhvillimin e demokracisë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Shqipëria është bërë anëtare e OKB-së në vitin 1955. Që nga anëtarësimi i saj, Shqipëria ka përqafuar dhe zbatuar parimet e OKB-së, që për shkak të Kartës së saj themeluese u angazhuan për të ruajtur e për të zbatuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike ndërkombëtare, si dhe për të punuar për barazinë dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria është një vend që ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë globale. Për më tepër, Shqipëria ndjek dhe zbaton një politikë konstruktive rajonale, bazuar në parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të pakicave.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 janë të përhershëm (Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia) ndërsa 10 të tjerë zgjidhen me një mandat dyvjeçar (5 vende çdo vit). Pas kryesimit të OSBE-së gjatë vitit 2020 tashmë 2022 pritet të jetë një tjetër vit i suksesshëm për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.