Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nuk do ta ndërrojnë qasjen e Serbisë karshi Kosovës, përveçse do të mund ta radikalizojnë edhe më tej atë. Në këto zgjedhje, sërish kandidatët shqiptarë për deputetë kanë garuar me lista të ndara. Për këtë, njohësit u kanë vënë faj edhe autoriteteve në Prishtinë e Tiranë
Qasja e Serbisë ndaj Kosovës mund të bëhet edhe më radikale pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, thonë njohës të rrethanave politike.
Profesori Basri Muja shprehet se partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, sërish do të dalë e para në zgjedhje. Sipas tij, përveç me partinë e Ivica Daçiqit, Vuçiqi mund ta zgjerojë koalicionin edhe me parti të tjera fashiste e proruse, çka do ta çojë edhe më tej në regres qasjen e Serbisë karshi Kosovës.
“Presidenti Vuçiq, i cili ndërkohë e ka themeluar njëfarë krahu më radikal të djathtë, parti profashiste, parti proruse, të cilat në një situatë të pa lakmueshme për të, mendoj që do t’i tërhiqte në parlament. Dhe, nëse e shohim nga kjo perspektivë, atëherë kemi një regres, sepse peizazhi politik serb është duke shkuar në të djathtë”, është shprehur ai.
Në këto zgjedhje shqiptarët e Luginës sërish nuk janë bërë bashkë. Ata do të garojnë me dy lista të ndara.
Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, kritikon liderët politikë të Luginës për mungesë uniteti, por edhe dy Qeveritë, në Prishtinë e Tiranë.
“Njëri nga shkaqet është natyrisht përgjegjësia kryesore që është e vetë partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës, të cilat ka vite që tashmë kanë një rivalitet të thellë, i cili për burim dhe motiv ka luftën për pushtet të brendshëm, për pushtet lokal këtu dhe nuk arrijnë të vendosin interesin kolektiv mbi interesin partiak”, ka thënë Kamberi.
Profesori Muja shprehet se mungesa e këtij uniteti do të mund të ndikojë që në këtë legjislaturë, shqiptarët të mbesin tërësisht pa përfaqësim në parlamentin serb.
“Mendoj që do të kishte qenë më mirë që në zgjedhjet parlamentare në Serbi elektorati shqiptar të garonte me vetëm një listë. Sigurisht që gjasat do të kishin qenë më të mëdha për të fituar ndoshta një vend më shumë në parlamentin serb. Por, ka gjasa që ndoshta kësaj radhe populli shqiptar atje nuk do ta ketë asnjë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë”, është shprehur Muja.
Për rrezikun e mosmarrjes së mandateve nga shqiptarët, Kamberi ka dhënë disa arsye.
“Duke pasur parasysh që prej zgjedhjeve të kaluara potenciali elektoral i shqiptarëve në Luginë të Preshevës është tkurrur edhe më shumë, qoftë për shkak të migrimit, qoftë për shkak të pasivizimit të vendbanimeve, atëherë, tashmë sivjet edhe mandati i një deputeti është më i rrezikuar se vitin e kaluar”, ka theksuar Kamberi.
Përveç moskoordinimit të thellë të politikanëve në Luginë, Kamberi vlerëson se përgjegjësi duhet të marrin edhe qeveritë në Kosovë dhe ajo në Shqipëri. Ai thotë se nga të dyja shtetet ka pasur veprime për të kontribuuar në çështjen e Luginës, porse vlerëson se nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta fuqizuar pozicionin e shqiptarëve në Serbi.
Sipas tij, këto zgjedhje në Serbi duhet të shërbejnë si alarm për liderët e ekzekutivit në Prishtinë e Tiranë.
“Edhe kësaj here nuk kanë arritur të gjejnë politika të duhura që do të ndikonin në hartimin e një liste të përbashkët, por edhe kjo do të duhej të shihej pak më thellë që nënkupton që edhe qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri do të duheshin që të merreshin më seriozisht me çështjen e Luginës së Preshevës dhe në mënyrë më sistematike”, ka thënë ai.
Për mosunifikimin e elektoratit edhe Muja u vë faj dy qeverive.
“Mendoj që edhe Qeveria në Tiranë, posaçërisht, por edhe Qeveria në Prishtinë, është dashur që të angazhohen më shumë në mënyrë që të unifikojnë elektoratin në Luginë”, ka thënë Muja.
Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, vitin e kaluar nga kandidatët shqiptarë vetëm Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit, pas përsëritjes së votimit për pesë herë radhazi në një vendvotim në Tërnoc të Preshevës.