Mundësia e rikthimit të tensioneve në veriun e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS, është përmendur në një dokument të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në muajin kur pritet të diskutohet për Kosovën. Aty përmendet edhe mundësia e takimeve mes palëve, për t’u kërkuar zotim se nuk do ta përdorin forcën kundër njëra-tjetrës
Shmangia e tensioneve në veriun e Kosovës në pritje të zbatimit të vendimit për targat ilegale konsiderohet çështja kyç për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në muajin kur pritet të diskutojë për Kosovën. Në parashikimin mujor të përpiluar nga ky Këshilli, i cili mban datën 2 tetor, përmendet mundësia e përshkallëzimit të situatës, duke iu referuar vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS. Nuk përjashtohet as inicimi i takimeve mes palëve dhe një deklaratë zotimi për mossulmim.
“Prioriteti kryesor i Këshillit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë. Një çështje kyç për Këshillin në këtë drejtim është se si të parandalohet përshkallëzimi i tensioneve përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, që rrjedhin nga zbatimi i vendimit të Prishtinës për targat. Anëtarët e Këshillit mund të konsiderojnë hartimin e një deklarate presidenciale që u kërkon të dyja palëve të riangazhohen në përpjekjet diplomatike për të çuar përpara dialogun Beograd-Prishtinë dhe të heqin dorë nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëra-tjetrës”, shkruan në këtë dokument.
Duke parashikuar një përshkallëzim të mundshëm përgjatë kufirit Kosovë-Serbi më 31 tetor, aty thuhet se NATO-ja ka ndërmarrë veprime për trajnimin e ushtarëve rezervë të caktuar të KFOR-it, që mund të përfshijë deri në 1000 ushtarë. KFOR-i aktualisht përbëhet nga rreth 3,700 trupa.
Me gjithë qasjen e Serbisë për ta dramatizuar me situatën, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, thotë se as ajo, e as Rusia nuk kanë fuqi t’i imponojnë argumentet e tyre.
“Në përgjithësi ka një qasje luftënxitëse, konflikt-nxitëse nga Serbia kur ajo u drejtohet disa nga shteteve në rajon, sidomos Kosovës, por edhe Malit të Zi e Bosnjës, për të cilat mendon se mund të ndikojë mbi çështjet e tyre të brendshme apo sovranitetin e tyre”, ka thënë Gashi për KOHËN. “Mirëpo unë besoj që Këshilli i Sigurimit nuk do të jetë më një arenë ku Rusia e Serbia mund të bëjnë argumentet e tyre kundër Kosovës, siç kanë bërë më herët për shkak se lufta në Ukrainë e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Rusisë për të komentuar mbi çështjet e tjera në botë. Kështu që nuk e parashoh se do të ketë një betejë të tillë”, ka thënë Gashi.
Edhe emisari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitave në Prishtinë e Beograd ka thënë se pret të gjendet një zgjidhje për targat ilegale të Serbisë. Optimizmin e ka shfaqur pavarësisht përcaktimit të kryeministrit Kurti që serbët deri në fund të tetorit, kur edhe përfundon afati, t’i përgjigjen thirrjes për kalimin nga targat ilegale në ato RKS. Kurti pas takimit të 18 gushtit në Bruksel, pati zbuluar se një nga propozimet e Lajçakut kanë qenë targat neutrale për serbët në veriun e Kosovës. Por ai e ka kundërshtuar opsionin e targave të UNMIK-ut, prodhimin e të cilave Kosova e ka ndalur në vitin 2018.
Por, sipas Gashit, zgjidhje tjetër është e pak mundshme të bëhet, por nuk e përjashton mundësinë të kërkohet shtyrja e afatit për zbatimin e vendimit për targat.
“Mendoj se mesazhet që mund të ketë zgjidhje të tjera më shumë kanë të bëjnë me shtyrjen e afatit dhe lejimin që edhe për një kohë të mos pajisen qytetarët serbë që janë në pjesën veriore me targa, por jo që do të ketë një zgjidhje tjetër kreative për vetë targat. Zgjidhja do të jetë ajo që qëndron, këtu mund të kemi lëvizje afatesh kohore derisa të mund të zbatohet plotësisht”, ka thënë ai.
Sipas vendimit të Qeverisë, regjistrimi ka nisur nga 1 gushti dhe do të zgjasë deri më 31 tetor të këtij viti. Kësisoj, pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.
Në anën tjetër, pavarësisht shmangies së tensioneve më 1 shtator kur pritej që Kosova ta aplikonte reciprocitetin në letërnjoftime, zyrtarët serbë kanë vazhduar ta dramatizojnë situatën. Sipas tyre, tensionet mund të rikthehen nëse Qeveria insiston në targa RKS për serbët e Kosovës. Beogradi vazhdon t’u bëjë thirrje serbëve që të mos i përgjigjen vendimit të Prishtinës zyrtare për konvertimin e targave.
“Besoj se veprimet e Serbisë gjithsesi bëjnë që të ketë më shumë gjasë për një konflikt, të nxitur në mesin e njerëzve në veri. Në të njëjtën kohë besoj se ka një vëmendje shumë më të madhe ndërkombëtare dhe të NATO-s për çështjet e sigurisë. Kështu që mund të ketë aty këtu ndonjë rast, ndonjë ngjarje, por gjendja në përgjithësi do të mbahet në kontroll për shkak të vëmendjes më të madhe për të mënjanuar një konflikt të mundshëm”, ka vlerësuar Drilon Gashi.
Këshilli i Sigurimit në parashikimin mujor po ashtu ka kërkuar t’u jepet fund vonesave në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i deritashëm i Brukselit, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Vonesa në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës, gjithashtu mbetet një çështje kyç për Këshillin. Anëtarët mund të konsiderojnë të thërrasin një dialog interaktiv joformal ose një takim privat për të diskutuar këtë çështje me përfaqësuesit nga Kosova dhe Serbia, me pjesëmarrjen e Borrellit dhe Lajçakut”, shkruan më tej aty.
Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar diskutimet për themelimit e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke insistuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse në qendër të së cilës është njohja e ndërsjellë.
Modifikimi i mandatit të UNMIK-ut dhe tërheqja e mundshme e tij është një pikë tjetër, që, sipas raportit, ka prodhuar mosmarrëveshje mes anëtarëve të Këshillit. SHBA-ja është propozuesi më i zëshëm për dhënien fund të UNMIK-ut në Kosovë dhe për t’i reduktuar raportimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.