Arbëri

Shahini: Përparim Ramën e ka penguar edhe partia e tij, por edhe ai ka bllokuar një projekt milionësh

besa

Kandidatja e PSD-së për Prishtinën, Besa Shahini, ka thënë se kryetarin aktual të kryeqytetit, Përparim Rama, e ka penguar edhe partia e tij në Asamblenë Komuna për projekte, por se dhe ai vetë ka qenë bllokues.

Shahini ka shtuar se derisa Rama është ankuar për akterë të tjerë si pengues, partia e tij shpesh e ka penguar duke mos ia votuar propozimet që i ka dërguar në Asamble.

“Niveli qendror ka bllokuar është e qartë, që niveli qendror do të bllokojë në kohë zgjedhjesh edhe kjo është e pritshme. Duhet të theksohet se punët përgatitore nuk janë kryer për punë infrastrukturore. Edhe vetë Përparim Rama ka bllokuar. Kompania Pastrimi po rrezikon ta humbë një investim të madh nga Banka Zhvillimore gjermane sepse nuk po e merr një konfirmim nga kryetari që do të punojë me këtë ndërmarrje për 10 vjetët e ardhshme për pastrimin e qytetit. Ai ka vendosur ta privatizojë këtë shërbim dhe e kanë penguar një proces që do ta riorganizonte gjithë trajtimin e mbeturinave në qytet”, ka thënë ajo në “Konfront”.


Shahini: Unë po punoj për fitore, Prishtina ka ditur të befasojë

Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka deklaruar se është e përkushtuar për të fituar garën zgjedhore, pavarësisht se kundërkandidatët e saj gëzojnë mbështetje më të madhe partiake.

Në një intervistë në emisionin “Konfront”, Shahini theksoi angazhimin e saj dhe të ekipit në terren dhe u shpreh se fushata po përparon me ritme pozitive.

“Kundërkandidatët mbështeten nga të fuqishmit, i kanë partitë më të mëdha, por unë po punoj për të fituar. Vetëm në muajin qershor kemi takuar mbi 2300 njerëz”, ka thënë ajo, duke shtuar se në muajt në vijim ky numër pritet të rritet ndjeshëm.

Ajo vuri në dukje se këshillat lokalë të kryeqytetit janë shumë aktivë dhe se komuniteti po tregon gatishmëri për të shtyrë përpara çështjet që i preokupojnë.

“Takimi po e nxit takimin. Po punoj për fitore. Prishtina gjithmonë ka befasuar. Nuk do të befasohesha nëse do të befasohemi përsëri”, përfundoi Shahini.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 13 tetor.

Në Prishtinë pos Shahinit kandidon edhe kryetari aktual nga LDK-ja, Përparim Rama, derisa VV-ja e vendosi Hajrulla Çekun. Uran Ismaili është kandidati i PDK-së, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së.


Shahini: Prishtina është bërë e pabanueshme

Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për Prishtinës, ka thënë se ka vendosur të kandidojë për kryetare të kryeqytetit sepse e sheh Prishtinën të pabanueshme aktualisht.

Ajo në “Konfront” të KTV-së ka theksuar se në vitet e fundit qytetarët e Prishtinës nuk po jetojnë mirë dhe i kanë ankesat e njëjta që i ka dëgjuar edhe katër vjet më parë.

“Prishtina sot është një qytet ku njerëzit nuk po ndihen komod, nuk po jetohet shumë mirë. Po flasim për përditshmëri, nga ecja në shkollë te ngecja ën trafik, te shërbimet që i marrim, pastrimi i qytetit, gjërat bazike që e bëjnë një qytet kryeqytet. Prej se jam kthyer nga Shqipëria, si qytetarë e këtij qyteti i kisha të njëjtat ankesa. Vendosa që të kontribuoj, të përpiqem të bëj një ndryshim në këtë qytet që të bëjmë një përmirësim në mënyrën si jetojmë”, ka thënë ajo.