Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, dokument i cili sfidë kryesore për sigurinë e vendit e konsideron pretendimin territorial të Serbisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta minuar shtetësinë e Kosovës. Sipas dokumentit, integrimi jo i plotë i veriut të Kosovës i mundëson Serbisë që në vazhdimësi të shfrytëzojë raportet ndëretnike në favor të qëllimeve të saj armiqësore. Integrimi në NATO dhe BE shihet si orientimi kryesor strategjik në funksion të sigurisë së rajonit
Sfida kryesore e sigurisë për Kosovën është pretendimi territorial i Serbisë dhe përpjekja aktive, e vazhdueshme e shtetit serb për të parandaluar përparimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike. Kjo është theksuar në strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, e cila është miratuar të hënën në mbledhjen e qeverisë.
Aty flitet edhe për mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj sovranitetit dhe integriteti territorial të Kosovës.
“Mundësia e një sulmi ushtarak konvencional ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nuk është e lartë, kryesisht për shkak të prezencës dhe mandatit të forcave të udhëhequra nga NATO-ja. Në çfarëdo rasti, mjedisi dinamik global dhe rajonal i sigurisë, imponon që një kërcënim i tillë të vlerësohet në mënyrë konstante si dhe të merret në konsideratë, sepse pavarësisht se veprimet eventuale ushtarake aktualisht frenohen, Serbia e ka bërë të qartë qëllimin e saj për mundësinë e ndërhyrjes, dhe në vazhdimësi demonstron rritjen e mjeteve dhe kapaciteteve ushtarake”, shkruan në draft strategji.
Ndërhyrjet në veri
Dokumenti bazë për sigurinë e vendit, evidenton se ndërhyrja në çështjet e brendshme nga shteti serb nëpërmjet ndikimit dhe instrumentalizimit të popullatës lokale të komunitetit serb, përqendrohet kryesisht në pjesën veriore të Kosovës.
“Integrimi jo i plotë i kësaj pjese të popullatës i mundëson Serbisë që në vazhdimësi të shfrytëzojë raportet ndëretnike në favor të qëllimeve të saj armiqësore dhe subversive. Këto aktivitete kanë për synim destabilizimin, pengimin e funksionalitetit dhe zhvillimit afatgjatë të vendit”, thuhet në draft dokumentin, që ka kaluar edhe nëpër konsultim publik.
Në rast të rrezikut për luftë, Kosova do të mobilizonte gjithë popullin e saj dhe siç shkruan në strategji, shfrytëzon gjithë potencialin ushtarak, ekonomik dhe kapacitetet e tjera në mbrojtje të vendit, pavarësisht fuqisë së kundërshtarit.
“Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial realizohet në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me praninë e trupave ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja dhe me partnerët strategjikë të Kosovës”, thuhet në dokument.
Nga rreziqet e tjera, qeveria ka listuar ekspozimin ndaj kërcënimeve hibride, që përfshijnë elemente jokonvencionale, asimetrike, operacione të shtrirjes së ndikimit, dhe sulme kibernetike të cilat synojnë dobësimin e sovranitetit të vendit.
Për t’u përballur me kërcënimet, rreziqet dhe sfidat që i kanosen vendit, me strategji janë paralajmëruar përpjekje drejt vazhdimit të identifikimit, rekrutimit, zhvillimit dhe ruajtjes së nëpunësve të sektorit publik dhe profesionistëve të tjerë që i shërbejnë shtetit.
Nëpërmjet strategjisë, qeveria ka shprehur përcaktimin që Politika e jashtme dhe e sigurisë reflekton interesin dhe aspiratat e popullit të Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe në Kombet e Bashkuara, si garancia e vetme për të siguruar paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon.
Fuqizimi i mekanizmave të sigurisë
Në funksion të kësaj, është paralajmëruar fuqizimi i mekanizmave të sigurisë.
Institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes fuqizohen më tutje duke rritur në mënyrë të vazhdueshme kapacitetet njerëzore, teknologjike dhe sistemet e mbrojtjes. Funksioni primar që i përshkruhet Forcës së Sigurisë së Kosovës është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe pavarësisë nga kërcënimet dhe rreziqet që mund t’i kanosen.
“Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillon dhe mirëmban aftësitë ushtarake për mbrojtje, lëvizshmëri e manovrim dhe kapacitetet e tjera të mbështetjes luftarake me qëllim të funksionit mbrojtës”, shkruan në strategji. “Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja avancojnë dhe modernizojnë sistemin e personelit aktiv dhe rezervë, forcojnë kapacitetet e inteligjencës së mbrojtjes, sistemet e armatimit dhe kapacitetet e tjera të veçanta, në përputhje me nevojat strategjike, kërkesat operacionale dhe taktike”.
Strategjia parasheh edhe zhvillimin dhe ngritjen e inteligjencës shtetërore; Ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës; Luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; si dhe Menaxhimin e emergjencave; si dhe Luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ngjashëm me vendet e tjera të rajonit, niveli dhe perceptimi i korrupsionit në vend, ndikon negativisht në thithjen e investimeve të huaja dhe në imazhin në arenën ndërkombëtare. Tutje ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik, shërbime efektive dhe efikase publike dhe shtetërore, dhe në masë të madhe ka ndikim në besueshmërinë në institucionet shtetërore. Sektori i sundimit të ligjit, prokurimi, dhënia e lejeve dhe licencave mbesin të cenueshme ndaj korrupsionit”, shkruan në strategji.
Reformat e ngadalshme në sundimin e ligjit, arsim, zhvillim ekonomik shëndetësi dhe administratë publike, siç shkruan në dokument, vazhdojnë të krijojnë sfidë për përmbushjen e nevojave të tanishme dhe të ardhshme të qytetarëve.
“Këto sfida kanë ndikuar që të ketë intervale të kohëpaskohshme të emigrimit të ligjshëm dhe të paligjshëm në dekadën e fundit, kryesisht drejt vendeve të zhvilluara perëndimore”.
Kurti: Synim strategjik, anëtarësimi në NATO dhe BE
Sipas kryeministrit Albin Kurti, strategjia është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore e në veçanti me ata të fushës së sigurisë.
“Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë e cila i njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë sonë dhe njëkohësisht paraqet mundësitë dhe vizionin për të ardhmen tonë. Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore e në veçanti me ato të fushës së sigurisë. Ajo i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm përfshirë me përfaqësitë e shteteve të QUINT-it dhe shteteve të tjera mike”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se strategjia paraqet objektiva të ndërlidhura me interesa shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në struktura euroatlantike dhe mekanizmat tjera ndërkombëtare.
“Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshme të Kosovës dhe rajonit. Në këtë drejtim, Kosova do të aplikojë në programin e partneritetit për paqe dhe anëtarësimin në Kartën e Adriatikut si dhe mekanizmat e tjerë rajonal të sigurisë. Njëkohësisht Kosova do të aplikojë për statusin kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Pas miratimit të Strategjisë edhe nga Kuvendi i Kosovës, Sekretariati i Këshillit të Sigurisë do të ngarkohet me zhvillimin e planit të veprimit për zbatimin e saj. Kjo është strategjia e dytë e sigurisë që nga shpallja e pavarësisë.