Arbëri

Selmonaj: Nëse KQZ-ja gaboi, organet tjera ia japin të drejtën për certifikim Listës Serbe

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmonaj, ka thënë se në rast se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikim të Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit është i gabuar, janë organet e tjera që mund t’ia japin të drejtën për certifikim këtij subjekti politik.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Selmonaj ka thënë se po bëhet vetëm zhurmë lidhur me këtë vendim. 

“Është mirë që kemi afat kohor. Nëse refuzohet edhe nga PZAP-ja, është edhe mundësia tjetër te Gjykata Supreme. Kjo është vetëm një zhurmë më shumë që po bëhet në opinion. KQZ-ja e ka rolin e vet kushtetues. Nuk jemi aty për të komentuar se çfarë thotë Lista Serbe, ne zbatojmë ligjet që janë të aprovuara në Kosovë. Zbatojmë një ligjshmëri e kushtetutshmëri që është para nesh dhe merremi me organizimin e zgjedhjeve dhe jo komentet se çka flasin subjektet politike. KQZ-ja dje e ka bërë veprimin, nëse e ka marrë vendimin e gabueshëm janë organet tjera që ia japin të drejtën për certifikim Listës Serbe”, ka thënë ai. 

Selmonaj ka shtuar se ky vendim u mor pas dyshimeve të shfaqura nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. 

“Lista Serbe e ka shfrytëzuar një të drejtë ligjore të cilën e ka për 48 orë. Përfaqësuesit e LVV-së shfaqën dyshimet e veta sa i përket certifikimit të Listës Serbe dhe patën arsyet e veta ata dhe në këtë mënyrë z.Elshani nga ana e opozitës bëri një kërkesë shtesë përmes së cilës iu drejtua kryesuesit që të ketë informata më shumë rreth dyshimeve të ngritura nga përfaqësuesit e VV-së dhe organet tona shtetërore, siç është proceduralisht për të gjitha subjektet politike që garojnë në zgjedhje, i nënshtrohen një procedure të verifikimit. Në këtë mënyrë edhe Lista Serbe iu është nënshtruar asaj procedure, ku Këshilli Gjyqësor, MPJ-ja, MPB-ja nuk kanë dhënë ndonjë vërejtje të veçantë. Ne kemi kërkuar që të kemi informata shtesë prej organeve tona kompetente dhe të hetuesisë dhe përderisa nuk kemi informata shtesë, pjesa më e madhe që jemi brenda KQZ-së si bord jemi tërhequr nga votimi dhe në këtë mënyrë nuk është certifikuar”, ka thënë ai.