“Qartësisht se çështja e pakicës serbe është një nga pyetjet kritike së cilës duhet dhënë zgjidhje. Pakoja e Ahtisaarit u projektua me shumë kujdes nga ekspertët kryesorë ndërkombëtarë mbi të drejtat e pakicave. Ajo e ka autoritetin dhe ofron një zgjidhje të ekuilibruar”, ka thënë Kai Jürgen Mikael Sauer, ish-këshilltar i lartë i presidentit Marti Ahtisaari
Pakoja e Ahtisaarit është dokumenti më i mirë i prodhuar ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor, që mund të ofrojë zgjidhje të ekuilibruar në fazën finale të dialogut. Kështu ka thënë Kai Jürgen Mikael Sauer, që ka qenë pjesë e ekipit të presidentit Marti Ahtisaari në hartimin e propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Pakoja e Ahtisaarit u projektua me shumë kujdes nga ekspertët kryesorë ndërkombëtarë mbi të drejtat e pakicave. Ajo e ka autoritetin dhe ofron një zgjidhje të ekuilibruar”, ka theksuar Saueri, aktualisht nënsekretar i shtetit të Finlandës.
Në kuadër të diskutimeve të fundit për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi kanë qarkulluar edhe disa “non paper”, që nuk e përjashtojnë mundësinë e rihapjes së Pakos së Ahtisarit.
“Ka shumë lloje të thashethemeve që qarkullojnë, por unë nuk kam parë ndonjë propozim zyrtar”, ka deklaruar Sauer, në një intervistë ekskluzive për KOHËN, në prag të vizitës zyrtare në Prishtinë.
I pyetur nëse ka rrezik të shkohet përtej kompromisit që ka bërë deri më tani Kosova, diplomati finlandez, që për pesë vjet ka shërbyer si këshilltar i lartë në UNMIK, ka shtuar se negociatat nënkuptojnë njëfarë gatishmërie për kompromise.
Sipas tij, kjo vlen për të dyja palët dhe qëllimi përfundimtar është të arrihet një zgjidhje, e cila është e qëndrueshme, i shërben interesit afatgjatë të palëve dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.
“Çelësi është të krijohet një zgjidhje e punueshme jo vetëm për një entitet, por për rajonin. Status quoja nuk përfaqëson një zgjidhje optimale as për Kosovën, as për Serbinë, dhe të dyja duhet të integrohen përfundimisht në Bashkimin Evropian. Aktualisht ne jemi shumë larg këtij qëllimi”, ka theksuar ai.
Saueri konsideron se çështja e pakicës serbe është një nga pyetjet kritike së cilës duhet dhënë zgjidhje.
Në intervistë Saueri ka folur për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Finlandës, si dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Marrëdhëniet Kosovë-Finlandë
KOHA: Z. Sauer, cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë, që nuk është e para pasi në periudha të mëhershme keni qenë i angazhuar këtu?
Sauer: Qëllimi i vizitës sime është të takohem me Qeverinë e re të Kosovës, të diskutojmë çështjet aktuale dhe të transmetoj rëndësinë e përfshirjes në dialog më Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
KOHA: Si i vlerësoni marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe në cilat fusha shihni mundësi për avancim të bashkëpunimit?
Sauer: Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera, që mbështeten nga përfaqësimi ynë diplomatik shumë dinamik në Prishtinë. Gjithashtu fakti që jam këtu është konfirmim i kësaj marrëdhënieje të fortë. Kosova është ndoshta vendi më i njohur i Ballkanit Perëndimor te publiku finlandez, falë angazhimit tonë të gjatë politik, ushtarak e ekonomik dhe falë diasporës. Diaspora e Kosovës në Finlandë është një pjesë aktive dhe mirë e integruar në shoqëri. Diaspora ka shumë potencial për t'i lidhur vendet tona edhe më pranë, gjithashtu kur bëhet fjalë për biznes dhe tregti. Ka vend për të përmirësuar marrëdhëniet tona ekonomike.
Megjithatë, investimet e huaja kanë nevojë për një klimë të parashikueshme e të qëndrueshme biznesi, duke përfshirë një sistem funksional gjyqësor. Punët dhe drejtësia shkojnë dorë për dore: Sundim më i mirë i rendit dhe ligjit do të thotë më shumë investime dhe më shumë vende pune. Ne e shohim të ardhmen e Kosovës si pjesë të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, pranimi në BE kërkon normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu, duhet plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit. Veçanërisht reformat në fushën e sundimit të ligjit janë thelbësore. Finlanda është gati ta ndihmojë Kosovën me reformat që ndërlidhen me BE-në. Për shembull, ne jemi aktivë në të ashtuquajturin “bashkëpunim binjakëzues”. Projektet e binjakëzuara të financuara nga Bashkimi Evropian mbështesin zhvillimin e administratës dhe legjislacionit në zgjerimin e BE-së dhe vendet e fqinjësisë së mirë. Ne kemi përvoja të mira me projektet e binjakëzimit në Kosovë dhe jemi të prirë të vazhdojmë këtë bashkëpunim. Finlanda gjithashtu është pjesë e misionit të KFOR-it dhe EULEX-it. Meqë ra fjala, Kosova nuk është i vetmi vend në botë me një të kaluar të dhimbshme. Finlanda gjithashtu ka përvojë në kapërcimin e një historie të vështirë dhe ndërtimin e besimit me një fqinj të madh. Mund t'i krahasojmë mësimet.
“Nevojitet përkushtim në dialog”

KOHA: Ju keni qenë pjesë e ekipit të Marti Ahtisarit që propozoi Pakon, mbi bazën e së cilës Kosova e shpalli Pavarësinë më 17 Shkurt 2008. Pas më shumë se 12 vjetësh, si e shihni këtë zgjidhje dhe a ka qenë e duhura?
Sauer: Zgjidhja më e mirë do të kishte qenë një zgjidhje e pranuar ndërkombëtarisht. Kjo, megjithatë, u bllokua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, Kosova ka shpallur Pavarësinë, por për t'u pranuar në mënyrë universale, Kosovës i duhet të angazhohet në dialog me Serbinë.
KOHA: A do të donit të ndryshonit diçka nga Pakoja e Ahtisaarit?
Sauer: Dikush ka thënë se pas konfliktit, Pakoja e Ahtisaarit është dokumenti më i mirë i prodhuar ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor. Unë vetëm mund të pajtohen me këtë karakterizim.
KOHA: Në kuadër të diskutimeve të fundit për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi dhe disa “non paperve” që kanë qarkulluar nuk e përjashtojnë mundësinë e rihapjes së Pakos së Ahtisaarit. Si e komentoni këtë?
Sauer: Ka shumë lloje të thashethemeve që qarkullojnë, por unë nuk kam parë ndonjë propozim zyrtar.
Kompromiset që kërkohen
KOHA: Cili është rreziku nëse shkohet përtej kompromisit që ka bërë deri më tani Kosova?
Sauer: Fakti që ju hyni në negociata nënkupton se njëfarë gatishmërie për kompromise është pranuar. Kjo vlen për të dyja palët. Qëllimi përfundimtar është të arrihet një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, i shërben interesit afatgjatë të palëve dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.
KOHA: A ekzistojnë zgjidhje brenda Pakos së Ahtisarit, të cilat mund të shërbejnë si bazë për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë? Nëse po, cilat konsideroni se janë ato?
Sauer: Çelësi është të krijohet një zgjidhje e pranueshme jo vetëm për një entitet, por për rajonin. Status quoja nuk përfaqëson një zgjidhje optimale, as për Kosovën as për Serbinë, dhe të dyja duhet të integrohen përfundimisht në Bashkimin Evropian. Aktualisht ne jemi shumë larg këtij qëllimi.
Pakicës serbe duhet dhënë zgjidhje
KOHA: Kërkesat kryesore të serbëve janë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe avancimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Si i komentoni këto kërkesa?
Sauer: Qartësisht se çështja e pakicës serbe është një nga pyetjet kritike së cilës duhet dhënë zgjidhje. Pakoja e Ahtisaarit u projektua me shumë kujdes nga ekspertët kryesorë ndërkombëtarë mbi të drejtat e pakicave. Ajo e ka autoritetin dhe ofron një zgjidhje të ekuilibruar.
KOHA: Aneksi V i propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe Korniza legale e Kosovës, që ka reflektuar këtë propozim, a mund të shërbejnë si pikënisje për ta ndryshuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë?
Sauer: Nuk do të futem në detaje lidhur me interpretimin e planit të Ahtisaarit. Megjithatë, Kosova do të matet me trajtimin që ua bënë pakicave të saj, si dhe respektimin e trashëgimisë fetare e kulturore. Standardet ndërkombëtare dhe evropiane duhet të përmbushen, përndryshe Kosova do të ekspozohet ndaj kritikave dhe rrezikon të humbasë terrenin e saj të lartë moral dhe mbështetjen politike ndërkombëtare.
KOHA: Në takimet që do t’i keni me udhëheqësit e shtetit të Kosovës, a do të trajtohen edhe këto çështje dhe në çfarë aspekti?
Sauer: Jam i sigurt se do të adresojmë një mori pyetjesh gjatë vizitës sime. Ka shumë për të diskutuar midis miqve.