Arbëri

Rrivlerësimi nga Ministria e Financave pritet të rritë çmimet e patundshmërive

Rritja e vlerës së pronës gjatë rivlerësimit nga Ministria e Financave, sipas njohësve të tregut të patundshmërive do të ndikojë në rritje të çmimeve të banesave. Ata thonë se qytetarët kur duan t’i shesin ato do ta përdorin atë vlerësim. Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kundërshtuar këtë proces, duke kërkuar shfuqizimin e tij.

Rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave pritet që ta rrisë edhe çmimin e banesave.

Ani se qytetarët janë ankuar për rritje deri në 100 për qind të tatimit në pronë për vitin 2023, sipas njohësve të tregut të patundshmërive, në të ardhmen në rast të shitjes së këtyre banesave do të përdoret ky vlerësim që është bërë nga Ministria.

Sipas Betim Batushës, udhëheqës i ekipit të shitjes në “Pro Real Estate”, në tre vjetët e fundit çmimet e banesave në kryeqytet janë rritur për rreth 20 për qind.

“Tash ka shumë faktorë. Më aktuale është inflacioni, më herët ishte edhe puna e pandemisë, lufta në Ukrainë ka ndikuar që të ketë rritje të materialeve sidomos për ndërtim, dhe kjo ka bërë rritje të çmimeve...Qendra, Pejtoni, çmimet janë rritur pasi kërkesa është më e madhe”, ka theksuar Batusha.

Në Prishtinë metri katror i banesave sillet nga 1 mijë e 300 deri në 3 mijë euro, varësisht nga ndërtimi dhe zona ku ndodhet objekti.

Edhe Arianit Rrmoku nga “Titan Real Estate” thotë se në dy vjetët e fundit çmimet e pronave të paluajtshme janë rritur për 20-30 për qind krahasuar me periudhat e kaluara.

“Ngritja e tatimit në pronë nënkupton që prona për të cilën është rritur tatimi është vlerësuar më shumë si pronë, pra duhet parë në aspektin pozitiv edhe nga ana e qytetarit të vendit tonë, duke dhënë sqarim që në një të ardhme të afërt do të ketë vlerësim të njëjtë të pronës në rastin e shitjes së patundshmërisë nga secili prej nesh, si qytetar i Prishtinës”, ka deklaruar Rrmoku.

Por partitë opozitare po kërkojnë që ky vlerësim që bëhet çdo tre apo pesë vjet nga MF-ja të shfuqizohet.

Të hënën PDK-ja ka thënë se rivlerësimi i pronave është bërë me metodologji dhe kritere jotransparente.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë, i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”, ka thënë Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të mirë në PDK.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj.

“Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”, ka deklaruar Ferati.

Nga Ministria e Financave kanë thënë se vlerësimi është bërë bazuar në vlerën e tregut.

Ditë më parë Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar që ministri i Financave, Hekuran Murati, ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave, nga i cili është shkaktuar ngarkesa në pagesë.

Sipas Asociacionit, komunat nuk mund të falin tatimin në pronë, siç ka propozuar Murati.