Arbëri

Roli proaktiv i SHBA-së do të varet nga gatishmëria e Kosovës për ta kërkuar atë

Boshllëqet e krijuara në diplomacinë amerikane, si pasojë e mosemërimit të shumicës së ambasadorëve, mund ta zbehin rolin proaktiv të ShBA-së në Ballkan, me theks të veçantë rreth dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti amerikan ka nominuar 78 ambasadorë deri më 5 nëntor, por vetëm shtatë prej tyre janë zyrtarizuar. Në pritje janë edhe ambasadorët e nominuar në Kosovë e Serbi

Mungesa e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në shumë vende dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare ka ngritur dilema rreth rikthimit të autoritetit amerikan në skenën botërore. Shtëpia e Bardhë nuk po ia del ta sigurojë përkrahjen e Kongresit në diplomaci.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nominuar 78 ambasadorë deri më 5 nëntor, por vetëm shtatë prej tyre janë zyrtarizuar.

Në pritje janë edhe ambasadorët e nominuar në Kosovë e Serbi. Për ambasador të SHBA-së në Kosovë është nominuar Jeffrey M. Hovenier, kurse në Serbi diplomati i njohur, Chris Hill.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Aktualisht është zëvendësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara.

Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në Ambasadën e SHBA-së në Berlin, si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington ai ka shërbyer si drejtor për Çështje të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Nominimi i tij duhet të konfirmohet nga ana e Senatit amerikan.

Analisti Agon Maliqi, i diplomuar për Politikat e Zhvillimit Ndërkombëtar në SHBA, e sheh problematike mungesën e ambasadorëve, por shton se administrata aktuale nuk e ka humbur fokusin nga rajoni.

“Përgjithësisht Ballkani nuk figuron lart në radarin e çështjeve kryesore, ku mbizotërojnë kryesisht Kina, por edhe marrëdhëniet me Rusinë që janë dy prioritetet. Në përgjithësi politika e jashtme është lënë në rend të dytë, sepse administrata Biden në vitin e parë ka qenë shumë e përqendruar te çështjet e brendshme, si rimëkëmbja ekonomike. Në Ballkan janë disa korniza elementare të politikave, që janë vazhdimësi e administratës së kaluar, por që i janë shtuar disa elemente, ku të paktën shihet se po përgatitet terreni për një angazhim më serioz”, ka thënë Maliqi për “Kohën”.

“Shtyllat janë vazhdimi dhe zgjerimi i sanksioneve ndëshkuese që ShBA-ja mund t’i përdorë ndaj liderëve rajonalë, qoftë për korrupsion, apo pengimin e proceseve të paqes. Kjo është një masë konkrete e ndërmarrë nga kjo administratë. E kemi emërimin e diplomatëve kryesisht të lartë, Chris Hilli, në Serbi, është një emërim shumë serioz. Pastaj vazhdimi i një politike që i mbështet nismat e pavarësimit energjetik të rajonit prej ndikimit të Rusisë, ku përfshihet edhe projekti i gazit, që u përfol në Kosovë. Dhe një mbështetje për nismën ‘Ballkani i Hapur’”.

Ndërkaq aktivisti i shoqërisë civile, që vepron në ShBA, Drilon Gashi, ka vlerësua se me nominimet e ambasadorëve në Kosovë, Serbi e Bosnjë, ShBA-ja ka dëshmuar se ka interesim shtesë për rajonin.

“Emërimi i ambasadorëve amerikan në Ballkan, sidomos me Hillin, por edhe me Houvenir, që do të jetë në Kosovë, dhe Murphy në Bosnje, tregon se ka interesim shtesë dhe ka njerëz që mund të shtyjnë politika më të rëndësishme për rajonin. Edhe pse janë vonuar ato emërime, unë besoj se do të bëhen shumë shpejt. Mirëpo, përveç ambasadorëve, besoj se preokupimi kryesor tash do të jetë që të sigurojmë që politika amerikane ndaj rajonit është ajo që është mbështetëse ndaj Kosovës, mbështetje ndaj demokracive dhe integritetit territorial në rajon. Besoj se këtu ka nevojë për përpjekje më shumë. Zakonisht sot mendohet për Ballkanin si një rajon ku ka shumë çështje problematike”, ka potencuar Gashi.

Ai ka përmendur problematikën mes Kosovës dhe Serbisë, Malit të Zi dhe problemin në Bosnjë me integritetin territorial të saj.

“Në fakt ajo është paradigma aktuale dhe paradigma e vërtetë do duhej të ishte që Serbia sot është shtet autokratik dhe është nxitëse e destabilizimit në gjithë rajonin. Kështu që më tepër sesa të ketë diplomaci tek e tek, te këto vende duhet të ketë presion mbi Serbinë, e cila me veprimet e saj shkon kundër interesit amerikan në rajon dhe interesit të integrimi euroatlantik”, ka theksuar Gashi.

Edhe pse rolin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi e ka Brukseli, SHBA-ja ka ofruar bashkëpunim për t’i çuar palët drejt marrëveshjes finale. I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u përfshi edhe në negociatat Kosovë-Serbi në Bruksel, që i dhanë fund mosmarrëveshjeve për targat. Vënia në zbatim e kësaj mase nxiti reagimin e serbëve, të cilat për disa ditë bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Kosova nuk është e favorizuar kundrejt Serbisë, pasi Serbia njihet nga të gjitha vendet e BE-së, kështu që duhet pjesëmarrja amerikane. Mirëpo në seancën dëgjimore në Kongres, Gabriel Escobar theksoi se dialogu është nën lehtësimin e BE-së dhe e bëri të qartë këtë pa e përmendur rolin domethënës amerikan. Duhet presion që të ketë një rol zyrtar amerikan, edhe nëse BE-ja ka rol udhëheqës për të shkuar drejt marrëveshjeve të mëdha, që sjellin normalizimin e vërtetë”, ka deklaruar Drilon Gashi.

E, Maliqi thotë se ShBA-ja nuk do të përfshihet, madje edhe mund të na injorojnë në rast se Kosova nuk tregon gatishmëri ose të paktën për një lloj bashkërendimi.

“Deri tash nuk ka pasur sinjale se Kosova e kërkon apo t’i specifikojë kërkesat që të bëhet më bashkëpunuese në njëfarë elaborimi të ndonjë strategjie të përbashkët”, ka theksuar ai.

Gazeta britanike “Guardian” ka shkruar të dielën se boshllëku do të krijojë telashe në diplomacinë amerikane, që konsiderohet se i ka duart të lidhura për shkak të mungesës së përfaqësuesve në skenën ndërkombëtare.

Senati vazhdon të mbetet i ndarë lidhur me emërimin e përfaqësuesve diplomatikë. “Guardian” kujton se si republikanët Ted Cruz nga Teksasi dhe Josh Hawley nga Missouri, kanë ngadalësuar procesin, duke refuzuar aprovimin unanim nga Senati për të propozuarit. Cruz ka kundërshtuar për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues nga tubacionit të gazit rus drejt Gjermanisë dhe dëshiron që administrata e Bidenit të vendosë sanksione për ndaljen e tij. Zyra e tij ka thënë për “Guardian” se Cruz është i përkushtuar që të përdoret çfarëdo leve, që do të rezultonte me “sanksione të detyrueshme”.