Ambasadorët e QUINT-it dhe Zyra e BE-së në Kosovë, kanë organizuar të hënën një pritje për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës, raporton Ekonomia Online.
Përveç ambasadorëve, aty i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, u shpreh krenar që Kosova ka qenë një nga shtetet mbështetëse të Ukrainës që nga fillimi, krahas me vendet e Bashkimit Evropian, edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet.
Ai ka theksuar se Prishtina e ka mbështetur Kievin në shumë forma, e se qytetarët e Kosovës e kanë ndier dhimbjen e ukrainasve qe nga ditët e fillimit te luftës.
“Jam krenar që Kosova ka qenë një nga shtetet mbështetëse që nga fillimi krahas me vendet e Bashkimit Evropian. Edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, qytetaret e Kosovës kane bashkëndier dhimbjen e ukrainasve qe nga ditët e fillimit te luftës. Prishtina e ka mbështetur Kievin në shumë forma, përmes mbështetjes emocionale, asaj ushtarake dhe duke siguruar një vend të sigurtë për gazetarët ukrainas, të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës”, ka thënë Rohde.
Ndërsa, kryeministri Abin Kurti, ka thënë se mbështetja e Kosovës për Ukrainën dëshmon “përpjekjen për të bashkëvepruar me partneret tanë ndërkombëtar ndaj agresionit rus”.
“Mbështetja e Kosovës për Ukrainën në këtë kohë kur ka nevojë dëshmon përpjekjen tonë për të bashkëvepruar me partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj agresionit rus”, ka thënë Kurti.