Arbëri

Rizvanolli krenohet me projektligjin për fondin sovran, opozita e kritikon

Ministrja e Ekonomisë, Artanre Rizvanolli, ka thënë se me projektligjin për fondin sovran i hapet rruga krijimit të këtij fondi.

Ajo në mbledhjen e Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku po shqyrtohet ky projektligj, ka thënë se ky është një nga reformat më të mëdha për zhvillimin ekonomik.

“Do jetë shoqëri aksionare në pronësi të plotë të republikës. Do të menaxhojë me ndërmarrjet publike dhe me pasuritë strategjike të Kosovës. Do të mundësojë prurjen e investimeve të jashtme. Do të marrë përsipër ndërmarrjet publike. Ekspertet kanë ardhur deri të një model i veçantë që i përshtatet Kosovës. Projektligji parasheh rregulla për investime të kujdesshme brenda e jashtë vendit. Fondi do të pajiset mirë për menaxhimin e mirë të pasurive. Asetet nga agjencia e privatizimit duhet t’i barten fondit. Fondi sovran gëzon pavarësi funksionale operacionale”, ka theksuar Rizvanolli.

Por ky projektligj është kritikuar nga deputetët e opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se problemet mjedisore që sipas tij futen në ndërmarrje më anë të këtij Projektligji janë serioze. “Mund të thoni janë të trashëguara, e saktë, ndërmarrjet janë të sistemeve. Në nenin 8 ka tri fjalë që për mua paraqesin shqetësim. Çështja sociale është problem, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve kanë mijëra punëtorë. Kush i zgjidh problemet sociale që afektohen nga ky ligj, nga këto asete. Termin ‘bartje’ juridikisht nuk e kam të qartë a është privatizim, shitje, shpronësim? Çka do të thotë bartja? Me kaq sa është paraparë për fondin 20 milionë nuk i plotëson as shërbimet elementare. Parashihet themelimi i një akademie. Çka i duhet fondit sovran akademia a nuk i besoni shkollës, universiteteve këtu? Apo doni të krijoni një akademi të Qeverisë, tuajën. Ta themeloni edhe fondin edhe akademinë paralel, nëntekst i bije që keni thënë nuk keni kuadro, kapacitete”, ka theksuar Shala.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Pal Lekaj ka thënë se mendon që Projektligji ka shumë paqartësi dhe se mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse mendoni që mund të bartni prej AKP-së diçka që veç ia ndërroni emrin është e pakuptimtë. Jeni duke hyrë në një ligj që nuk do te jetë i implementueshëm asnjëherë. Ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, ka theksuar Lekaj.

Përkundër kritikave të opozitës Projektligji ka kaluar në parim.