Opsionet që implikojnë ndryshim të kufijve në Ballkan do të bien poshtë përfundimisht me ndryshimet që prodhuan zgjedhjet në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i ri, Joe Biden, i cili e njeh prej dekadash historinë politike të Ballkanit, ka përjashtuar ndryshimin e hartës së Ballkanit edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Analisti politik në Këshillin për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel, Bodo Weber, ka thënë për KOHËN se negociatat do t’iu kthehen parimeve origjinale, me synimin që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.
“Definitvisht do t’i jepet fund episodit të rrezikshëm dhe shtyrjes së palëve drejt një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh. Rikthimi i dialogut brenda kornizës origjinale do të bëhet duke ruajtur parimet themelore të tij- se ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan është e tejkaluar. Serbia duhet t’i kthehet politikës e cila bazohet në realitet, duke pranuar se e ka humbur prej kohësh Kosovën, në mënyrë që të bëhet një partner i vërtetë i Perëndimit”, ka thënë Weber.
Krahas ish- presidentit Trump, për devijimin e dialogut Weber ka bërë bashkëfajtore edhe ish-shefen e BE-së Federica Mogherini.
“Pas tre vjetësh negociata dhe të ashtuquajturës fazë e re, në procesin e dialogut pas Mogherinit që kishte minuar negociatat, edhe administrata e Trumpit me Grenellin veproi njësoj, ku asnjëherë nuk ka pasur negociata për një marrëveshje të vërtetë dhe ligjërisht të obligueshme”, ka theksuar Weber.
“Me Bidenin në krye të SHBA-së, ne do t’i kthehemi një bashkëpunimi të ngushtë dhe do t’u jepet fund veprimeve të njëanshme të Shtëpisë së Bardhë. Unë pres që një administratë Biden t’i përmbahet kërkesës së dy administratave të mëparshme për angazhim më të madh global të Bashkimit Evropian, duke pranuar rolin udhëheqës të tyre edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Weber.
Zyrtarisht Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet i mandatuari i vetëm nga OKB-ja sipas një rezolute të vitit 2011, për ta lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. BE-ja vazhdon të proklamojë unitet karshi qasjes që synon të aplikojë në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke tentuar t’i shtyjë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.
Marrëveshja e Uashingtonit “integrohet” në BE
Sa i përket marrëveshjes së 4 shtatorit të ndërmjetësuar nga Trumpi, sipas analistit gjerman, çështjet ekonomike sikurse ajo për mini- Shchegenin do të zhvendosen brenda kontekstit të Bashkimit Evropian. Kurse pika e marrëveshjes që flet për zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, siç ka thënë Weber, do të bjerë në momentin që Biden futet në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe pse marrëveshja e zotimeve u quajt historike nga presidenti Trump dhe nga delegacioni kosovar, asaj i mungon elementi kryesor të cilin e kishin proklamuar në vazhdimësi kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. Delegacioni kosovar i udhëhequr nga Hoti ishte zmbrapsur nga përcaktimi që marrëveshja me Serbinë ta ketë edhe “njohjen e ndërsjellë”. Kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se në draftin fillestar ishin përfshirë edhe “njohja e ndërsjellë” dhe emërtimi “Republika e Kosovës”, por që janë hequr në marrëveshjen finale. Hapja e linjave ajrore, hekurudhore e rrugore, si dhe integrimi i Kosovës në zonën e mini-Schengenit ballkanik, pas disa vjetësh refuzim - janë pikat mbi të cilat kanë vënë firmën Kosova e Serbia.
Atë që nuk e bëri Trumpi është zotuar ta finalizojë presidenti Biden. Në kulmin e fushatës, ekipi i tij ka publikuar një dokument, në të cilin thuhet se Biden do të angazhohet që palët të shkojnë drejt njohjes së ndërsjellë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Bideni ka premtuar anulim të qasjes së Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, “duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.
Po ashtu, Bideni është zotuar se do të punojë me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun, “me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja e plotë reciproke”.
Rikthimi i rolit tradicional amerikan
Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike pret që Shtëpia e Bardhë nën udhëheqjen e Bidenit të bëjë ndryshime serioze në politikën e jashtme, duke e rikthyer atë në një drejtim më tradicional që natyrshëm është me i ashpër ndaj Rusisë dhe qeverive autoritare nëpër botë.
“Natyrisht që një perspektivë e tillë amerikane është shumë e ashpër ndaj Rusisë dhe satelitëve të saj, siç janë Serbia me Vuçiqin dhe Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë”, ka theksuar Loxha.
“Ne presim që ky ndryshim të reflektojë në dialogun Kosovë-Serbi, në të cilin Shtëpia e Bardhë do të jetë shumëfish më stabile, karshi promovimit të shtetit të pavarur të Kosovës, dhe kundërshtuese e hapur ndaj praktikave të Serbisë dhe Rusisë në fushatën e tyre për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, edhe në raport me dialogun në kuptim të ngushtë, Shtëpia e Bardhë nën udhëheqjen e presidentit Biden konsideroj që do të reflektojë parime shumë më serioze të liberaldemokracisë dhe të vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.
Sipas Loxhës, lëvizja e kufijve apo vendosja e shtetësisë së Kosovës në prizëm të diskutimeve të tilla do të jenë larg dhe nuk do të kenë fare vend në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Ideatorët e ndryshimit të kufijve
Veriu i Kosovës që popullohet me shumicë serbe vazhdon t’i ruajë lidhjet me Serbinë, megjithëse Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e 19 prillit për integrimin e kësaj pjese brenda juridiksionit vendor. Megjithatë, katër komuna atje vazhdimisht janë përmendur në kontekst të pazarit që mund të bëhet me Serbinë. Beogradi zyrtar ka shfaqur synimin që këtë pjesë t’ia shkëpusë Kosovës. Madje shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiqi, në disa raste kishte përmendur ndryshimin e qëndrimit amerikan në raport me çështjen e Kosovës.
Sipas tij, në administratën e Trumpit për herë të parë është shtruar pyetja se çfarë pret Serbia nga marrëveshja finale, “për dallime prej atyre të mëparshmeve që thoshin se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme”.
Për ndryshim kufijsh ka folur edhe ish-presidenti Thaçi, që javën e kaluar dha dorëheqje pas konfirmimit të akuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale. Thaçi e pati transformuar disa herë idenë e “korrigjimit” në shkëmbim territoresh. Mesazhin e pati dhënë teksa ka përmendur “dhuratën” e Aleksandar Rankoviqit. Rankoviqi ka qenë një prej autoriteteve kryesore të Jugosllavisë gjatë viteve ’50, ’60 dhe ’70 të shekullit të shkuar. Me qëllimin për ta rritur përqindjen e serbëve në Kosovë, disa territore që u takojnë komunave në veri, Leposaviq e Zubin-Potok, ia kishte bashkëngjitur Kosovës.
Në periudhën e administratës së presidentit Obama, ku Bideni ishte zëvendëspresident, nuk ka pasur përfshirje direkte të Shteteve të Bashkuara në dialog, duke ia besuar rolin e ndërmjetësit Bashkimit Evropian.
Gjatë vizitave të mëhershme në Kosovë, kërkesë kryesore e Bidenit ka qenë forcimi i shtetit demokratik, si dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Historiku i angazhimit të Bidenit për Ballkanin dhe Kosovën është i hershëm. Pas një vizite në vitin 1993 në Bosnjë-Hercegovinë, Bideni ishte pozicionuar kundër luftimeve e agresionit të Milosheviqit, duke e akuzuar madje presidentin Cinton se po i anashkalonte vrasjet e myslimanëve të Bosnjës. Sa i përket Kosovës, intensitet veprimeve iu dha në fund të viteve ’90, duke iniciuar edhe rezoluta që përshpejtuan ndërhyrjen e SHBA-së për çlirimin e Kosovës.
Pasi u konfirmua president i 46-të i SHBA-së, fitoren e tij e mirëpritën edhe udhëheqësit e Kosovës, të cilët ishin shfaqur të rezervuar gjatë fushatës. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte politikani i vetëm që haptas e mbështeti kandidaturën e Bidenit, duke ua kërkuar votën shqiptarëve që jetojnë në SHBA për llogari të demokratit.