(E përditësuar 17:50) - Disa persona u arrestuan pas bastisjeve në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime lidhur me hetimet për rastin e bartjes së pronave publikë në private në mënyrë të kundërligjshme, ka sqaruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar, e se prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP.
"Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas
intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme,
gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme", njoftoi Prokuroria.
Katër të arrestuar pas bastisjeve në Agjencinë Kadastrale dhe atë të Arkivave
(E përditësuar 12:05) - Katër persona, dy gra dhe dy burra, janë arrestuar nga Policia, pas bastisjeve në Agjencinë e Arkivave dhe atë Kadastrale.
Dyshimet mbi të cilat janë kryer bastisjet kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bastisjet përveç Prishtinës janë duke u kryer edhe në Ferizaj dhe Shtime. Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar të tjerë.




Bastisen dy agjenci shtetërore në tri komuna, shkak keqpërdormi i detyrës
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mëngjesin e së mërkurës ka nisur bastisjet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave. Aksioni po zhvillohet në Prishtinë, Ferizaj e Shtime
Kështu ka konfirmuar për Kohën, Kaltrina Shala, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës dhe atë kadastral të Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacion policor i cili përfshin Prishtinën, Ferizajn dhe Shtimen.
“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Policia.

VIDEO: