Kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka akuzuar ndërmarrjen “Pastrimi” për sabotazh dhe ka thënë se sonte Komuna do të fillojë largimin e mbeturinave.
Rama i ka quajtur të pavërteta deklaratat e menaxhmentit të ndërmarrjes “Pastrimi”, se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro.
“Komuna e Prishtinës ka zero borxh ndaj ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Situata e krijuar si rrjedhojë e mosofrimit të shërbimeve nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, që rrezikon shëndetin publik në kryeqytet, do të përfundojë menjëherë. Sonte, kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se do të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat alternativë që kanë në dispozicion.
“Sabotazha nuk kalon! Ju sigurojmë që Kryeqyteti është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla. Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
“Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë”, ka shkruar tutje Rama.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij “Pastrimi” ka përfituar 11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna e Prishtinës, në bazë të detyrimeve kontraktuale, 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit, 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar nga Komuna dhe 400,000 euro në formë subvencionesh shtesë.
Megjithatë sipas tij, “përkundër kësaj përkrahjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti i ‘Pastrimit’ ka keqpërdorur paranë publike” për siç ka thënë “rritje të pagave për kryeshefin dhe menaxhmentin” si dhe “punësime të panevojshme dhe të motivuara politikisht, në kundërshtim me nevojat reale të kompanisë”.
“Javën e kaluar, si Kryetar i Kryeqytetit, kam thirr seancë të jashtëzakonshme për datën 13 maj 2025, me qëllim të subvencionimit të pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje në vlerë prej 300,000 euro. Për fat të keq, kjo seancë dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së qëllimshme të opozitës”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se Komuna në dhjetor 2024 dhe në shkurt 2025 e ka ftuar zyrtarisht ndërmarrjen “Pastrimi” për të nënshkruar kontratën e shërbimeve. Sipas Ramës kjo është refuzuar qëllimisht nga menaxhmenti i saj, siç ka thënë në një përpjekje të hapur për sabotim politik.
“Kulmi i këtij sabotimi është arritur sot, me ndaljen e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë Prishtinën, ndonëse Komuna e Prishtinës është financuesi më i madh i kësaj ndërmarrjeje. Skandaloz është fakti se kjo ndalesë vlen vetëm për kryeqytetin, gjë që dëshmon qartë motivet politike prapa këtij vendimi”, ka shkruar Rama.