Qytetarët në Ferizaj kanë vazhduar me reagime për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore por edhe të produkteve të tjera nga bizneset.
Po ashtu, rritje të çmimeve së fundi ka pasur edhe nga kompanitë transportuese të udhëtarëve dhe në shumicën e bizneseve të tjera qoftë nga floktarët, furrat e bukës dhe bizneset tjera.
Sipas banorëve, institucionet qendrore duhet të angazhohen rreth kësaj çështje derisa janë rritur edhe çmimet e produkteve më elementare.
Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës “Konsumatori”, ka deklaruar se për çdo ditë po pranojnë ankesa dhe shqetësime të ndryshme nga qytetarët për rritje enorme të produkteve ushqimore dhe produkteve të tjera. Sipas tij, për rritjen e çmimeve ekzistojnë “marrëveshje të fshehura” ndërmjet prodhuesve dhe bizneseve megjithëse sipas tij, vite më parë Qeveria e Kosovës ua pati zbritur prodhuesve çmimet e TVSH-së.
“Fillimisht të gjitha institucionet dhe bordet e tyre janë të politizuara. Shumica e njerëzve të politikës janë biznesmen ose aksionar nëpër biznese të ndryshme. Po ashtu shumica e partive politike financohen nga bizneset. Pra, këto parti, financohen nga partitë dhe ndërkohë ato i rritin çmimet e produkteve dhe askush nuk i pengon. Pra, me këto çmime ne si qytetar i financojmë partitë politike në mënyrë indirekte sepse shumë figura politike kanë biznese. Pra, pas rritjeve enorme të çmimeve ekzistojnë dyshimet se ka marrëveshje të “fshehur” ndërmjet prodhuesve dhe bizneseve”,ka thënë Kaçaniku. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagoi me urgjencë pas rritjeve të çmimeve të produkteve ushqimore etj.
“Qeveria me automatizëm duhet ta kthej mbrapsht TVSH-n që e pati zbritur nga 16 për qind në 8 për qind për biznese prodhuese, madje disa që e kishin 8 për qind ua pati zbritur në zero. Pra, para 7-8 vitesh Qeveria i pati zbritur këto me qëllim që qytetarëve t’i zbresin çmimet e ushqimeve dhe të kenë produkte më të mira, por deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, ka thënë Kaçaniku.
Besim Gashi, banor nga Ferizaj, ka thënë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është e papërballueshme, andaj duhet të merren masa urgjente nga institucionet por edhe nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
“Nuk e di se si po lejohet të ndodh një gjë e tillë derisa përveç çmimeve të produkteve të ndryshme është rritur edhe çmimi i bukës. Kjo është shumë shqetësuese sepse pagat nuk kanë lëvizur asgjë por as pensionet. Nuk e di se si do t’ia dalim si popull me këtë gjendje të rëndë ekonomike. Është shqetësuese se edhe biletat e autobusëve janë rritur dhe gjithçka tjetër që ndërlidhet me jetesën e njeriut, Prandaj kërkojmë nga autoriteti i Konkurrencës dhe nga Qeveria e Kosovës të marrin masa rreth kësaj çështje sepse deri më tash nuk kam parë ndonjë reagim të tyre”, ka thënë Gashi.
Në anën tjetër Autoriteti Kosovar i Konkurrencës gjatë së hënës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Kohës rreth kësaj çështje.
Ndërkohë ditë më parë ky institucion nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se gjatë periudhës së fundit kohore kanë pranuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës.
“Për këtë arsyeje sqarojmë se AKK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg”, thuhet në komunikatën e AKK-së.
Sipas tyre Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg - praktikës së bashkërenduar).
“Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë. Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër”, kanë sqaruar AKK-ja.