Ekzekutivi pritet që me programin qeverisës të vendosë për hapat që do t’i ndërmarrë në lidhje me veprimtarinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Por njohës të çështjeve juridike thonë se ky proces do të jetë i komplikuar, shkaku i detyrimeve me palë që ka krijuar AKP-ja. Sipas tyre, Kosova nuk e ka përmbyllur ende procesin e privatizimit. Pajtohen se duhet rishikim i procesit të privatizimit
Pas këmbënguljes së pezullimit të vendimmarrjes në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Qeveria Kurti pritet që me programin qeverisës të qartësojë hapat që do t’i ndërmarrë lidhur me këtë agjenci.
Gjatë fushatës zgjedhore kryeministri Albin Kurti ka thënë se synon ta shuajë aktivitetin e AKP-së.
Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do të krijohet fondi sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të këtij fondi.
Sipas avokatit Bejtush Isufi, i cili përfaqëson një numër të madh të palëve në Dhomën e Posaçme, një gjë e tillë është e komplikuar, shkaku i detyrimeve me palë që ka krijuar AKP-ja.
“Nuk mendoj se mund të bëhet vetëm një rishikim përmes Ligjit të AKP-së, por kjo duhet të bëhet me një pako të ligjeve që lidhen edhe me atë të Dhomës së Posaçme, pasi këto dy institucione janë të ndërvarura me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka një ngecje dhe duhet të ndërmerret diçka, pasi që edhe pas 20 vjetësh vetëm 38 ndërmarrje janë likuiduar, ndërsa janë diku 700 apo 800 ndërmarrje.
“Duhet të bëhet një vlerësim i aseteve që nuk janë privatizuar ende, duhet të shihen pasojat dhe efektet në të gjithë të përfshirët, edhe Dhoma e Posaçme, AKP, kreditorët dhe punëtorët e ndërmarrjes”, ka theksuar Isufi.
Por, nga Qeveria kanë thënë se veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-së do të qartësohen me program qeveritar që pritet të finalizohet së shpejti.
“Veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-se dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me të do të adresohen përfundimisht në programin e Qeverisë dhe planin e veprimit që presim t’i finalizojmë shumë shpejt”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Edhe Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se shuarja e AKP-së do të duhej të bëhej me një ligj të ri.
“Qeveria mund ta bëjë një gjë të tillë në bazë të obligimeve, ligjeve dhe detyrimeve që i dalin nga Kushtetuta dhe ligje të tjera që derivojnë nga Kuvendi. Nëse Kuvendi pranon një gjë të tillë edhe do të bëhet. A është e rrezikshme që të bëhet një gjë e tillë, nuk e dimë dhe nuk mund të parashikojmë, pasi nuk e dimë se si do të rregullohet tutje kjo çështje”, ka thënë Spahija.
Edhe pse vendet e rajonit kanë kthyer agjencitë e privatizimit në zyrë brenda Qeverisë, sipas avokatit Isufi, AKP-ja nuk ka ardhur në atë pikë, për shkak se ka shumë punë që nuk janë përfunduar.
“Në fazën e fundit të përmbylljes kemi parë që Qeveria ka interes dhe obligim që të racionalizojë veprimtarinë e agjencisë dhe ta kthente në një zyrë në kuadër të Ministrisë së Financave, e cila zyrë do të përfundonte kryesisht transaksione financiare që kanë mbetur të papërfunduara. Por unë mendoj që ende nuk kemi ardhur aty dhe ka shumë punë që do të duhej të bënte agjencia, që do të vinte deri në një pikë të likuidimit të ndërmarrjes shoqërore, të shpërndarjes së fondeve, përmbylljen e privatizimit”, ka theksuar Isufi.
Procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2003. Ai është kritikuar vazhdimisht për jotransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si “shkatërrim” i ndërmarrjeve shoqërore.
Procesi ka filluar me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).