Arbëri

Qeveria s’tregon si i tejkaloi dallimet me Serbinë për marrëveshjet e Procesit të Berlinit

Pas gati dy vjetësh negociata në nivel të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se është arritur pajtim për tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, që pritet të nënshkruhen në samitin e 3 nëntori. Por nuk kanë treguar se si janë tejkaluar mospajtimet që Serbia i kishte rreth terminologjisë që i referohej Kosovës në këto dokumente

Qeveria e Kosovës pret të nënshkruhen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, në samitin e javës së ardhshme, e për të cilat është arritur pajtimi më 21 tetor.

Por në zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar nëse janë tejkaluar mospajtimet me Serbinë, rreth terminologjisë së përdorur në dokumente, e shkaku i të cilave ka mbetur peng finalizimi i tyre deri tash.

Në Qeveri vetëm kanë treguar për gatishmërinë që ta vënë firmën mbi marrëveshjet.

“Pas gati dy vjetësh të negociatave në nivel të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë është arritur pajtim për tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. “Marrëveshjet pritet të nënshkruhen më 3 nëntor në Samitin e Berlinit”.

Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen janë: ajo për lirinë e lëvizjes me karta të identifikimit; marrëveshja për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë; si dhe ajo për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

“Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kryeziu.

Qeveria gjermane nuk i përmend mospajtimet

KOHA ka pyetur edhe në Qeverinë gjermane lidhur me mospajtimet rreth terminologjisë që kishin Kosova dhe Serbia.

Zyrtari i lartë për informim në Qeverinë gjerman, Stephan Budach, ka sugjeruar KOHËN që t’i referohet komunikatës për media të lëshuar të premten dhe ka shtuar se çështjet rreth marrëveshjeve mund të ngrihen në kuadër të konferencës për media, pas samitit.

“Me ftesë të kancelarit federal, Olaf Scholz, më 3 nëntor 2022 në Kancelarinë Federale do të mbahet samiti në kuadër të kornizës së ashtuquajtur ‘Procesi i Berlinit’ me vendet e Ballkanit Perëndimor. Si nikoqir, kancelari Scholz me një fjalim do ta hapë samitin në orën 09:15. Pjesëmarrës në proces janë krerët e qeverive të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Komisionit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian, nikoqirët e mëparshëm të takimeve të samitit që nga viti 2014, si dhe disa shtete të tjera anëtare të BE-së nga rajoni, përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. “Në dy sesione pune do të diskutohet për bashkëpunimin ndërmjet vendeve në fushat e një tregu të përbashkët rajonal dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Më tej, pjesëmarrësit e samitit do të takohen edhe me përfaqësues të rinisë dhe shoqërisë civile”.

Mësymja e Serbisë që Kosova të mos jetë e barabartë në nismat rajonale ka bërë që të dështojnë katër marrëveshje që synohej të firmoseshin në fillim të muajit korrik, në kuadër të procesit të Berlinit. Është Marrëveshja për lëvizjen vetëm me letërnjoftime; Marrëveshja për vizat, për shtetasit e vendeve të treta; Ajo për njohjen e diplomave; si dhe Marrëveshja për njohjen e profesioneve.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal i ka hartuar draftet e këtyre dokumenteve.

E, në Qeveri e patën identifikuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për dështimin e nënshkrimit të tyre, që ishte planifikuar në samitin e fundit, i cili është mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Serbia refuzoi të dërgojë komente deri në ditët e fundit para samitit, çka e vendosi në vështirësi dhe e rrezikoi dështimin e këtyre marrëveshjeve, sepse komentet e tyre ishin të tilla, të cilat ndërhynin shumë në terminologji të marrëveshjeve dhe në preambulë, mirëpo edhe në disa nene në të cilat synonin që ta zhvishnin shtetësinë e Kosovës”, kishte deklaruar Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit.

Njohësi i integrimeve evropian Demush Shasha thotë se e rëndësishme është që të gjitha shtetet të trajtohen baras.

“Sa i përket statusit të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha gjashtë palët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe unë jam i bindur se në kuadër të Procesit të Berlinit një gjë e tillë edhe është siguruar nga fasilituesit, këtë rast nga Bashkimi Evropian”, ka thënë për KOHËN, Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin “Epik”.

Thirrjet për shmangien e bllokadave

Komentet e Serbisë, nëpërmjet të cilave kërkohej edhe përfshirja e marrëveshjeve të Brukselit si referencë, ishin refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Kjo pasi konsiderohej se me to shteti nuk trajtohej i barabartë me 5 vendet e tjera të rajonit.

Drejtoresha për Evropën Juglindore pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schuetz, në një intervistë për KOHËN pati thënë se bllokadat duhen shmangur nëpërmjet konstruktivitetit.

“Një gjë duhet të jetë e qartë: Ose nënshkruajnë të gjithë ose i vazhdojmë bisedimet. Procesi i Berlinit jeton nga inkluziviteti. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të barabarta dhe nëse një shtet nuk u bashkohet përpjekjeve, atëherë na duhet të shikojmë që t’i sqarojmë të gjitha rezervat për t’i sjellë të gjithë në bord”, kishte deklaruar Schuetz.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Përfitimin më të madh nga marrëveshja për dokumentet e identifikimit do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët aktualisht duhet pajisur me viza për vizita të ndërsjella.

Sa i përket marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale, të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë tarifa për njohjen reciproke të diplomave.

Marrëveshjet e arritura janë tri nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel.

Përfitimet

Sipas Demush Shashës, përfitimet nga këto marrëveshje do të jenë të mëdha.

“E para, do të miratohet marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta të identitetit në Ballkanin Perëndimor. Kjo në veçanti e rëndësishme për të lehtësuar udhëtimin në mes të Kosovës dhe Bosnjës”, ka thënë Shasha. “E dyta, marrëveshja për njohjen e diplomave universitare, pra momentalisht studentët paguajnë nga 200 deri në 500 euro në rajon për njohjen e diplomave të tyre. Prej nesër apo prej ratifikimit të këtyre marrëveshjeve kjo kosto do të jetë zero, pra studentët nuk do të kenë asnjë kosto në të ardhmen për njohjen e diplomave të tyre në rajon”.

Ka folur edhe për të tretën.

“Dhe e fundit, marrëveshje për njohjen e tri profesioneve, pra për mjekët, dentistët dhe arkitektët”.

Procesi i Berlinit ishte iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014 dhe përfshin dymbëdhjetë shtete: gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në BE – Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë – dhe gjashtë shtete anëtarë të Bashkimit Evropian – Austrinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Slloveninë.

Zgjidhja e kontesteve bilaterale përfaqëson një pjesë të madhe të Procesit të Berlinit, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionin kufitar.

Përpjekjet për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe morën formë gjatë Samitit të Vjenës, me lëshimin e deklaratës së përbashkët për çështjet bilaterale. Ndërkaq, në takimin e Triestes ishte nënshkruar Traktati i Komunitetit të Transportit, në lidhje me integrimin e rrjeteve të transportit dhe udhëheqjen e masave reformuese në sektorin e transportit.

Paralelisht Procesit të Berlinit, udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë duke e shtyrë përpara nismën “Ballkani i Hapur”, në kuadër të të cilit parashihet edhe lëvizja e lirë. Deri tash, Kosova ka refuzuar t’i bashkohet kësaj nisme.