Arbëri

Qeveria shpreson që t’i japë fund shterpësisë në anëtarësime

Deponimi i aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe paralajmërimi i qeveritarëve të Kosovës për korrje të sukseseve në vitin 2023 rindezën betejën diplomatike me Serbinë.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, aderimi në Programin e Partneritetit për Paqe dhe riaplikimi në UNESCO janë disa prej organizatave në të cilat Kosova e synon anëtarësimin.

Zyrtarë të Qeverisë pretendojnë së tashmë e kanë siguruar mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pavarësisht fushatës kundërlobuese të Serbisë.

“Mund të them me bindje të plotë që Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës dhe një fakt për këtë është se opinioni ligjor tregon që ne mund të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës dhe mbështetja është aty. Ne kemi lobuar në disa rrafshe, qoftë diplomatik, qoftë politik, që ta sigurojmë mbështetjen në vota dhe ajo është pra, e kemi siguruar këtë mbështetje, është siguruar interpretimi, sqarimi ligjor që nuk ka asnjë pengesë dhe kjo është betejë e humbur për Serbinë”, tha Kreshnik Ahmeti, zv.ministër i Jashtëm i Kosovës.

Takimi i radhës i Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës pritet të mbahet nga mesi i janarit. Ani pse më 2022 janë mbajtur takime, aplikimi i Kosovës nuk pati hyri në rend dite.

Një aplikim që proklamohet prej vjetësh dhe ku Kosova njëherë pati dështuar, është ai në UNESCO. Në pjesën e dytë të 2023-tës do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i kësaj agjencie e aplikimin në këtë trup e paralajmëroi ditë më parë ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Shterpësia në shtimin e njohjeve të shtetësisë po vazhdon, teksa Serbia nuk e ndali asnjëherë fushatën për anulimin e tyre. Zyrtarët serbë, vitin e nisën me pretendimin se edhe një shtet tjetër e ka tërhequr njohjen për Kosovën. Përderisa nuk tregoi se për cilin vend bëhet fjalë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se ky është shteti i dhjetë që zmbrapset nga njohja.

“Duhet të jemi të kujdesshëm. Së dyti, me Marrëveshjen e Washingtonit morëm përsipër të ndalonim nismën e çnjohjeve dhe donim të tregonim se i qëndrojmë asaj që nënshkruam. Mirëpo, Prishtina nuk e bëri këtë. Dallimi në raport me detyrimet e marra është thelbësor dhe kushdo që ndërmjetëson e di shumë mirë se kush është partner serioz dhe kush gënjeshtar”, tha Daçiq.

E, zëvendësministri Ahmeti thotë se janë identifikuar 30 shtete të cilave Serbia ua kërkoi tërheqjen e njohjes së Kosovës, që prej nënshkrimit të moratoriumit në Washington.

“Besoj që ky është minimumi i rasteve, sepse është ajo çka ne kemi arritur të identifikojmë, sigurisht ka edhe raste të tjera, por, siç e dimë, nuk ka asgjë, nuk kanë arritur asnjë rezultat dhe, në anën tjetër, ne kemi vendosur kontakte edhe zyrtare, edhe formale me vende të cilat më parë janë sulmuar raportet tona me ato, pra kemi kthyer marrëdhëniet diplomatike me një numër të vendeve, prandaj edhe në këtë rrafsh ajo ka dështuar”, tha Ahmeti.

Njohja e fundit për shtetësinë e Kosovës ishte ajo nga Izraeli, më 4 shtator të 2020-s, e cila ndodhi në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit.