Arbëri

Qeveria favorizon komunat që udhëheq Vetëvendosje, Kurti thotë se buxheti do të jetë i të gjithëve

Në Projektbuxhetin për 2023, sipas Institutit GAP, nga 51.2 milionë euro investime të reja, të nivelit qendror, 22 milionë janë për projekte specifike në 20 komuna, nga të cilat 12 milionë do të përfitojnë komuna e Gjilanit, ajo e Shtimes dhe e Kamenicës, që udhëhiqen nga VV-ja. Por, sipas kryeministrit Albin Kurti, ky buxhet nuk do të jetë si dikur shumë për disa, por do të jetë shumë për të gjithë. E opozita nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit në Kushtetuese nëse nuk largohet një nen që ka të bëjë me të hyrat vetjake të komunave.

Rreth 52 për qind e investimeve të reja kapitale nga niveli qendror në komuna do të investohen në tri komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje.

Në Projektbuxhetin për 2023, sipas Institutit GAP, nga 51.2 milionë euro investime të reja, të nivelit qendror, 22 milionë janë për projekte specifike në 20 komuna, nga të cilat 12 milionë do të përfitojnë komunat që i udhëheq partia në pushtet: Gjilani, Shtimja e Kamenica,

Kryeministrit Albin Kurti në dëgjimin publik për buxhetin 2023 në Gjakovë, ka thënë se ky buxhet nuk do të jetë si dikur shumë për disa, por do të jetë shumë për të gjithë.

“Jemi siguruar që buxheti për vitin e ardhshëm në vend që të jetë shumë për disa, siç ka qenë mbase në të kaluarën, do të jetë shumë për të gjithë dhe do të përfshijë më shumë për shëndetësi, profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Për vitin në vijim shëndetësia do të ketë 2.96 milionë euro apo 15 % më shumë sesa buxheti i rishikuar për vitin në të cilin ndodhemi, dhe gjithashtu 60 milionë euro apo diku rreth 20 % të totalit të sektorit të shëndetësisë, do të jenë për barna esenciale, kemi paraparë buxhet edhe për përmirësim të infrastrukturës”, ka thënë ai.

Me buxhetin për 2023 parashihet që të hyrat vetjake të komunave të mbledhura para vitit 2022 dhe ato që nuk janë shpenzuar, të barten e të përdoren nga Qeveria për nevoja të ndryshme.

“Një nismë e tillë do të mund të ndikonte ndjeshëm te të hyrat e komunave, konkretisht te projektet të cilat veçmas mund të kenë filluar, për të cilat financimi mund të jetë i bazuar në këto të hyra”, ka thënë GAP.

Kjo nismë, sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe opozitës, do të shkelë Ligjin për menaxhimin e financave publike, atë për financa lokale, por edhe Kartën Evropiane mbi vetëqeverisje lokale.

“Shpresojmë që niveli qendror për fajin e vet nuk do t’ua marrë komunave mjetet nga të hyrat vetjake, sepse me këtë veprim do të shkelë Ligjin për menaxhimin e financave publike, atë për financa lokale, por edhe me të dy këmbët do të shkelë mbi Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisje Lokale”, ka thënë Sazan Ibrahimi – kryetar i AKK-së.

E nëse ky nen nuk largohet, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Kushtetuese.

“Te pjesa tekstuale te neni 9, për herë të parë në histori Ministria e Financave ka futur një fjali të tillë te paragrafi i gjashtë, ku thotë se të gjitha fondet të cilat janë mbledhur para vitit fiskal 2022 dhe janë të pashpenzuara, do të trajtohen si suficit. Kjo është antikushtetuese, sepse janë ligje të tjera të cilat këto mjete komunave ua lejon që t’i bartin vit pas viti”, ka thënë Bajrami.

Edhe shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po cenon pavarësinë e komunave.

“Kjo qeveri po cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, si ai për grabitjen e të hyrave vetjake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizatë humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investues nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to”, ka thënë Tahiri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim buxhetin prej 3 miliardë e 212 milionë euro për vitin 2023, ku 660 milionë u dedikohen qeverisjes lokale dhe komunave, me një rritje për rreth 100 milionë euro, nga 560 sa ishin në vitin 2022.