Ani se me ardhjen në pushet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, premtoi se nuk do të lejojë ndërtimin e hidrocentraleve në mënyrë të kundërligjshme, institucioni që ai drejton nuk i respektoi as rekomandimet e grupit punues për shqyrtimin e procedurave të licencimit, që e themeloi vetë. Vitin e shkuar i ka hapur rrugë kundërligjshëm ndërtimit të hidrocentralit në Liqenin e Radoniqit, ani se kompania ndërtuese nuk kishte marrëveshje me “KRU Gjakovën”
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kundërligjshëm i ka hapur rrugë ndërtimit të një hidrocentrali në Liqenin e Radoniqit.
Edhe pse kompania rajonale e ujësjellësit “KRU Gjakova”, më 2015-n i kishte lëshuar pëlqimin kompanisë “Fidani Water Energy”, nëpërmjet të cilit i lejohej e drejta për shfrytëzim të aseteve të saj, aty përcaktohej se për këtë duhet të lidhej një marrëveshje.
Por, përkundër mungesës së kësaj marrëveshjeje, vitin e kaluar, MMPHI-ja ka lëshuar pëlqim ujor për operatorin privat. Burime të KOHËS kanë treguar se ky operator kishte vetëm një draft-marrëveshje, por jo edhe marrëveshjen zyrtare me KRU “Gjakovën”.
Se nuk ka marrëveshje e ka konfirmuar edhe kryeshefi i KRU “Gjakovës”, Hasan Krasniqi, i cili madje ka shprehur habinë se si Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e mandatit të shkuar qeverisës, e më pas MMPHI-ja e këtij mandati, kishte lëshuar pëlqim mjedisor, pëlqim ujor dhe pëlqim për shtrirje të tubacionit, pa e njoftuar fare kompaninë.
“Ne në kompani kemi pasur vetëm një qëndrim të kompanisë që t’i hapet rrugë operatorit në bazë të dokumentacionit të lëshuar në vitin 2015 dhe një pëlqim tjetër po ashtu më 2015 nga ana e kompanisë, ku operatorit përsëri i hapet rrugë për përgatitjen e dokumentacionit edhe për hapjen e rrugës për lidhjen e një marrëveshjeje me ‘KRU Gjakovën’”, ka thënë ai.
Dhënia e së drejtës ujore për shfrytëzim komercial përmes pëlqimeve/lejeve ujore, e jo koncesionit (proces konkurrues për operatorët që duan të marrin në shfrytëzim një pasuri shtetërore) bie ndesh me Ligjin për ujëra.
Një shkelje e tillë ishte konstatuar edhe në raportin e Grupit punues që ishte themeluar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, i cili kishte rekomanduar një moratorium për hidrocentralet, derisa të bëhet baza ligjore që ky proces të bëhet përmes koncesioneve.
Por, ky rekomandim nuk është marrë parasysh nga zyrtarë të kësaj ministre, të cilët i kanë dhënë të drejtën ujore një operatori për ndërtim të një hidrocentrali në një kanal derivues, aset i ndërmarrjes “KRU Gjakova”, që nuk është resurs ujor.
Më 6 mars të vitit 2015, bordi i ndërmarrjes “KRU Gjakova” kishte mbështetur një kërkesë të ish-kryeshefit Lenard Shehu për ndërtimin e një hidrocentrali bazuar në ligjet në fuqi.
“Të vendosen kriteret sipas infrastrukturës ligjore nga ekspertët brenda kompanisë, si cilësia e ujit, ardhja e ujit, koha e shfrytëzimit etj., në mënyrë që t’u hapet rruga kompanive për marrjen e lejes nga institucionet relevante për këtë aktivitet”, thuhet në atë qëndrim.
Vetëm një muaj më pas, më 7 prill 2015, “KRU Gjakova” kishte lëshuar pëlqim që kompanisë “Fidani Water Energy” t’i lejohet e drejta e shfrytëzimit të aseteve me afat kohor sipas ligjeve në fuqi për përmbushjen e obligimeve ligjore nga institucionet relevante.
“Kompania pas marrjes së licencës në afat ligjor është obliguar që ta njoftojë ‘KRU Radoniqin’ (tani ‘Gjakova’) me qëllim të lidhjes së marrëveshjes për shfrytëzim të këtyre aseteve”, thuhet mes të tjerash në dokument, i cili është nënshkruar nga kryeshefi i atëhershëm, Ismet Ahmeti.
Por, asnjë hap nuk ishte bërë deri në vitin 2020.
Riaktualizimi i projektit të heshtur 5 vjet – vendimeve të fundit u ka skaduar afati
Më 2020-n, kompania “Fidani Water Energy” kishte marrë pëlqimin tjetër nga “KRU Gjakova” me të cilin i lejohej asaj që me mjete të veta financiare të realizojë projektin për vendosjen e gypave dhe mbulimin e kanalit derivues Ratish-Llukë e Epërme me gjatësi 7 kilometra.
“Me mbulimin e kanalit derivuese eliminimi i humbjeve të ujit ‘Kompania Fidani Water Energy’ obligohet të hartojë projektin e vendosjes së tubave përgjatë kanalit derivues dhe të njëjtin paraprakisht do t’ia dorëzojë ‘KRU Gjakovës’ si pronare për studim detal para lejimit të fillimit të punimeve”, thuhet në pëlqim të nënshkruar nga ish-kryeshefi, Ismet Ahmeti.
Por, kjo nuk ishte respektuar nga operatori ekonomik.
Sipas kryeshefit aktual të “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, kompania që drejton ai, deri në dhjetor të vitit 2022 nuk ka qenë e njoftuar me asnjë dokument, as nga ana e operatorit që ka kërkuar leje, e as nga Ministri e cila e ka lëshuar atë.
Krasniqi ka bërë të ditur se më pas janë lëshuar edhe katër vendime të tjera për të, nga Ministria e Ekonomisë dhe MMPHI-ja, për të cilat, sipas tij, ndërmarrja nuk është njoftuar fare.
“Që të gjitha këto katër vendime, tri të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe një nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kompania nuk i ka pasur kurrë as nuk kanë ardhur në kompani. Këto i kemi marrë pikërisht nga operatori në muajin dhjetor të 2022 kur ka ardhur te ne dhe ka kërkuar vazhdimin e procedurës për ndërtimin e hidrocentralit”, ka thënë Krasniqi.
Vendimeve të marra nga ministritë, ai thotë se u ka skaduar afati dhe se nuk mund të shërbejnë për marrëveshje.
“Këto dokumente të gjitha kanë kaluar afatet e veta, pasi ka kaluar viti 2020, një vit afati, dhe mundësia për të bërë marrëveshjen me kompaninë, po ashtu ka kaluar edhe afati dyvjeçar, atëherë i MEA-së për fillimin e ndërtimit të hidrocentralit”, ka treguar ai.
Sipas tij, kompania as nuk ka mandat e as hapësirë ligjore për të vazhduar me hapa të mëtejshëm.
“Ne kontratën nuk mund ta bëjmë pa marrë pëlqim të aksionarit. Duket si mision i pamundur, vetëm nëse të gjitha këto dokumente ripërtërihen, jep lejen aksionari dhe bëhet marrëveshja me ne, merret leja e ndërtimit në komunë dhe mandej është hapi tjetër në ZRRE që i kompleton dokumentacionet dhe i jep lejen e përgjithshme”, ka thënë ai.
Rekomandimet që mbetën në sirtarë
Me ardhjen në pushtet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, kishte thënë se asnjë hidrocentral nuk do të lejohet të punojë derisa nuk do t’i përmbushë kriteret mjedisore. Teksa e kishte vlerësuar shqetësuese gjendjen e lumenjve në të cilët operojnë hidrocentralet, ai kishte paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara vite më parë për hidrocentralet.
“Do të shqyrtojmë edhe bashkë me zyrtarët e me strukturat e Ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces dhe në diskutim me to nëse do të dalë nevoja e rishqyrtimit, nëse vlerësohet që ka degradim, atëherë monitorimi është i nevojshëm para se të veprojmë tutje”, ka thënë Aliu, gjatë një vizite në Brezovicë.
Por, përveç që nuk e bërë këtë, ai nuk i mori për bazë as rekomandimet e grupit punues që vetë e themeloi, e i cili kishte konstatuar një sërë shkeljesh të ligjeve dhe akteve nënligjore në mënyrën e licencimit dhe operimit të hidrocentraleve.
Afrim Lajçi, këshilltar në grupin ndërministror për ujëra, i cili ka qenë pjesë e grupit punues për vlerësimin e ligjshmërisë mbi bazën e të cilave janë ndërtuar hidrocentralet, ka thënë se grupi kishte konstatuar një numër të madh të shkeljeve. Sipas tij, grupi kishte rekomanduar që të bëhet një moratorium në dhënien e lejeve për ndërtimin e HEC-ve të reja.
“Rekomandimi i grupit punues ka qenë që të bëhet moratorium derisa të kompletohet legjislacioni për koncesionet dhe derisa nuk kompletohet dokumentet planifikuese mbi bazën e të cilave këto hidrocentrale do të lëshoheshin në përputhje me ligjin dhe në përputhje me dokumentacionin planifikues”, ka thënë Lajçi.
Sipas tij, nuk ka informacione që këto rekomandime janë zbatuar.
“Ka indikacione që po lëshohen ende leje ujore, edhe pse është rekomanduar që të mos lëshohen, por unë nuk kam informacion”, ka thënë ai.
I gjithë procesi i fitimit të së drejtës ujore vazhdon të bëhet me mungesë të transparencës nga Ministria e Mjedisit, ani që për këtë ishte kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile dhe mediat.
“Një prej rekomandimeve ka qenë që procesi të zhvillohet me transparencë të plotë, të rritet transparenca në procesin e vlerësimit të akteve ujore, qoftë të koncesioneve apo lejeve apo edhe akteve të tjera, prandaj që duhet të jetë proces krejtësisht transparent”, ka thënë Lajçi.
KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Mjedisit për lëshim të pëlqimit ujor për kompaninë në fjalë dhe për aktet e tjera të lëshuara nga ana e saj, por nuk ka marrë përgjigje.
Lidhur me këto nuk është përgjigjur as kompania që ka planifikuar ndërtimin në Liqenin e Radoniqit.
KOHA është informuar nga burimet e saj se kompania private, në mungesë të marrëveshjes me kompaninë rajonale “KRU Gjakova”, nuk ka arritur që të marrë leje ndërtimi në Komunën e Deçanit, pasi ndërtimi i hidrocentralit bie në territor të kësaj komune.
Ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta dhe tejkalime të shumta ligjore, duke dëmtuar rrjedhën e lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
Për tri hidrocentralet e ndërtuara nga kompania “KELKOS” në Deçan dhe ato të ndërtuara nga kompania “MATKOS” në Shtërpcë, ka masa pezulluese nga gjykata dhe janë jashtë funksioni, pas padive të ngritura nga banorët dhe shoqëria civile, për shkeljet ligjore dhe degradimin e natyrës në atë pjesë.
KOHA ka raportuar disa herë se si ato kishin vepruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi pa u pajisur me leje mjedisor ato ishin lëshuar në operim. Kjo ishte bërë edhe me leje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila përmes një rregulloreje të kundërligjshme kishte lëshuar leje të përkohshme operimi për to, duke ua vazhduar jo vetëm për 1 vit siç parashihte rregullorja, por edhe më gjatë.