Gjykata Kushtetuese është shërbyer me normë jorelevante, u është referuar afateve çfarë nuk i përmban Kushtetuta dhe është bazuar edhe në dokumente që u kontestohet vërtetësia, përgjatë misionit të saj për t’ia dhënë vulën e kushtetutshmërisë Dekretit jokushtetues të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin ka caktuar për mandatar për ta formuar qeverinë e re një kandidat jashtë partisë fituese. Parashikimet e para që janë dhënë flasin për pasoja të mëdha politike nga aktgjykimi që ia humb rëndësinë garës elektorale.
Nëpërmjet Aktgjykimit, përfundimet e të cilit i ka publikuar në orën 22:29 të së enjtes, Gjykata e ka shpallur kushtetues Dekretin e presidentit Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit për kryeministër. Kandidaturën para kreut të shtetit e kishte përcjellë Lidhja Demokratike (LDK), parti e dytë që ka dalë nga zgjedhjet e fundit. Ky subjekt politik ka në plan që në fillim të javës ta iniciojë thirrjen e një seancë në Kuvend, në të cilën do të zgjidhej Qeveria, shkruan KOHA Ditore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas mocionit të sponsorizuar nga LDK-ja kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, presidenti ishte përcaktuar që t’i evitonte zgjedhjet dhe duke u thirrur në nenin 95 të Kushtetutës, i kishte kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) një mandatar për ta formuar qeverinë e re. Ky nen kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Por, akti suprem juridik qëndron i heshtur përkitazi me kohën kur nis të rrjedhë afati 15-ditor. Prandaj, LVV-ja nuk ia kishte ofruar Thaçit emrin.
Presidenti e ka pritur vetëm 20 ditë LVV-në. Pas kësaj kohe, e ka kapërcyer atë dhe ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër, ani se në shkëmbimin e letrave Kurti kurrë nuk e kishte thënë këtë.