Arbëri

Politika e jashtme në “letargji”, ngec procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës

MPJDhttps://www.koha.net/arberi/426579/serbia-insiston-se-vrasja-e-policit-ishte-e-planifikuar-kosova-e-quan-propagande

Mungesa e veprimeve pas dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës dhe shterpësia në njohje po konsiderohen pasojë e një letargjie të politikës së jashtme në lobim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Në anën tjetër, zyrtarët serbë kanë thënë se mosfutja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Evropës ishte triumf i diplomacisë aktive të tyre

Entuziazmi i Qeverisë pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është shoqëruar edhe me veprime të tjera për anëtarësim në këtë organizatë. Për pasojë, po vazhdon shterpësia sa u përket anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, krahas mungesës së njohjeve të reja.

Kosova nuk u fut në agjendën e takimeve të zëvendësministrave të Këshillit të Evropës, në fillim të tetorit.

Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë komentuar mospërfshirjen e Kosovës në agjendë dhe veprimet e ndërmarra pas dorëzimit të aplikacionit më 12 maj të këtij viti.

Derisa Qeveria vazhdon të heshtë, në anën tjetër Serbia e ka prezantuar si triumf diplomatik mospërfshirjen e Kosovës në diskutimet e deritashme të Këshillit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të çonte në ndarje të reja politike në këtë organizatë.

“Shqyrtimi i kërkesës së një subjekti me status të pazgjidhur do të çonte në ndarje të reja politike në Këshillin e Evropës në një kohë kur është vendimtare për të siguruar stabilitetin dhe besueshmërinë e asaj organizate”, ka thënë ministri serb.

Ndërkaq shefja e misionit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Aleksandra Gjuroviq, ka deklaruar se në Këshillin e Evropës është diskutuar vetëm për kërkesën e Kosovës për pranim në këtë organizatë, pa një konkluzion për datën e saktë të vendosjes së saj në rend dite. Sipas saj, diskutimi rreth kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës tregoi një ndarje të madhe mes anëtarëve të kësaj organizate, duke vlerësuar se kjo ishte një fitore e Serbisë.

“Ne patëm një aktivitet intensiv diplomatik për të informuar vendet anëtare lidhur me qëndrimet tona dhe për të vënë në dukje gjithë dëmin e shqyrtimit të një kërkese të tillë. Në fund u bë vetëm një diskutim për atë temë, ku mund të vërenim ndarjen në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në nivel ambasadorësh për këtë çështje”, ka thënë Gjuroviq.

Ajo ka shtuar se për tërheqjen e plotë të kërkesës së Kosovës nga rendi i ditës, Serbia do të duhej të kishte mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, “ku nga 46 vendet anëtare, shumica e njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme”.

Abazi: Serbia po bën propagandë

Megjithëkëtë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë se ende nuk kanë informacione se Kosova është hequr nga agjenda e Këshillit, teksa i ka quajtur propagandë deklaratat e zyrtarëve serbë.

“Nuk ka asnjë informacion që Kosova është hequr nga agjenda. Besoj që nëse arrijmë të hyjmë në procesin e rishikimit do të jetë një sukses i madh për të gjithë ne, edhe për demokracinë evropiane, sepse ky është një dallim i madh me atë çfarë Rusia prezanton aty”, ka theksuar Abazi.

Por kur vjen puna te lobimi, ai ka folur për vështirësitë që kanë në komunikim me ministren Gërvalla.

“Sa i përket anëtarësimit në Kombet e Bashkuara për besë mendoj që ju mund të flisni me ministren e Jashtme më shpesh sesa unë që jam kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme”, ka shtuar deputeti i VV-së.

E, njohës të politikës së jashtme thonë se diplomacia kosovare është në letargji dhe kjo po reflekton edhe në procesin e lobimit për anëtarësime. Sipas Emir Abrashit, aplikimi në Këshillin e Evropës shpërfaqi dy probleme të mëdha.

“I pari, që Serbia nuk po i përmbahej zotimit që kishin dhënë të dyja palët për të mos e bllokuar njëra-tjetrën në procesin e integrimit të strukturave evropiane. Në anën tjetër, e shpërfaqi mungesën e koordinimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një mungesë të kuptimit të kompleksitetit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Rrjedhimisht, maji kaloi ndërkaq para dy ditësh patëm një diskutim sa i përket Këshillit të Evropës. Mirëpo Kosova nuk ishte as pjesë e agjendës e as pjesë e diskutimit”, ka thënë Abrashi.

“Kjo tregon se Ministria e Punëve të Jashtme po dështon ta kuptojë rëndësinë e një lobimi aktiv. Do të thotë se po mendon që me dorëzimin e aplikimit aty përfundon gjithçka. Në fakt, dorëzimi i aplikacionit do të thotë fillimi i një rrugëtimi të gjatë lobimi. Mirëpo kjo në fakt po e shpërfaq një letargji totale të shërbimit të jashtëm, i cili tash e një vit e gjysmë që kur ka ardhur në krye të këtij dikasteri zonja Gërvalla, është totalisht e çorientuar, është totalisht jofunksionale brenda vendit dhe po vërehet se ka qenë gabim bashkimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme me Ministrinë e diasporës”.

Raporti i KiE-së nuk e përmend Kosovën

Aktualisht, Presidencën gjashtëmujore të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës e ka Irlanda.

Më 5 tetor është publikuar edhe një raport i Këshillit, që mes tjerash flet për procesin e zgjerimit, por Kosova nuk përmendet kurrkund.

Këshilli i Evropës luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

aktual, me theks ripërtëritja e perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe statusi i kandidatit që u është dhënë Ukrainës dhe Republikës së Moldavisë, si dhe perspektiva evropiane për Gjeorgjinë- i jep Këshillit rolin e avancimit të procesit të reformave, si dhe angazhimin për forcimin e partneritetit të Këshillit të Evropës me Bashkimin Evropian”, shkruan në këtë raport.

Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit- janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim është e domosdoshme mbështetja nga dy të tretat e tyre. Shpresat e Kosovës për pranim janë shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës.

Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.

Neni 35 i Konventës përcakton se faktet kundër të cilave është paraqitur ankesë duhet të kenë ndodhur pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës në shtetin e paditur.

“Aktet ose faktet kundër të cilave është paraqitur ankesë duhet të kenë ndodhur pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës në shtetin e paditur. Megjithatë, kërkesa juaj mund të pranohet nëse ka të bëjë me një gjendje të vazhdueshme që ka filluar para ratifikimit dhe ka vazhduar pas asaj date; p.sh. Gjykata u shpreh se kishte juridiksion për të vendosur mbi zhdukjen e personave që kishin ndodhur rreth trembëdhjetë vjet përpara se shteti i paditur të kishte njohur të drejtën e individëve për të paraqitur kërkesa individuale në Gjykatë”, thotë neni 35 i Konventës.

Njohja nga Izraeli në vitin 2020 ishte e fundit për Kosovën, derisa kanë munguar edhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Ndërkaq nuk ka një afat se kur mund të ketë riaplikim për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL. Qeveria Kurti ka themeluar edhe një grup punues për përgatitjen e aplikacionit për anëtarësim në NATO, por që deri tash nuk është dhënë një afat se kur mund të bëhet kjo.

Zhvillimet e brendshme në MPJD, “pengesë” për lobimin

Emir Abrashi i sheh si problematike edhe zhvillimet e brendshme brenda MPJD-së, të cilat po reflektojnë edhe në proceset integruese.

“Ajo që po vërejmë është se zyrtarët që kanë udhëhequr me departamentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme po zëvendësohen me ata të diasporës, të cilët nuk kanë njohuri sa i përket politikës së jashtme, nuk janë profesionistë të diplomacisë dhe këto më pas po shpërfaqen edhe në pozicionet ndërkombëtare të Kosovës”, ka potencuar Abrashi. “Prandaj është shumë e rëndësishme që zonja Gërvalla ta bëjë një reflektim të thellë të gjithë mënyrës se si e ka menaxhuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, sa më parë që është e mundur. Nuk është vonë që të kemi ndryshime të tjera në Qeveri. Zonja Gërvalla gjatë këtij një viti e gjysmë është treguar e paaftë për të udhëhequr politikën e jashtme, është treguar më shumë e involvuar si ministre e Diasporës sesa e Ministrisë së Jashtme”.

Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga rreth 116 shtete, si dhe është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, siç janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit. Përveç Këshillit të Evropës, Kosova nuk është pjesë e OKB-së, e Bashkimit Evropian, OSBE-së e as e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.