Dy nënkryetarët e LDK-së nuk po mund ta fshehin përplasjen mes tyre. Agim Veliu e Vjosa Osmani po e shfaqin hapur atë.
Kreut të Komunës së Podujevës, që konsiderohet me ndikim të madh në parti, nuk i ka pëlqyer fakti se Vjosa Osmani e Albin Kurti bënë bashkë regjistrimin prej deputeti të Legjislaturës së VII të Kuvendit të Kosovës. Veliu s’e ka parë si rastësi këtë. Veprimin e ka konsideruar si presion për të lidhur marrëveshje me LVV-në, por ka konsideruar se “rastësi” të tilla vetëm sa prishin punë. Osmani i ka quajtur qëllimkëqija deklaratat.
Agim Veliu, nënkryetar dhe njeri me ndikim të madh në LDK, i ka thënë “Kohës Ditore” të premten të mos jetë i qëndrueshëm deklarimi i Osmanit se regjistrimi i përnjëhershëm me Kurtin ishte rastësi. Sipas këtij zyrtari të LDK-së, “rastësitë” e saj me Kurtin janë kthyer në përditshmëri. Ai ka lënë të kuptohet se, nëpërmjet mesazhit me rastin e regjistrimit në Kuvend, ish-kandidatja për kryeministre do që ta vërë në presion LDK-në, për të lidhur marrëveshje koalicioni me LVV-në.
“Ajo duhet t’u japë sqarim votuesve të LDK-së se çka po do të japë mesazh me këto rastësi. Sipas gjykimit tim, nëse dikush merr obligime që nuk i takojnë, aty komplikohet situata”, ka thënë Veliu. “Ne është dashtë me i bë presion atij (Kurtit v.j.), me punu sa më shumë, në mënyrë që sa më shpejt me u bo qeveria. Pra, që ai me e ofru ofertën dhe LDK-ja me vendosë se a është e pranueshme apo jo”.
Pas publikimit të fotografisë tek regjistrohet si deputete e legjislaturës së shtatë, përnjëherësh me Kurtin, Osmani ka bërë një sqarim. Ka thënë të mos ishte ky një mesazh politik.
“Nuk ishte mesazh politik, por thjesht një koincidencë. Unë kam shkuar të regjistrohem në kohën që më është sugjeruar nga administrata e Kuvendit, meqë më herët isha jashtë vendit. Pra, ishte çështje administrative e jo politike”, ka shkruar Osmani. “Mesazhet politike për partinë time unë i bëj të qarta përbrenda organeve tona vendimmarrëse dhe as nëpërmjet fotografive e as në mënyrë të tërthortë. Qëndrimet tona politike janë ndërtuar me përkrahjen unanime të organeve të LDK-së”.
Por, Agim Veliu ka insistuar të mos jetë koincidencë.
“Nuk po i shoh si kontribute me ofru punë. Regjistrimi i tyre bashkë dhe arsyetimi që po e japin, për mua janë të pakuptueshme. Unë e di që rastësia është mbret i botës, por rastësisht çdo ditë nuk mund të ndodhë diçka. Rastësia mund të jetë një herë, por jo gjithë”, ka thënë Veliu. “Ata do të duhej të kujdeseshin që të mos ndodhnin rastësi të këtilla. Kanë plot kolegë të vet, me të cilët do të mund të shkonin bashkë. Unë nuk po i kuptoj”.
Osmani i është kundërpërgjigjur, në një deklarim të shkurtër që ia ka dhënë “Kohës Ditore”. Mbështetur në atë që ka thënë, Veliu është një ndër njerëzit përgjegjës për vështirësimin e mbërritjes së marrëveshjes së koalicionit.
“Deklaratë qëllimkeqe e tendencioze, e bazuar në të pavërteta. E vërteta është ajo që e kam thënë unë, e bazuar në video-dëshmi”, ka thënë Osmani. “Komplikuesit e vërtetë (të marrëveshjes për koalicionin v.j.) tashmë dihen”.
Por, Veliu ka thënë se LDK-ja nuk mund të sillet si fituese e zgjedhjeve. Sipas tij, e gjithë barra për formimin e qeverisë i bie LVV-së.
“Disa në LDK që po mundohen ta paraqesin partinë fituese të zgjedhjeve, më shumë po e dëmtojnë sesa që po e përmirësojnë imazhin e saj”, ka thënë nënkryetari i LDK-së. “Ne nuk e kemi obligim formimin e qeverisë. E ka obligim Vetëvendosja. Ajo duhet të punojë natë e ditë për ta formuar qeverinë”.
Përplasje mes Veliut e Osmanit kishte pasur edhe para se kjo e fundit të nominohet nga LDK-ja kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.