Arbëri

Përkëdhelja e opozitës

Foto: Driton Paçarada / Koha

Shprehjen e habisë Albin Kurti e zëvendëson në moment me buzëqeshje, kur tek ishte i zhytur në leximin e pikave programore të Qeverisë që ua propozonte ligjvënësve, dikush po e prekte në pjesën e sipërme të xhaketës. Ishte deputetja Ganimete Musliu, e cila, në rolin e opozitares, në jakën e majtë po ia vendoste një dinstrikt me flamurin e Kosovës dhe me atë të Shqipërisë.

Kurti, në cilësinë e të nominuarit për kryeministër, ndërpreu fjalën, derisa Musliu e përfundoi aksionin. Madje ia përkëdheli dorën, derisa ajo e vendoste dinstriktin.

“E mbajsh me shnet”, i thotë deputetja, sapo kryen punë.

“Faleminderit deputetja Musliu”, ia kthen njeriu, që pak më vonë do të zgjidhej kryetar i Qeverisë, i cili ndryshe nga koha kur si opozitar nuk e hiqte dot nga jaka dinstriktin me flamurin kuqezi, me ta masivizuar partinë vendos të mos e mbajë.

Në këtë seancë që u zgjodh kryeministër, por edhe në ditët e deritashme sa është në fron, nuk është ai Kurti që ka replikuar me këdo që është marrë me të. Opozitës nuk i është kundërpërgjigjur në kritika e fyerje. Ka vendosur ta përkëdhelë dhe ia ka zgjatur dorën e bashkëpunimit.

Musliu është deputete e Partisë Demokratike (PDK), subjekt që ka qenë në pushtet që nga 2007-a. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që e drejton Kurti, ka qenë gjithmonë në opozitë. Partitë i kanë ndërruar rolet në fillim të këtij muaji.

Në seancën e inaugurimit të Qeverisë, Kurti në heshtje ka dëgjuar kritikat e shumë deputetëve opozitarë, e që ishin të fokusuara kryesisht tek e kaluara e tij. Fjalimet e ligjvënësve të PDK-së ishin të shkruara thuajse nga një dorë. Jo pak belbëzonin, tek lexonin.

Fatmire Kollçaku është shefe e Grupit parlamentar të LVV-së. Thotë të ketë qenë për keqardhje ajo që kishte dëgjuar atë ditë.

“Unë kam pritur diçka tjetër”, thotë ajo. “Kritika e tyre është drejtuar ndaj opozitarizmit tonë. Atë ditë ata nuk dhanë para qytetarëve të Kosovës një prezantim të mirë”.

Hajredin Kuçi është ndër pak deputetët e PDK-së që nuk e kishte fjalimin e shkruar. Diskursi i dallonte nga ai i kolegëve të tij. Mes të tjerash, ia përmendi ndryshimin e kryeministrit.

“Karriga e kryeministrit, z. Kurti, a e patë sa të urtë të bëri? S’i kishe duru tana këto fjalime”, i ishte drejtuar Kuçi, në seancën e 3 shkurtit. “E di që duhet me duru. Provo me duru atë që të flen në vesh, por ta do edhe zemra. Jo veç atë që ta do veshi”.

Në seancë Kurti mbërriti të marrë votat pro përbërjes së Qeverisë. Në cilësinë e kryeministrit, ai dha sinjale se do të durojë.

“Disa prej tyre ishin kritika, por kishte edhe ofendime e fyerje. Unë kurrë nuk ua kthej njësoj”, ka thënë Kurti, pas seancës. “Dua që tani të bashkohet sa më shumë skena jonë politike, për punët e mëdha që na presin, edhe për shtetndërtim demokratik, edhe për zhvillim ekonomik”.

Përplasja për simbole

Ndonëse formalisht pushteti është ndërruar në fillim të shkurtit, opozitarizmi i pushtetit të kaluar ka nisur që në seancën në të cilën është konstituuar legjislatura e re.

Protagoniste ishte deputetja Musliu. Ajo kishte vendosur flamuj shqiptarë tek pjesa qendrore e ulëseve të sallës plenare, ku kishin zënë vend deputetët e LVV-së. Sa ishin në opozitë, ata rëndom vendosnin flamuj në tavolinë, në momentin kur duhej ta jepnin betimin si deputetë. Në seancën inauguruese të legjislaturës së fundit, të tillët nuk u panë. Por edhe pse qenë “dhurata” opozitare, flamujt nuk u hoqën.

Pas seancës që zgjodhi Qeverinë, ishte thirrur ajo për zgjedhjen e Vjosa Osmanit kryeparlamentare. Ishte bojkotuar nga opozita, shkaku se ishte thirrur shpejt e shpejt.

Me të marrë detyrën, Osmani kishte hequr nga pjesa ballore e zyrës së kreut të Kuvendit fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, njeriut që derisa është vënë në majë të pushtetit e ka drejtuar PDK-në. Fotografinë e ka zëvendësuar me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, kryetar historik i partisë që i takon Osmani, Lidhjes Demokratike (LDK).

PDK-ja bojkotoi një takim të Kryesisë së Kuvendit shkaku i lëvizjes së fotografisë. E në seancën pasuese, deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, iu kundërvu aktit të kryeparlamentares. Që në fillim të seancës, një fotografi të madhe të presidentit Thaçi ai e vendosi në pjesën ballore të sallës kryesore të Kuvendit, menjëherë pas ulëses së kryeparlamentares. Një pjesë e punimeve u zhvillua pa e prekur fotografinë, por kur deputetët u kthyen pas një pauze, më ajo nuk ishte.

Imer Mushkolaj është publicist. Ai thotë se qasja e partive opozitare është më shumë qasje inati se nuk janë më në pushtet, sesa qasje serioze, që duhet të vërë në pah mënyrën e qeverisjes nga koalicioni i ri.

“Target i kritikave dhe sulmeve opozitare vazhdon të jetë kryesisht Albin Kurti dhe, në njëfarë forme, LDK-ja po vazhdon të amnistohet nga opozita e re. Pra, opozitarizmi i partive që deri dje kanë qenë në pushtet shpërfaq veç mllef e mosdurueshmëri kryesisht karshi Albin Kurtit”, i ka thënë gazetës Mushkolaj. “Duke marrë parasysh se si këto parti, tash opozitare, kanë qeverisur në të kaluarën, qasja e tyre shpesh duket qesharake”.

Skena që i kritikon Mushkolaj, janë parë edhe në seancën solemne, që është organizuar këtë të hënë, për përvjetorin e 12-të të pavarësisë së Kosovës.

Vetëm një ditë para kësaj, një debat i fortë u nxit nga një status i nënkryetares së LVV-së, Fatmire Kollçaku, e cila është edhe kryetare e Grupit parlamentar të partisë. Në të, ajo kishte cituar një publicist serb, sipas të cilit, Kurti për Serbinë ishte më i rrezikshëm, sepse ai ishte i pakorruptuar dhe “nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

Kreu i shtetit i reagoi.

“Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse ‘nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’”, kishte shkruar, mes të tjerash, Thaçi në reagim. “E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?”.

Reagimi ishte pasuar me një valë sulmesh verbale ndaj deputetes Kollçaku. I ishin përshkruar edhe etiketa të ndryshme. Ndërkaq, në publik ju nxorën edhe të dhëna personale, të nxjerra në rrugë jo të ligjshme nga administrata shtetërore.

“E kanë gabuar njeriun dhe kauzën”, thotë deputetja Kollçaku, që u bë cak i opozitës. “Për ata që abuzuan me detyrë zyrtare, do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore”.

Si reagim ndaj statusit të saj, në seancën solemne dy deputete të PDK-së, Ganimete Musliu dhe mbesa e presidentit Thaçi, deputetja Evxheni Thaçi-Dragusha, vendosën në pjesën ballore të sallës plenare të Kuvendit flamurin me shenjen e UÇK-së. Flamuri s’u hoq gjatë gjithë punimeve të kësaj seance.

Paralajmërimi për tarifën

Bashkëpunimi i parë mes subjekteve në opozitë, e që në mandatin që ka përfunduar bashkëqeverisnin, është për tarifën ndaj mallrave serbe.

Me iniciativë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, deputetë të këtyre subjekteve janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën do të debatohej mbi paralajmërimin e pushtetit të ri për ta hequr këtë tarife. Qëndrimi që opozita ka, është që tarifa të mbetet në fuqi.

Por, së paku dy nga tri partitë që humbën pushtetin kanë dalë kundër vetvetes, nëpërmjet kundërshtimit të heqjes së tarifës. Kjo për shkakun se ato nuk kishin një qëndrim të përbashkët për këtë çështje, sa qeverisnin.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga kreu i ekzekutivit duke e përmendur si arsye një ftesë për intervistë që ia kishte bërë Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Por ai po e shihte fundin pas një nisme të opozitës për mocion mosbesimi kundër Qeverisë së tij. Partnerët qeverisës, veçmas PDK-ja, i kishin çuar sinjale se do të votonin pro mocionit, në rast se ai mbante qëndrim të ngurtësuar kundër revokimit të vendimit për tarifën. PDK-ja, sikurse edhe Nisma Socialdemokrate kërkonin së paku pezullimin e tarifës, si shenjë reflektimi ndaj kërkesës së vendeve kryesore të Perëndimit, sikur janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. Ato donin që vendimi të pezullohej, pa të cilën vendimmarrje Serbia refuzon rikthimin në fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili proces synohet të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht detyruese.

Haradinaj thoshte se taksa ka ndalur ndarjen e Kosovës, pasi me të Serbia refuzonte të vazhdonte një proces dialogu, në të cilin edhe presidenti Thaçi kishte pranuar që opsioni i ndryshimit të kufijve të ishte i pranueshëm.

Donika Kadaj është deputete e AAK-së. Ajo thotë se do të vazhdojnë përpjekjen që të ketë sa më shumë deputetë, jo veç opozitarë, por edhe nga subjektet në pushtet, për t’u koordinuar kundër heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe, pasi konsideron që sa më shumë unitet që sigurohet për këtë çështje, aq më fuqishëm do të kundërshtohet.

Ajo thekson se taksa është mekanizmi i fundit që në fazën finale për marrëveshjen përfundimtare, do të mund dhe do të duhej të përdorej për të mos lejuar koncesione të reja në dëm të vendit.

“Është shumë e thjeshtë: Duhet të jetë kushtëzim për njohje. Jo territor për njohje, siç u kërkua vitin e kaluar”, i ka thënë gazetës deputetja Kadaj. “Pesha e përgjegjësisë bie mbi ata që udhëheqin vendin. Ne do të jemi syhapur ndaj veprimeve si këto dhe do të përpiqemi për një front opozitar sa më të unifikuar”.

Sipas të dhënave zyrtare të Serbisë, shkaku i tarifës ky shtet nuk ka mundur të importojë mallra në vlerë rreth 500 milionë euro.

Haradinaj këtë javë i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti ta mbajë në fuqi tarifën dhe atë ta heqë vetëm në këmbim të njohjes nga Serbia.

“Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar”, ka thënë Haradinaj. “Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”.

Kurti ka thënë edhe para zgjedhjeve se do ta hiqte taksën po të vinte në pushtet. Por ka paralajmëruar se, paralelisht kësaj, do ta vërë masën e reciprocitetit me Serbinë. Veprime në funksion të kësaj ka ndërmarrë tashmë. Ai ka thënë të kenë nisur përgatitjet për formimin e një grupi pune që do ta trajtojë çështjen.

Opozitarizmi që pritet

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Kurti e ka ftuar opozitën për bashkëpunim në tema të interesit nacional. Mes tyre, ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, për rifillimin e të cilit është rritur presioni ndërkombëtar në muajt e fundit.

Secila marrëveshje me Serbinë kërkon konsensus në Kuvend. Kjo për shkakun se marrëveshjet ndërkombëtare sikur ato që mund të prodhohen nga dialogu me fqinjin verior duhet të ratifikohen me votën pro të së paku dy të tretës së deputetëve. E ky numër votash nuk mund të sigurohet pa siguruar së paku mbështetje të pjesshme nga partitë që nuk janë pjesë e koalicionit.

Imer Mushkolaj thotë se, pikërisht pse është me numër në Kuvend, opozita duhet ta shfrytëzojë rastin për ta kapitalizuar këtë në korrektim të vendimmarrjes së ekzekutivit.

“Opozita në Kuvend është mjaft e fortë dhe gjithë potencialin e vet do të duhej ta orientonte në çështje thelbësore që kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes, në korrektimin e vendimmarrjes, e jo të ketë qasje përjashtuese – edhe pse në të kaluarën LVV-ja ka treguar shpesh se nuk ishte opozitë konstruktive”, thotë Mushkolaj. “Sidomos për çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit, qasja e opozitës do të duhej të ishte ndihmuese, e jo kundërshtuese”.

Fatmire Kollçaku ka thënë se do t’ia shtrijnë dorën opozitës për bashkëpunim.

“Që në ditën e parë, edhe në prononcimin e kryeministrit, edhe të zonjës Osmani, por edhe të gjithë neve, jo vetëm që kemi shprehur gatishmëri të bashkëpunojmë për çështjet madhore, por është e qartë se si deputetë të Republikë së Kosovës kemi gatishmërinë të bashkëpunojmë për çdo çështje, për çdo ligj, sepse kemi shumë punë”, thotë Kollçaku. “Ne duhet të bashkëpunojmë në vazhdimësi. Vetëm kështu do të kemi edhe ligje të mira, edhe ndryshim të vërtetë. Sepse në instancë të fundit duhet të jemi të interesuar të gjithë ne, pozitë e opozitë, që të ndryshojë kjo gjendje aktuale, e sidomos të ndryshojë jeta e qytetarëve”.

Hajredin Kuçi i PDK-së konsideron se kryeministri i tashëm nuk e ka pasur të qartë se si duhej sjellë një parti politike kur nuk është në pushtet. Ai ka thënë se, në këtë mandat nuk do t’i përdorin krejt metodat joinstitucionale sikurse i kishte përdorur LVV-ja dhe as nuk do të tregohen krejt “të urtë”, por ka theksuar se këtij subjekti do t’i japin leksion se si duhet sjellë në opozitë.

“Kësaj radhe do ta kemi një bashkëveprim, po e quaj, për të mirë të qytetarit. Ne do të jemi opozitë e kësaj qeverie, por jo opozitë e Kuvendit, jo opozitë e Kosovës. Në këtë drejtim, pa dilemë do ta luajmë rolin tonë”, ka thënë Kuçi. “Të gjithë ne duhet ta luajmë rolin që ta ruajmë kohezionin nacional, por kryeministri e ka punën kryesore”.

Kur ishte vënë në krye të Qeverisë Ramush Haradinaj, ai kishte hequr vullnetshëm dorë nga përfaqësimi i Kosovës në dialogun me Serbinë. Kishte thënë se këtë duhej ta bënte presidenti Thaçi.

Por, pas vënies së kufijve të Kosovës në tavolinë, Haradinaj kishte ndërruar qëndrim. Qeveria kishte ndërmarrë disa veprime, përfshirë nxjerrjen e një ligji, në mësymjen që Kosova të përfaqësohej në proces nga një ekip dialogues, dhe jo nga kreu i shtetit. Ligji ishte shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, e cila njëkohësisht ka treguar se presidenti i shtetit ka rol vetëm këshillëdhënës në politikën e jashtme, ndërsa atë e krijon Qeveria.

Kurti ka përdorur edhe këtë argument, për të këmbëngulur se në këtë mandat ai do të jetë përfaqësuesi i Kosovës në negociatat me Serbinë.

Donika Kadaj e AAK-së thotë se është hera e parë që ka një qeveri që themelohet e votohet në një moment kaq kritik për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, për të cilën thotë të mos ketë asnjë qëndrim të qartë publik për dialogun. Sipas saj, mungojnë edhe përgatitjet.

“Ajo që ka mundësi të jetë folur e dakorduar mes partnerëve të koalicionit, ose me përfaqësuesit ndërkombëtarë, e për të cilën nuk kemi dëgjuar, nuk mund ta komentoj. Por kjo qasje e partnerëve karshi dialogut është e frikshme. Kryeministri po sillet sikur dialogu nuk do të ndodhë, derisa një gjë e tillë është e pashmangshme. Madje, ai tashmë po ndodh”, ka thënë Kadaj. “Procesi i dialogut është sfidë e madhe. LVV-ja gjatë gjithë ekzistencës deri sot kur erdhi në pushtet, zotohej se do të ndryshojë diskursin e dialogut, duke i vënë kushte Serbisë, siç janë dëmet e luftës, të pagjeturit, pensionet, librat kadastralë, e të tjerë, e të tjerë. Pra LVV-ja vazhdimisht ka deklaruar që ‘jemi pro dialogut, por me kushte’ dhe thoshte që ‘duhet të fillojmë dialogun me serbët lokalë’. Sot e shohim një kryeministër që as nuk flet për kushte, as për dialog me serbët lokalë, por bëhet sikurse kjo temë nuk do të ekzistojë fare gjatë qeverisjes së tij”.

Sipas saj, partneri tjetër qeverisës i LVV-së, Lidhja Demokratike (LDK), vazhdimisht ka shkuar në dialog pa kushte. Ajo druan se partnerët kanë qëndrime krejt ndryshe karshi kësaj teme.

Duke konsideruar se ka dallime për këtë çështje mes vetë partnerëve, Kadaj ka theksuar se në AAK nuk mund të llogarisin.

“Tani shtrohet pyetja se cili është qëndrimi i ri, meqë në këtë dallojnë shumë. LVV-ja e ka obligim të sqarojë para qytetarëve a është ende kundër Zajednicës apo ka ndërruar qëndrim, meqë Zajednica është nënshkruar dhe mbrojtur nga Isa Mustafa”, ka thënë. “Dhe, po ashtu, se a do të ulet në tryezë të bisedimeve siç bën LDK-ja, pa kushte. Pra, nuk mund të flasim për mbështetje të Qeverisë në dialog, kur ata nuk po japin asnjë qëndrim se si do ta trajtojnë këtë çështje”.

Kadaj e kishte nisur karrierën politike në AAK, por dy mandate më parë i ishte bashkëngjitur LVV-së, por më pastaj është rikthyer sërish në partinë e mëparshme. Gjatë mandatit prej opozitareje sa ishte në partinë e Kurtit, bashkë me kolegë në Kuvend kishte përdorur edhe gaz lotsjellës kundër Zajednicës, emërtim serb ky për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacioni është një mekanizëm për të cilin Mustafa në cilësinë e kryeministrit kishte pranuar që të pajisej edhe me disa kompetenca ekzekutive. Nuk është ngritur Asociacioni, veçmas pas kundërshtimeve në Kuvend e me protesta masive në rrugë, por edhe shkaku se Gjykata Kushtetuese ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar nga Mustafa ishte jokushtetuese.

Opozita e brendshme

LVV-ja dhe LDK-ja kanë lidhur koalicion qeverisës, duke qenë parti me dallime të mëdha ideologjike e programore. LVV-ja i takon qendrës së majtë e LDK-ja është e djathtë. Megjithëkëtë, përpara se të bënin koalicion dhe të merreshin vesh për poste, ato kanë dakorduar programin që synojnë ta jetësojnë gjatë mandatit që këtë muaj ka nisur.

Ndasi të karakterit ideologjik kanë treguar këtë javë në një mbledhje të Qeverisë, kur në rend dite është vënë një kërkesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për buxhet shtesë, të nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Podujevë, pasi kryetari i kësaj komune, Agim Veliu, u bë ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi, që është nga radhët e LVV-së, sugjeroi të mos miratohej buxheti si i tërë, por vetëm pjesa për mallra dhe shërbime. Ai konsideroi se pjesë e madhe e buxhetit ishte e paraparë për paga e mëditje, me të cilën shumë tha të ishte befasuar për të keq.

Meqë KQZ-ja është institucion i pavarur kushtetues, LDK-ja konsideron se buxheti duhej miratuar sipas kërkesës. Por Bislimi konsideronte se respektimi i pavarësisë nënkupton mosndërhyrjen në punën e KQZ-së, dhe jo domosdoshmërisht aprovimin e secilës kërkesë buxhetore.

Kur kryeministri e vuri në votim propozimin e Bislimit, pesë nga gjashtë anëtarët e kabinetit qeveritar që i takojnë LDK-së abstenuan.

Ndonëse rivalizonin me të madhe në vitet e mëparshme, këto dy parti u ofruan gjatë legjislaturës paraprake, kur ishin në opozitë. Megjithëkëtë, lufta për primat i vë në arenë të dyja kundër njëra-tjetrës. Kjo për shkakun se LDK-ja është subjekti që vazhdimisht rangohet i dyti me vota, që nga 2004-a.

Rivaliteti ka nisur që tani në terren. Pasi deklaruan prishjen e koalicionit në Prizren, partitë do të përballen në garën për kryetar të Podujevës.

“Kjo e Podujevës ka dalë pak më shpejt sesa kemi menduar”, thotë Fatmire Kollçaku. “Ne përfaqësojmë subjekte të ndryshme. Çdo kandidim duhet të jetë dinjitoz, çdo kandidat për kryetar komune duhet fushatën ta zhvillojë në mënyrë demokratike dhe në mënyrë të kulturuar, ku do ta prezantojë vizionin e vet se si e sheh komunën për katër vitet e ardhshme. Këtë nuk e shoh si një betejë, por si një përballje e kandidatëve me ide. Ne duhet ta ndryshojmë edhe mentalitetin armiqësor, që ka dominuar mes subjekteve. Duhet të garojmë me programe e me vizion”.

Podujeva ka qenë një prej bastioneve të LDK-së. Por në vitet e fundit, rivalitet të fortë i bën LVV-ja. Në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-ja i ka fituar 37.9 për qind të votave, ndërsa LVV-ja 35 për qind.

LVV-ja e ka kandiduar për kryetar ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi. Ai është ankuar këtë javë në djemtë e ish-kryetarit Veliu, tash ministër i Brendshëm.

“Janë shfrenuar ‘djemtë e përkëdhelur’ me shpifje të ulëta, që kanë qëllim të dezinformojnë publikun, gjoja unë kam për qëllim të çrrënjos tugovizmin në Llap”, ka reaguar Bulliqi. “E vërteta është që unë dhe Lëvizja Vetëvendosje duam të çrrënjosim hajninë dhe keqqeverisjen në Llap, si dhe t’i hapim rrugë zhvillimit e drejtësisë”.

Në LDK kanë refuzuar të flasin për këtë temë dhe për qasjen ndaj opozitës.

Arben Gashi, kryetar i Grupit parlamentar të këtij subjekti politik, nuk i ka kthyer përgjigje një numri pyetjesh që gazeta ia ka përcjellë për këto çështje.

Në anën tjetër, Fatmire Kollçaku e LVV-së konsideron se, ndonëse mund të ketë polemika të kësaj natyre, ato nuk do të vërehen edhe sa i përket aspektit programor të Qeverisë.

“Ne një kohë të gjatë jemi marrë me përafrim programor. Mendoj që ajo do t’i kontribuojë shumë bashkëqeverisjes dhe koalicionit, sepse tashmë ne jemi dakorduar për çështje kryesore që në të kaluarën kemi pasur dallime, qoftë ideore, qoftë programore”, ka thënë ajo. “Kemi arritur një përafrim të tillë që garanton bashkëqeverisje të sigurt dhe jetëgjatë”.

Koalicioni ka një raport të komplikuar edhe me Listën Serbe. Kushtetuta impononte që ky subjekt të përfaqësohej në Qeveri, meqë kishte fituar zgjedhjet në komunitetin serb, por LVV-ja refuzonte përfshirjen e saj në koalicion. Për pasojë, dy emra të propozuar nga ajo janë bërë ministra, ndërsa mungon marrëveshja e koalicionit dhe formalisht ky subjekt është në opozitë.

Imer Mushkolaj thotë se menaxhimi i këtij raporti brenda koalicionit do t’ia lehtësonte koalicionit qeverisës përballjen me opozitën.

“Do të ketë opozitarizëm edhe brenda koalicionit qeverisës, i lejueshëm deri në masën kur do të mund të shndërrohej në pengesë serioze për vendimmarrje”, ka thënë ai. “Tash për tash është i panjohur praktikisht raporti me Listën Serbe, respektivisht si ky subjekt politik do t’i qaset situatës kur është pjesë e Qeverisë, por pa marrëveshje koalicioni. Qasja serioze dhe bashkëpunuese e LVV-së dhe LDK-së në Qeveri do të krijonte situata më të lehta të përballimit të opozitës në Kuvend”.

Edhe në opozitë janë të vetëdijshëm për të tilla “mina” brenda koalicionit.

“Mos e harro që e ke partner të koalicionit LDK-në. Kjo është partia e dytë momentalisht. Nëse donë t’i fitojnë zgjedhjet, duhet të të kundërshtojnë ty. A ne, nëse domë me i fitu, duhet t’iu kundërshtojmë të dyjave. Pra, nuk e ke bash të lehtë dhe bash komod me koalicionin që e ke”, i ishte drejtuar Kuçi, Kurtit, ditën kur është zgjedhur Qeveria. “Lajmet më të vështira, më të pakëndshme, dëmtimin më të madh nuk ke me e pasë prej opozitës. Prej njerëzve tuaj, prej ministrave tuaj, prej partnerëve tuaj. Flasim në fund të mandatit, nëse është ndryshe”.