Njohës të çështjeve politike kanë vlerësuar se perëndimi është vonë në ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Ata thanë se ndërkombëtarët do të duhej të tregoheshin më radikalë dhe vlerësuan se mungesa e sanksioneve mund ta motivojë Serbinë të përsërisë akte të tilla destabilizuese ,jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë vonuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, vlerësojnë njohës të çështjeve politike e të sigurisë.
Ata thonë se pas kërcënimit që Serbia ia bëri sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës, mosndëshkimi i saj mund ta motivojë për përsëritjen e sulmeve të tilla.
Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka shtruar nevojën për qëndrim më radikal të komunitetit ndërkombëtar.
“Nëse nuk ka sanksione ndaj Serbisë do të ishte një motiv siç e thashë më herët për Serbinë. Përtej kësaj, mendoj që është një kërcënim edhe për rajonin, pra, për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, një qëndrim më radikal ndaj Serbisë nuk është vetëm përgjegjësi e Kosovës është edhe e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hasani.
Në këtë linjë është shprehur edhe njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, i cili e vlerëson të pabalancuar qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës kur flitet për sanksionet dhe kritikë të veçantë ka për dy ndërmjetësit e dialogut, Miroslav Lajçak e Josep Borrell.
“Sigurisht që pritjet e mia kanë qenë që BE-ja, por edhe SHBA-ja do të duhej të reagonin më shpejt, sepse është i qartë involvimi i Serbisë. Qasja e Bashkimit Evropian dhe e këtyre dy mediatorëve ka qenë jofer gjatë gjithë kohës”, ka vlerësuar Muja.
Të dy thonë se Kosova aktualisht është në një pozicion tjetër politik dhe e ka mundësinë që t’i japë drejtim të ri dialogut. Në funksion të kësaj, ata përmendën edhe disa kushte që duhen vendosur para rifillimit të bisedimeve.
“Mendoj që jemi në një momentum të ri politik sidomos pas aktit terrorist ndaj institucioneve të sigurisë së vendit. Para se të vazhdojë dialogu duhet të ketë sanksione kundër Serbisë”, ka thënë më tej Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.
Edhe Basri Muja ka kërkuar nga Kosova që të insistojë që pa një sanksionim të aktiviteteve të Serbisë dhe pa heqjen e sanksioneve apo masave që i janë vendosur Kosovës, në asnjë formë të mos e vazhdojë dialogun me Serbinë “Sepse nuk ka kuptim që gjatë javës të dialogohet për normalizimin e raporteve me Serbinë përderisa në vikende të luftohet me njësite terroriste të cilat qartë janë të sponsorizuara nga qeveria e Serbisë”, ka theksuar Muja.
Disa shtete anëtare të BE-së e kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë, por kjo ende nuk ka ndodhur meqë blloku evropian pret që të përfundojnë hetimet për ta vërtetuar imlipikimin e Serbisë në sulmin terrorist të Banjskës.