Rritja e paralajmëruar e tarifave të energjisë në shkallë 14 për qind do të ndihet në xhepin e shumicës së qytetarëve, meqë tarifat e reja nuk do të subvencionohen as nga një e treta e 75 milionë eurove të ndara nga BE-ja, për të cilat autoritetet firmosën të premten marrëveshjen për transferim. Me to do të mbështeten vetëm disa kategori.
Çmimet e larta të importit të energjisë gjatë vitit 2022 do të ndikojnë që qytetarët të paguajnë më shtrenjtë për tarifat e energjisë, pavarësisht se në fillim të këtij viti çmimet e importit kanë rënë.
Ani se Zyra e Rregullatorit ende nuk ka vendosur se sa do të jetë rritja e tarifave, sipas parashikimeve të saj çmimet do të rriten për rreth 14 për qind.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se KESCO ka bërë kërkesë për rritje të tarifave.
“Kërkesa sipas vlerësimeve është mbi 50 për qind. Kur është dërguar kërkesa vitin e kaluar edhe çmimet kanë qenë më të larta. Sipas raportit që është në diskutim publik, ZRRE-ja e ka propozuar të ketë rreth 14 për qind rritje të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Gjatë shqyrtimit tarifor nga ZRRE-ja merret për bazë kostoja e vitit të kaluar. Edhe pse në muajin janar ka rënie të çmimit të energjisë në bursa, zbatimi i këtyre çmimeve do të bëhet tek në tarifat e vitit 2024.
Në KEDS kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2022 kanë importuar më pak energji, por çmimi ka qenë më i lartë. Sipas të dhënave, vitin e kaluar KEDS-i ka importuar energji në vlerën mbi 120 milionë euro, ndërsa në 2021 vlera e importit ka qenë mbi 91 milionë euro.
Shkaku i tejkalimit të kostos së importit të energjisë, KEDS-i në dhjetor ka kërkuar shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.
Për rritje ose jo të tarifave pritet të vendoset gjatë muajit mars, ndërsa nga 1 prilli deri më 31 mars të 2024 do të jenë në fuqi tarifat e reja.
Për t’u përballur me krizën energjetike, të premten është nënshkruar marrëveshja për transferimin e 75 milionë eurove nga Bashkimi Evropian.
75 milionë euro është kësti i parë i parave që Kosova do t’i marrë nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 1 miliard eurosh, të krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për ta ndihmuar rajonin e përfshirë nga kriza energjetike dhe rritja e madhe e çmimeve të energjisë që është shkaktuar pas nisjes së agresionit rus mbi Ukrainën.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se pushtimi i plotë, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndikuar në tërë botën, duke shkaktuar kriza energjetike dhe ushqimore.
“Efektet e këtyre krizave i kanë ndier më së shumti ekonomitë më të cenueshme, ndërsa BE-ja ka ndërhyrë që ta mbështesë Ukrainën që t’i shmanget pushtimit, por edhe t’u ndihmojë partnerëve të saj që të përballen me krizat", ka thënë ai. “Mbështetja financiare e ofruar përmes Pakos për mbështetjen për energji të BE-së vjen si shtesë dhe synon t’i mbështesë drejtpërsëdrejti njerëzit dhe bizneset në Kosovë”.
Nga 75 milionë euro që BE-ja do t’i transferojë në Kosovë, një e treta ose 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti, për rreth 200.000 familje, duke përfshirë pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara.
Një pjesë tjetër do të shkojnë për motivimin e publikut për ta kursyer energjinë, duke iu ofruar familjeve subvencione për faturat e energjisë të barabarta me shumat që ata i kanë kursyer krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo masë do të zbatohet për periudhën janar-prill 2023 dhe nga ajo pritet të përfitojnë rreth 160.000 familje.
Ndërsa 35 milionë eurot e mbetura do të përdoren për t’u ndihmuar familjeve dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) që ta rrisin efiçiencën e energjisë.
“Rreth 12.000 familje që banojnë në shtëpi private apo banesa në objektet e strehimit social do të mbështeten me përmirësim të termoizolimit (fasadave, dritareve dhe dyerve), ndërsa 10.000 familje të tjera do të mbështeten me blerje të pajisjeve efiçiente. Rreth 1.000 NMVM do të mbështeten për të blerë dhe instaluar sisteme të ngrohjes me energji efiçiente dhe burime të ripërtërishme të energjisë, siç janë panelet diellore fotovoltaike ose termike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
E sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, fondet e ofruara do të përdoren nga Qeveria e Kosovës për ta vazhduar zbatimin e masave të planifikuara për zvogëlimin e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike te qytetarët.
“Kjo është hera e parë në kuadër të përfitimit nga fondet e IPA-s që BE-ja i ofron të gjitha fondet e programit vjetor si mjete që derdhen drejtpërsëdrejti në buxhetin e vendit dhe kjo është pikërisht pas kërkesës sonë si Kosovë e orientuar kah Bashkimi Evropian”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se familjet kosovare mesatarisht vitin e kaluar kanë konsumuar rreth 4 për qind më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar.
“E veçanta e këtij programi për dallim prej shumë programeve të tjera është që ai është plotësisht në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona, është plotësisht i ndërtuar mbi bazën e kapaciteteve tona institucionale dhe llogarit në kapacitetet tona institucionale për zbatimin e programit”, ka thënë ajo.
Vitin e kaluar tarifat e energjisë gati u dyfishuan, por u ndien vetëm nga konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, meqë vlerën e rritur deri në këtë prag e subvencionoi Qeveria nëpërmjet ndarjes së 90 milionë eurove.