Arbëri

Për afro 6 vjet, ish-nënkryetari i Junikut shfrytëzon jashtëligjshëm pronën e APK-së

Afro 65 arë të Agjencisë së Pyjeve në vendin e quajtur Mali i Zharrave në Junik janë duke u shfrytëzuar jashtëligjshëm nga një biznes privat. Një kontratë që ishte lidhur për shfrytëzimin e kësaj prone më 2013 ishte shkëputur më 2017, por biznesi ka vazhduar operimin aty pa u penguar nga askush edhe tash e gjashtë vjet. Institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mosmarrjen e masave. Pronari i biznesit që shfrytëzon hapësirën e zonës së mbrojtur – Parkut “Bjeshkët e Nemuna”, është ish-nënkryetari i Junikut, Myrtë Veliaj

Pa kontratë dhe pa u penguar nga askush, për afro gjashtë vjet, afro 65 arë të Agjencisë së Pyjeve në vendin e quajtur Mali i Zharrave në Junik shfrytëzohen nga një biznes privat.

Kontrata që është nënshkruar më 2013 nga shfrytëzuesi, përkatësisht ish-nënkryetari i Junikut, Myrtë Veliaj, dhe zyrtarët e Agjencisë e Pyjeve, është shkëputur katër vjet më vonë (më 2017). Shkak për këtë ishin shkeljet e kontratës nga Veliaj dhe shfrytëzimi i jashtëligjshëm edhe i një prone tjetër.

Në hapësirën prej afro 30 arësh, për të cilën kishte marrëveshje, parashihej që ndërtimi i objektit hotelier të bëhet me material jo të fortë - të karakterit të përkohshëm, ndërsa shfrytëzuesi kishte përdorur material të fortë – me gurë, beton e hekur. Po ashtu, në hapësirën tjetër prej afro 35 ari të së njëjtës zonë, por që nuk ishte përfshirë në kontratë, Veliaj kishte ndërtuar hurdha për peshq, parking të automjeteve, stallën për kuaj dhe objektin për gjenerator.

Krejt këto parregullsi janë konstatuar pas dyshimeve të ngritura për mënyrën e lidhjes së kontratës më 18 prill të 2013-s, përkatësisht pak muaj pasi që zona “Bjeshkët e Nemuna” është shpallur zonë e mbrojtur.

Kontrata nënshkruhet kur kryeshefi ishte në udhëtim zyrtar

Marrëveshja mes Agjencisë së Pyjeve dhe Myrtë Veliajt është realizuar në afat rekord. Dy ditë pas raportit të Komisionit që rekomandonte lidhjen e kontratës, ishte lëshuar pëlqimi dhe ishte nënshkruar kontrata.

Komisioni për shqyrtimin e kërkesave, në krye me Besim Zogun, tani drejtor i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, më 15 prill kishte lëshuar rekomandimin për dhënin e kontratës. I njëjti, gjatë kohës sa po zëvendësonte kryeshefin e atëhershëm, Ahmet Zejnullahu, që ndodhej në udhëtim zyrtar, më 18 prill kishte lëshuar pëlqimin për dhënien me qira të hapësirës 30 ari në pjesën e quajtur Mali i Zharrave. Në po të njëjtën ditë ishte nënshkruar edhe kontrata me Veliajn dhe ishte nënshkruar gjithashtu nga Zogu.

Image
Hudhra e peshqve dhe stalla për kuaj, të ndërtuara në pjesën prej 30 arësh jashtë kontratës së lidhur me Agjencinë e Pyjeve dhe me material të fortë

Kontratës i kanë paraprirë edhe disa vendime që Myrtë Veliaj i kishte marrë nga Komuna e Junikut, në kohën kur ai ishte drejtor i Administratës në këtë komunë.

KOHA ka kërkuar sqarim nga Zogaj se si është e mundur që edhe të ketë qenë pjesë e Komisionit, edhe të nënshkruajë pëlqimin e edhe vetë ai të lidhte kontratën me Veliajn. Zogaj është arsyetuar duke thënë se pas raportit të komisionit, ai ka pasur vendim nga kryeshefi për ta zëvendësuar në kohën kur ka qenë në udhëtim zyrtar. Por, nuk ka treguar nëse e ka pasur autoritetin që të marrë vendime për dhënin e pronave të APK-së në shfrytëzim.

“Pëlqimi dhe kontrata janë përgatitur nga zyrtari juridik i APK-së dhe janë nënshkruar nga zëvendësuesi i KE të APK-së, Besim Zogaj, sipas Vendimit me Ref. KE 304/13 datë 16.04.2013”, ka sqaruar Zogaj.

Ai e kishte zëvendësuar kryeshefin Ahmet Zejnullahu nga data 17 prill deri më 19 prill të 2013-s, e kontrata ishte nënshkruar brenda kësaj periudhe, më 18 prill.

Ndërkaq, Zejnullahu ka thënë për KOHËN se nuk ka qenë në dijeni për lidhjen e kësaj kontrate dhe se për këtë është njoftuar tek në vitin 2017, kur është vendosur për shkëputjen e saj.

“Nuk kam qenë në dijeni lidhur me atë kontratë. Ka pasur edhe një vendim nga ana ime që e ndalon shqyrtimin e kërkesave për dhënien e pronave në shfrytëzim në atë pjesë. Se është bërë kontrata jam njoftuar tek më 2017 nga inspektimet që janë bërë nga inspektorët në terren”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas tij, kontrata është nënshkruar në kohën kur ai ka qenë në udhëtim zyrtar.

“Nga informatat që kam nuk di që është lidhur ndonjë kontratë tjetër në mungesë time. Kjo ka qenë e vetmja që është bërë”, ka thënë Zejnullahu. Ai ka njoftuar se këtë lëndë dhe disa të tjera i ka dërguar në Prokurori për hetim.

Ani se pas shpalljes së kësaj zone si zonë e mbrojtur, ish-kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve kishte marrë vendim që të ndalonte pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzim të pyjeve dhe tokave pyjore në atë pjesë, Besim Zogaj në përgjigjen e tij ka theksuar se nuk kanë qenë në dijeni që ajo është pjesë e parkut. Në përgjigjen për KOHËN, Zogaj ka thënë se Komisioni gjatë shqyrtimit të kërkesës ka konstatuar se janë plotësuar kriteret për dhënien me qira të kësaj ngastre për ndërtimin e një restoranti, pasi, sipas komisionit, kjo do të ndikojë në rritjen e vlerave të pyjeve nëpërmjet zhvillimit të turizmit malor.

“E vetmja dilemë e komisionit ka qenë se ky lokacion a është në kuadër të parkut apo jo, pasi Ligji i parqeve i referohet kufirit përmes lartësisë mbidetare ku ka raste ku përmendet se kufiri zbret deri te lartësia 700-800 metra lartësi mbidetare dhe ky dallim prej 100 metra është thuajse e pamundur të definohet saktë”, ka thënë Zogaj.

Ai po ashtu ka deklaruar se nga Komuna e Junikut janë njoftuar se zonat nuk janë në kuadër të parkut. Këtë përgjigje të Komunës e ka siguruar edhe KOHA.

“Ngastrat nuk janë në kuadër të zonave që gëzojnë karakterin e mbrojtur në bazë të Ligjit për parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, dhe këto ngastra nuk janë në kundërshtim me Planin Urbanistik dhe Planin zhvillimor të Komunës së Junikut, si dhe nuk pengojnë në përmbushjen e objektivave të cilat janë paraparë me planet e lartpërmendura”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut, aty ku Myrtë Veliaj më 2013 ka qenë drejtor i Administratës, ndërsa më 2014 nënkryetar i Komunës.

Por, për të njëjtat ngastra, në të njëjtin vit, Zogaj kishte refuzuar kërkesën e një pale tjetër me arsyetimin se është në zonën e mbrojtur. Ndërsa në përgjigjen për KOHËN, ai ka thënë se konstatimi se kjo ngastër është në kuadër të parkut është bërë në vitin 2017.

Ministria, asnjë veprim për mbrojtjen e Parkut

Se ka shkelje të kontratës dhe se prona është në zonën e mbrojtur kishte konstatuar inspektori i Pylltarisë, Mehdi Berisha, në vitin 2017. Ai kishte kërkuar që të formohet një komision për të verifikuar gjendjen në terren. Nga inspektimi ishte konstatuar se objekti hotelier (restoranti) është ngritur brenda koordinatave që i ka në shfrytëzim me kontratë në sipërfaqe prej 0.30.83 ha, porse i njëjti është ndërtuar me material të fortë (beton dhe hekur) e jo ashtu siç është e paraparë me kontratë - me material jo të fortë, të karakterit të përkohshëm.

“Ndërsa hurdha për peshq, parkingu i automjeteve, stalla e kuajve dhe objekti i gjeneratorit janë ndërtuar jashtë asaj pjese që është paraparë me kontratë ref.KE-310/13 të datës 18.04.2013. Ku sipërfaqja e shfrytëzuar jashtë kontratës është 0.34.99 ha”, thuhet në raport të komisionit. “Pronari në fjalë si shfrytëzues i përkohshëm i kësaj pjese ka bërë tejkalime dhe nuk është i përmbajtur kontratës në fjalë, si në sipërfaqen e shfrytëzuar e po ashtu edhe në materialin e ndërtimit të objektit hotelier”, thuhet më tej aty.

Më pas ishte rekomanduar ndërprerja e kontratës dhe marrja e masave për inicimin e procedurës gjyqësore.

Shkëputja e kontratës, sipas Besim Zogajt, drejtor i Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë në kuadër të APK-së, nuk është bërë për faktin se është ndërtuar brenda kufirit të parkut, por se kjo kontratë është ndërprerë për shkak të uzurpimeve dhe mospërfilljes se kritereve të kontratës sa i përket ndërtimit të objektit.

Por, me gjithë këto konstatime, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për lirimin e pronës së uzurpuar. Madje, veprime procedurale gjyqësore kundër Myrtë Veliajt nuk ka iniciuar as Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, që menaxhon me Parkun “Bjeshkët e Nemuna”, ndonëse kështu obligohet në bazë të vendimit për shkëputjen e kontratës. Për dyshimet e ngritura, prokurorisë i është drejtuar vetëm ish-kryeshefi i APK-së.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga MMPH-ja nëse ka marrë masa lidhur me lirimin e kësaj prone, porse ata nuk janë përgjigjur.

E pronari i restorantit, Myrtë Veliaj, ka mohuar se ka uzurpuar pronën në të cilën operon restoranti. Ai ka thënë se ajo pjesë ka kaluar nën menaxhim të Drejtorisë së Parkut Kombëtar dhe se po presin ligjin e ri për parkun që të rregullojë dhe shqyrtojë kërkesat e tyre për pronë.

“Nuk ka uzurpim. A guxon një njeri normal me investuar në uzurpime, nuk ka shans. Investimet nuk bëhen ad-hoc. Ne të gjithë jemi duke u munduar që të zhvillojmë turizmin, të kemi kapacitetet për çdo send, edhe në komunë. Ai është biznes i licencuar”, ka thënë Veliaj.

Se është i licencuar dhe i regjistruar e kanë konfirmuar edhe nga Komuna, por asnjëra palë nuk ka treguar se mbi çfarë baze ligjore operon në atë tokë.

Komuna thotë se nuk është e informuar për shkëputjen e kontratës

Ani se ka afro gjashtë vjet që nga shkëputja e kontratës nga Agjencia e Pyjeve, në Komunën e Junikut kanë thënë se nuk kanë informata të tilla.

“Komuna e Junikut nuk posedon informatën që kontrata i është shkëputur. Kontrata ka qenë me një afat shfrytëzimi, por me mundësi vazhdimi”, thuhet në përgjigjen e kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehu.

Shehu ka thënë se leja e ndërtimit i është dhënë me karakter të përkohshëm, pasi që edhe kontrata e Agjencisë ka qenë me kushte dhe leja është kushtëzuar. Leja e ndërtimit, sipas tij, bazohet në nenin 3 pika 1 e paragrafit 1.3 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në të cilën thuhet se zona e tretë – e shfrytëzimit të qëndrueshëm përfshinë pjesët e territorit të Parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ku mund të bëhet: ndërtim, rindërtim, mbrojtje të objekteve tradicionale dhe rekreacion, turizëm dhe nevoja të banorëve në territorin e Parkut Kombëtar si dhe shfrytëzim të kullosave dhe shfrytëzim ekonomik i të mirave të natyrës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës si dhe në harmoni me ligjet përkatëse dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar.